BallinaTë pambajturaSi po degradon kalaja e Gradishtës, që u premtua se do kthehej në atraksion turistik për Belshin

Si po degradon kalaja e Gradishtës, që u premtua se do kthehej në atraksion turistik për Belshin

Kalaja e Gradishtës në Belsh është ndër Monumentet e Kulturës që po degradojnë, për shkak të mungesës së investimeve. Ndërsa dhjetëra objekte arkeologjike të kësaj zone bëjnë pjesë në koleksionet e muzeve nëpër Europë, zona e kalasë së Gradishtës, e premtuar nga kryebashkiaku i Belshit se do kthehej në destinacion turistik, po rrënohet çdo ditë e më shumë, bashkë me infrastrukturën.


“Kjo zonë nuk do t’i ngjajë më një gërmadhe dhe një masivi me shkurre të degraduara, por do të shndërrohet në një zonë tërësisht të pyllëzuar dhe që do të mirëmbahet si një ndër thesaret më të çmuara të Dumresë. Kalaja e Gradishtës së Belshit, së bashku me liqenet e shumta karstike tashmë po kthehen në destinacione të rëndësishme për turistët” – u shpreh kryetari i Bashkisë Belsh, Arif Tafani më 23 shkurt 2018, teksa ndodhej aty për mbjelljen e 1,500 pemëve.

Më 22 tetor 2020, “Faktoje” shkoi në Belsh për të verifikuar nëse ishte bërë ndonjë investim në kalanë e Gradishtës apo zonën përreth saj.

Kalaja e Gradishtës në Belsh, tetor 2020

Kalaja e Gradishtës, e vlerësuar si Monument Kulture i Kategorisë së Parë nga Inspektoriati Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, nuk “prodhon” turizëm për shkak të mungesës së investimeve. Rruga që të çon drejt saj dhe ku ndodhet tabela orientuese është e pashtruar.

Rruga për në Kalanë e Gradishtës, Belsh

“Po si të vijë turisti këtu kur nuk ka rrugë?! Minimalja, rrugë! Maksimumi që shkojnë te Kalaja e Gradishtës janë barinjtë e zonës së kullosin bagëtitë” – i tha Faktojes, Idriz Bregu nga fshati Gradishtë i Belshit.

Rruga për në Kalanë e Gradishtës, Belsh

“Arkeologët thonë se dikur këtu ka qenë Kalaja e Gradishtës. Gjatë periudhës së komunizmit këtu ka qenë reparti i topave. Duke qenë pozicion strategjik e ndërtuan këtu repartin. Nga kalaja kanë mbetur këto pllakat tipike të periudhës së hershme. Për turizëm nuk vjen njeri se nuk ka rrugë, nuk ka ndonjë investim që të ftojë njerëzit” – i tha “Faktojes”, Ismail Lofka i cili ndodhej aty për të kullotur bagëtinë.

*Kalaja e Gradishtës në Belsh, 22.10.2020
Kalaja e Gradishtës në Belsh, 22.10.2020

Në Gradishtë është gjetur varri i një princi Ilir, i quajtur Princi i Belshit. Sipas gojëdhënave, princi ishte varrosur me nderime të mëdha rreth vitit 350 para Krishtit, me rreth 70 objekte me vlerë, që sot gjenden të ekspozuara në muzeun historik të lashtësisë dhe antikitetit të landit të Austrisë së sipërme në Asparm.

Gjithashtu, në Gradishtë, nga gërmimet arkeologjike janë gjetur edhe shumë objekte të tjera balte, si portrete dhe enë me figura mitologjike. Faltorja e Afërditës ndodhet jo larg liqenit të Seferanit, në të cilin hidheshin enë prej balte si dhurata për perëndinë. Qeramika me kokën e Afërditës zinte vend të veçantë në kultin e banorëve të qytetit ilir të Belshit.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img