BallinaProjekteNxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartëDardha dhe Voskopoja në Korçë, "në pritje" të përmbushjes së premtimeve

Dardha dhe Voskopoja në Korçë, “në pritje” të përmbushjes së premtimeve

Ndërtimi i pistave të skive, komplekseve dimërore apo zyrave të informacionit për turistët ishin disa nga projektet e premtuara nga kryetari i Bashkisë Korçë gjatë fushatës elektorale të vitit 2015. Faktoje verifikoi në terren nëse këto premtime që lidhen me turizmin ishin përmbushur.


“Parashikojmë mbështetjen me grant për ndërtimin e rrjetit të 50 bujtinave tradicionale në qytetin e Korçës dhe zonave turistike, ndërtimin e pistës së skive dhe kompleksit turistik dimëror në Dardhë dhe Voskopojë, ngritjen e rrjetit të Zyrave të Informacionit Turistik në qytet dhe fshatra turistikë…”, – u shpreh kryetari i Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo më 2 qershor 2015 në një intervistë për BIRN.

Në fillim të muajit shtator 2020, “Faktoje” ishte në fshatin turistik të Dardhës, ku nuk mugonin turistët, kryesisht vendas.

Dardhë, Korçë

Fshati Dardhë gjendet në juglindje të Korçës, rreth 20 kilometër larg qytetit.

“Reshjet e shumta të dëborës dhe pistat natyrore të krijuara janë shumë të përshtatshme për zhvillimin e sporteve dimërore, veçanërisht atë të skive”, – thuhet në seksionin e atraksioneve turistike në faqen zyrtare të Bashkisë Korçë.

Në Dardhë gjendet vetëm një pistë, e marrë në shfrytëzim nga privatët kundrejt qirasë dhe që sipas vizitorëve të cilët e kanë frekuentuar atë gjatë dimrit, është shumë larg të qenit një pistë e mirëfilltë skish, për shkak të mungesës së infrastrukturës mbështetëse.

“E vetmja pistë për ski në qarkun Korçë e madje në gjithë Shqipërinë është kjo e Dardhës. Përbëhet nga tri pista me gjatësi rreth 400 metër dhe nisja bëhet nga maja e kodrës me teleferik. Ne jemi biznes privat dhe siç e shihni tani jemi duke krijuar infrastrukturën e përshtatshme hoteliere për turistët gjatë sezonit turistik dimëror. Bashkia shpeshherë është konsultuar edhe me ne si grup interesi le të themi, por nuk ka ndonjë investim konkret për një pistë tjetër”, – iu komunikua “Faktojes” nga Ski-Pista Bigëll, Dardhë.

Nga verifikimi në terren konstatuam se nuk kishte as një kompleks dimëror në fshatin Dardhë.

Ski-pista Bigëll në Dardhë, Korçë; tetor 2020

Dardha pa një zyrë informacioni për turistët!

Edhe pse ishte një ndër premtimet e fushatës elektorale të vitit 2015 e madje e “ricikluar” në atë të vitit 2019, Dardha ende nuk ka një “Zyrë Informacioni Turistik”.

Informacioni në fshatin turistik mund të merrej nëpërmjet hartave të kornizuara si shenja vertikale komunikimi apo duke pyetur banorët e zonës.

Hartë orientuese në Dardhë, Korçë

Ndryshe nga Dardha, në Voskopojë gjendej një zyrë turistike informacioni, e restauruar së fundmi, por në të cilën nuk ndodhej askush as në orët e paradites.

Zyrë turistike informacioni në Voskopojë, Korçë

Premtimi se në Voskopojë do ndërtohej një pistë skish, 5 vite më pas rezultoi ende i pambajtur. Nga verifikimi në terren, informacionet që morëm nga banorët dhe përgjigjja e Bashkisë Korçë, mësuam se as në Voskopojë nuk ishte ndërtuar ndonjë pistë skish.

Më 28 tetor 2020, “Faktoje”, përmes një kërkese për informacion pyeti në Bashkinë Korçë lidhur me projektet e zbatuara në pikat turistike të Dardhës dhe Voskopojës.

Kërkesë për informacion dejtuar Bashkisë Korçë

“Nëse i referohemi pistës aktuale të skive në Dardhë, ajo është në funksion të plotë dhe shërben sot si një nga pikat më tërheqëse dimërore të turistëve. Zyrë turistikë në Dardhë nuk ka, ndërsa Voskopoja ka një zyrë informacioni turistik dhe vlera e investuar për të është e përfshirë në vlerën totale të investimit të qendrës së fshatit” – thuhet në përgjigjen e Bashkisë Korçë të datës 13 nëntor 2020.

Nga shqyrtimi i buxhetit të vitit 2020 të Bashkisë Korçë, për fshatrat Dardhë dhe Voskopojë nuk ka asnjë zë të parashikuar për investime në pista skish, zyra turistike informacioni apo kompleks dimëror.

Pas verifikimit të kryer vendosëm që premtimin e kryebashkiakut për ndërtimin e pistave të skive për Dardhën dhe Voskopojën, kompleksit dimëror dhe zyrave turistike (përveç njërës në Voskopojë) ta kategorizojmë të pambajtur.

“Faktoje”, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend, dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img