BallinaTë pambajturaDështon për të dytën herë publikimi i planit të ndihmës për punëtorët “në të zezë”!

Dështon për të dytën herë publikimi i planit të ndihmës për punëtorët “në të zezë”!

Të hënën e kaluar, më 20 prill kryeministri Edi Rama njoftoi se brenda javës së shkuar do publikohej një plan lidhur me punëtorët informalë. Sipas deklaratës së Ramës, nga ky plan do përfitonin 70,000 familje përmes një pagese direkte në vlerën e e jo më shumë se 8,000 lekëve. Me mbylljen e javës së shkuar, qeveria nuk publikoi ndonjë plan apo strategji mbi trajtimin e punëtorëve “në të zezë”, që sipas Bankës Botërore përbëjnë 36% të të punësuarve.


Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët më 20 prill në “Facebook”, kryeministri Edi Rama foli mbi një plan që do t’u mundësonte punëtorëve informalë përfshirjen në skemat e ndihmës ekonomike si pasojë e pandemisë “Covid-19”.

Ata që punojnë në të zezë apo kanë vështirësi ekonomike, janë në grup prej 70 mijë familjesh që nuk janë të përfshira në skemën e ndihmës ekonomike, por edhe pse kanë pasur një pikëzim më të lartë se i atyre që kanë hyrë në ndihmën ekonomike si aplikues për ndihmë ekonomike konsiderohen familje që në këtë situatë kanë një hall më të madh se të tjerët. Po punojmë për një bonus të veçantë që do të jetë në masën e një ndihme direkte“, – njoftoi Rama.

Rama shtoi se qartësimet mbi mënyrën se si skema e ndihmës ekonomike do funksiononte do jepeshin brenda javës.

Si do të jetë, sa do të jetë, kur do të ndodhë, do e kemi këtë javë të qartë. Do mundemi ta lajmërojmë edhe këtë shumë prej atyre që ankohen që janë në punë në të zezë, vështirësi ekonomike. Ndihmë ekonomike direkte“, – shtoi Rama.

Më herët, më 14 prill, kryeministri Edi Rama kishte lajmëruar se punëtorët informalë do përfshiheshin në paketat e ndihmës ekonomike, vetëm nëse do denonconin punëdhënësin e tyre. Madje, kryeministri Rama premtoi edhe një shpërblim për cilindo punëtor informal që do denonconte punëdhënësin.

Ata që punojnë në të zezë duhet të kenë kurajon që të denoncojnë. Ne po bëjmë gati edhe një shpërblim financiar për ata që do të thonë se unë kam punuar në të zezë në filan kompani  dhe sot nuk kam asnjë të ardhur sepse jo se nuk kam punuar por s’më ka regjistruar pronari. Brenda 24 orëve ne do të kemi këtë ofertë të re për të gjithë ata që kanë punuar në të zezë. Do t’u japim një shpërblim financiar dhe do të marrin përsipër që ne ta ndjekim deri në fund punën e tyre“, – u shpreh kryeministri Rama më 14 prill gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në Facebook

Por siç edhe rezultoi nga verifikimi i “Faktojes” premtimi për publikimin e një plani mbi dhënien e një shpërblimi punëtorëve informalë, bazuar mbi denoncimet, rezultoi i pambajtur.

Rreth 36 përqind e totalit të të punësuarve në Shqipëri, janë informalë sipas një raporti të Bankës Botërore.

Raporti i Bankës Botërore për punësimin informal në Shqipëri

Premtimin e kryeministrit Edi Rama për publikimin e një plani mbi përfshirjen në paketat e ndihmës ekonomike të punëtorëve “në të zezë” brenda javës së kaluar, referuar edhe afatit do e kategorizojmë si premtim të pambajtur.

Lexo edhe: https://bit.ly/2VZxv8E

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img