Deputeti dhe kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla më 9 maj, nga Vlora u shpreh se qeveria po punonte për konsultimin dhe konceptimin e një pakete të tretë ekonomike. Por deklaratat mbi planin për një paketë të tretë ekonomike, që u artikuluan edhe nga zyrtarë të tjerë të qeverisë, u mohuan brenda pak javësh nga kryeministri Rama.
Më 9 maj, në Ditën e Europës, deputeti dhe kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla njoftoi se qeveria ishte duke konsultuar dhe konceptuar një paketë të tretë ekonomike.
Ne si Grup Paramentar kemi mbështur nismat e qeverisë. Qeveria është duke e konsultuar dhe konceptuar një paketë të tretë, u shpreh Balla.
Tezën për një paketë të tretë ekonomike e hodhi edhe ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Anila Denaj. Gjatë një vizite në bizneset e mëdha të cilat mbyllen për disa javë aktivitetin si rezultat i masave bllokuese, më 31 maj, Denaj, u shpreh se paketa do të prezantohej në javët e ardhshme dhe do të përqëndrohej në mbështetjen e sipërmarrjeve.
Kemi një plan, pak afatmesëm, për të ndihmuar pak të gjithë bizneset për t’u ringritur dhe besoj që do e anoçojmë javët në vijim, deklaroi Denaj.
Por, më 4 qershor, kryeministri Edi Rama në emisionin “Opinion” në TV Klan mohoi të kishte një paketë të tretë ekonomike.
Nuk ka paketë të tretë. Në varësi të dinamikës kam thënë. Ne tani jemi hapur plotësisht, të gjithë po i kthehen punës, u shpreh Rama.
Paketa e tretë ekonomike u mohua edhe nga ministri për koordinimin e situatës për koronavirusin, Arben Ahemtaj. Në emisionin “Opinion”, Ahmetaj njoftoi se do kishte një paketë ekonomike, por jo me të njëjtat tipologji me paketat 1 dhe 2.
Paketa e tretë është e rimëkëmbjes ekonomike, me injektim në sektor. Investime publike dhe private, kujdes në shtyllën sociale, por nuk do të ketë paketa të tipologjisë 1 dhe 2 . Po diskutohet instrumenti i tretë i garancisë për të ndihmuar prodhimin dhe turizimin”, tha Ahmetaj ndërsa pohoi se kjo paketë parashikohet diku në fund të muajit Qershor dhe është një plan ekonomik që godet objektivat deri në 2025, u shpreh Ahmetaj.
Një plan, i ngjashëm me një paketë ekonomike u njoftua edhe më 20 prill nga kryeministri Edi Rama i cili foli për publikimin e një plani lidhur me punëtorët informalë. Por, siç rezultoi, as ky premtim i kryeministrit Rama nuk u mbajt.