BallinaProjekteNxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartëA u shndërrua Ravoniku në një “lagje” të Korçës siç u premtua në 2015-n?

A u shndërrua Ravoniku në një “lagje” të Korçës siç u premtua në 2015-n?

Investimet në fshatin Ravonik dhe në disa fshatra të tjerë, sipas kryetarit të Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo do krijonin të ashtuquajturën “Korça e Madhe”. Ky ishte një premtim i fushatës së zgjedhjeve vendore në 2015-n. Pesë vite më pas në Ravonik, nga një verifikim i Faktoje, vërehen investime kryesisht me karakter infrastrukturor, por që sipas banorëve nuk janë të mjaftueshme.


“Kemi një projekt shumë të rëndësishëm që ne e quajmë “Korça e Madhe”, e cila synon që brenda brenda bashkisë së madhe të Korçës që ka 7 komuna, të krijojë qytetin e madh të Korçës që është qyteti i sotëm së bashku me disa fshatra që ndodhen shumë pranë pranë qytetit, Ravonku, Mborja, Barçi, Dishnica, Çifligu, Bulgareci apo edhe ndonjë fshat tjetër. Do ta prezantojmë për shumë pak javë dhe menjëherë pas zgjedhjeve do fillojmë zbatimin e këtij projekti”, – u shpreh kryetari i Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo më 19 prill 2015 gjatë një takimi me banorët e Ravonikut.

Filo, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, evidentoi edhe optimizim e banorëve “për projektet e afërta që do t’u ndryshonin jetën”.

Screenshot nga Facebook i Sotiraq Filo

Më 21 janar 2020, “Faktoje”, pyeti në Bashkinë Korçë mbi investimet e kryera në zonat rurale dhe më konkretisht në fshatin Ravonik.

Kërkesë për informacion drejtuar Bashkisë Korçë

Nga Bashkia Korçë na u kthye kjo përgjigje:

Infrastruktura e fshatrave dhe zonave informale konsiston në investimet e vazhdueshme që bëhen çdo vit në zonat rurale dhe ato informale, investime të cilat do të vazhdojnë edhe këtë vit.

Në fillim të shtatorit “Faktoje” ishte në fshatin Ravonik rreth 2 kilometër larg nga qendra e  Korçës, që ka rreth 1000 banorë. Banorët e fshatit, siç ata tregojnë merren kryesisht me bujqësi dhe blegtori.

Fshati Ravonik, Korçë; shtator 2020

“Kanë thënë se do e shtrojnë me asfat rrugën këtu e 6-7 vite më parë, por deri më tani nuk kanë bërë gjë. Investimi i fundit, për të mos thënë i vetmi ishte ai që vendosën ndriçimin. Edhe atë nuk e çuan në të gjithë fshatin” – i tha “Faktojes” Flutura Hysbegaj, banore e Ravonikut.

Rrugët dhe ndriçimi në Ravonik

“Problem kemi ujin për të vaditur tokat. Para viteve 90’ ishin funksionalë, por ka kohë që nuk kalon më ujë. Kanalet duhen pastruar se si infrastrukturë në rregull janë”, – shtoi banorja Hysbegaj.

Kanal vaditës në Ravonik, Korçë

“Faktoje” pyeti sërish në Bashkinë Korçë më 28 tetor 2020 lidhur me investimet e kryera në fshatin Ravonik në 5 vitet e fundit.

“Gjatë – vjeçarit të fundit në  fshatin Ravonik janë  vendosur 50 copë ndriçuesa në hyrja Korçë Ravonik, rruga lidhëse Ravonik – Qatrom. Janë vendosur 6 shtylla metalike dhe ndriçuesa tek lulishtja në qendër. Është shtruar 1 km rrugë midis parcelave me çakull viti 2018. Janë shtruar 6.3 km rrugë midis parcelave me çakull viti 2019. Janë shtruar 2.9 km rrugë midis parcelave me çakull viti 2020. Janë asfaltuar 3300 m2 rrugë për vitin 2020. Janë kryer investime në veshjen e kanalit Ravonik në vitin 2018, me vlerë 2.73 milion lekë”, – thuhet në përgjigjen e Bashkisë Korçë.

Sipas të dhënave nga buxheti i vitit 2020 të Bashkisë Korçë, investimet për rrugët rurale gjatë këtij viti janë planifikuar në vlerën e 50,051,000 lekëve.

Nga verifikimi që Faktoje për në Ravonik dhe informacioni i grumbulluar, vendosëm që premtimin e kryebashkiakut Sotiraq Filo për sigurimin e infrastrukturës së nevojshme, rrugë, kanalizime, furnizim me ujë dhe ndriçim ta kategorizojmë pjesërisht të mbajtur.

“Faktoje”, e mbeshtetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend, dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

Lexo dhe: Pallati i sportit dhe stadiumi në Korçë, premtimet e pambajtura dhe të “ricikluara” të kryebashkiakut Filo

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img