BallinaPertejZëvendësim i vazhdueshëm i pishave përgjatë Lungomares

Zëvendësim i vazhdueshëm i pishave përgjatë Lungomares

INVA HASANALIAJ

Tharja jo vetëm një herë e pishave përgjatë shëtitores “Lungomare” në qytetin e Vlorës për t’u zëvendësuar përsëri, sigurisht që nuk përbën lajm. Lajm përbën fakti se është hera e tretë që këto pemë zëvendësohen dhe së fundmi një gjë e tillë ndodhi pikërisht në muajin korrik.

Për herë të parë këto pemë u mbollën me projektin e Lungomares i cili u hap për publikun në 13 qershor 2016. Zëvendësimi i parë u bë vetëm një vit më vonë, në datën 30 janar 2017 dhe pemët u thanë si pasojë e kushteve të papërshtatshme atmosferike. E njëjta situatë u ripërsërit gjatë vitit aktual për të njëjtat shkaqe.

Kujtojmë dhe vlen të theksohet se këto pemë ndodhen shumë pranë detit e vazhdimisht ndodhen nën ndikimin e  faktorëve natyrorë, forcës së erës dhe ujit të kripur. Padyshim që këto faktorë nuk do të mund të shmangen ndaj edhe procesi i tharjes së pemëve do të jetë i vazhdueshëm.

Për ta kuptuar më mirë këtë fenomen, “Faktoje” vendosi të kontaktojë me një ekspert bimësh, konkretisht me një inxhiner pyjesh. Ishte pikërisht Inxhiner Ferdin Liçaj i cili na shpjegoi se çfarë ndodh nëse pemët mbillen gjatë periudhës së sipërpërmendur dhe nën ndikimin e të tillë faktorëve natyrorë.

Nëse një tokë është e ndikuar nga ujërat e kripur të detit, pishat nuk mbijnë atje“, kështu u shpreh inxhineri duke na sqaruar me detaje situatën dhe pasi i prezantuam problematikën.

Sipas tij nuk këshillohet mbjellja e drurëve në stinën e verës dhe sidomos gjatë muajit korrik por sidoqoftë,  mund të bëhen mbjellje në këtë muaj duke patur parasysh disa rregulla teknike. Pishat, si lloje, e kanë sezonin e mbjelljes gjatë muajit dhjetor. Mjedisi më i përshtatshëm, sipas Liçajt, për pishat bregdetare në përgjithësi është bregu i detit, veçanërisht relievët janë në formën e gjirit të detit, pra të mbrojtur nga erërat e vazhdueshme bregdetare. Ndërkohë është qartësisht e dukshme se pozicioni aktual i këtyre pemëve është tërësish i ekspozuar ndaj faktorëve të sipërpërmendur.

Kryetari i bashkisë së Vlorës Dritan Leli, ka inspektuar personalisht punën në këtë terren në datën 10 korrik 2018 dhe u shpreh se po bëhen përpjekjet maksimale për të patur një produkt definitiv që të përshtatet me territorin.

Po zëvendësohen të gjitha pemët që kanë qenë të dëmtuara nga dimri i sivjetshëm përgjatë Lungomares. Firmat (kompanitë kontraktore) kanë detyrimin që brenda kontratës që kanë me bashkinë e Vlorës, të vijnë dhe të ndërrojnë të gjitha pemët e dëmtuara sipas vendndodhjes që ato kanë”, tha Leli gjatë inspektimit.

Nga konsultimi që patëm me ekspertin ishte mjaft e qartë se zëvëndësimi i pishave nuk parashikohet të jetë definitiv dhe i përhershëm përsa kohë do të ekzistojnë sërish të njëjtat kushte, ndaj një situatë e tillë mund të përsëritet edhe në vijim. Një gjë e tillë sigurisht që do të ketë jo vetëm kosto mjedisore por edhe një kosto financiare, e cila edhe në mos qoftë ‘’mbi kurriz’’ të bashkisë, do të jetë detyrim i kompanive të ndryshme.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img