.

.

BallinaKomunitetet lokale kundër dezinformimitVlora në valën e dytë të pandemisë

Vlora në valën e dytë të pandemisë

ANILA PRIFTI

Në Vlorë, ku pandemia ka shkaktuar rreth 670 raste aktive me Covid-19, masat kufizuese apo protokollet që përditësohen me rregulla të reja nuk e kanë ulur ritmin e përhapjes. Shkollat mbeten “thembra e Akilit” edhe për këtë qytet, me mungesë të ujit, apo kushte të papërshtatshme për të zhvilluar mësimin në kohë pandemie. Edhe pse deklaratat zyrtare flasin për një mesatare prej 10 të prekurish në ditë, gazetarët lokalë raportojnë për mungesë të testeve dhe vonesa në përgjigjen e rezultatit të tyre.


Pak ditë para se studentët të njoftoheshin se viti i ri akademik do të niste online, në Vlorën me më shumë se 570 persona aktivë, jeta dukej se vazhdonte pa asnjë pengesë nga Covid -19.

“Duhet të ishin marrë masa më parë, se ka studentë që s’kanë mjete elektronike apo internet”- thotë Alba Bino, studente në infermieri.

Në vitin akademik 2020-2021 në Vlorë u regjistruan 820 studentë të rinj.

“Fillimisht u vendos që mësimi do të ishte i alternuar në Universitetin Ismail Qemali. Në auditore do të kishte vetëm klasa me më pak se 30 studentë. Por më urdhërin e ri, të gjitha leksionet bëhen online.”- konfirmon rektori Roland Zisi.

Rektori Roland Zisi

Virusi në qytet u erdhi nga një i ri që jeton në Gjermani.

“Ai kishte udhëtuar nga Gjermania në Itali tek daja, më pas nga Hani i Hotit erdhi në Vlorë. Qëndroi një javë dhe u largua. Dy ditë mbrapa morëm vesh për gjyshen e tij të infektuar dhe familjarë të tjerë”- tregon për pacientin zero epidemiologu Agron Bashillari.

Epidemiologu Agron Bashillari

Por këtu nuk ka panik dhe njerëzit besojnë ende se sëmundja, thjesht i ndodh dikujt tjetër, sidomos adoleshentët.

Në bare të cilat funksionojnë deri në orën 22.00 apo dhe në mjedise të tjera, nuk mbahet distancë fizike, kurse termometri dixhital tregon numër të ndryshëm sa herë roja e një institucioni të mat temperaturën.

“Në shkollën ’15 tetori’ kisha temperaturën 36, në Prefekturë 34, në Bashki me nxorën jashtë sepse temperatura ishte 37.2. Mora një termometër në farmaci dhe ai regjistroi 36.3 C”- tregon Ania P, një vëzhguese për situatën e pandemisë në qytetin bregdetar.

“Duke marrë parasysh bllokimin e parë në muajin mars, nëse vlonjatëve do t’u kërkohet të qëndrojnë në shtëpi dhe të dalin vetëm për arsye madhore, do të jetë e vështirë.”- thotë një zyrtar i Prefekturës, ditën që godinës iu vu shiriti i bllokimit, pas disa rasteve që rezultuan pozitivë në radhët e punonjësve.

Lokalet e natës, restorantet, palestrat në Vlorë funksionuan normalisht deri në datë 11 nëntor, kur hynë në fuqi kufizimet, por ndryshe nga vala e parë, infektime më tepër ka në shkolla dhe në kopshte.

Më 2 nëntor, ISHSH mbylli dy kopshte, një në Orikum dhe një tjetër në qytet. Të premten e 13 nëntorit një tjetër kopshti iu vu kyçi.

“Dy edukatore rezultuan pozitive pas testit, do presim rezultatet e tamponëve për një vendim të ri” -shpjegon Lorenc Rexho, drejtues i ISHSH në Vlorë.

Lorenc Rexho, drejtues i ISHSH në Vlorë

“Unë mund të kem informacion për numrin e vdekjeve nga Covid, por i referohem gjithsesi informacionit zyrtar që jep Ministria e Shëndetësisë”- thotë epidemiologu Agron Bashillari.

Zyrtarisht deri në fund të tetorit, në Vlorë ishin regjistruar 8 viktima, që prej shfaqjes së pandemisë. Më 18 nëntor rezultojnë 671 aktivë dhe 10 të vdekur nga koronavirusi.

“Ka 10 persona të infektuar në ditë me Covid-19, ndërsa numri mendohet të jetë më i lartë. Rezultatet vonojnë mesatarisht 3-5 ditë, tamponit i nënshtrohen vetëm personat që kanë disa simptoma të ngjashme me Covid për disa ditë më radhë, çka i bën shkollat vendet më të rrezikuara! Ndërsa jo zyrtarisht mësohet se mungesa e tamponëve, prej disa ditësh ka prekur edhe Vlorën” – tregon gazetarja Jerola Zijai, e cila çdo ditë ndjek nga afër dhe raporton mbi situatën e pandemisë.

“Normalisht ka një protokoll standard që ndjekin dhe të sëmurët me Covid.  90% e rasteve ndiqen nga mjeku i familjes. Për sa i përket tamponit brenda 24 orëve ose 28 orëve vjen përgjigjja, por për shkak të kërkesave të larta për testim, vonohen pak.”-thotë drejtori i OSHKSH, Kujtim Llapi.

Nga Bashkia e Vlorës jepen të dhëna të cunguara e jo të qarta. Ne u interesuam mbi situatën dhe masat anti-covid në shkolla, duke pyetur kryebashkiakun e Vlorës Leli, i cili na informoi se deri në mesin e muajit tetor kishte këtë informcion:

“Ka 4 mësues pozitivë tek “Rilindja”, një mësuese e karantinuar. Shkolla “Ismail Qemali”: 1 mësues pozitiv, 2 të karantinuar.

Në kopshtin 2: Edukatorja dhe 2 sanitare pozitive, kopshti u mbyll. Në kopshtin 11 është 1 mësuese e karantinuar”.

Sipas të dhënave nga Zyra e Arsimit në Vlorë, 16 mijë nxënës të sistemit parauniversitar, vijojnë mësimin në 57 shkollat publike dhe 11 private, të gjitha të hapura.

“Mësuesit me Covid janë zëvëndësuar me mësues provizorë nga portali ‘Mësues për Shqipërinë’, por pavarësisht kësaj çdo ditë nxënësit u drejtohen shkollave me letra në duar, nënshkruar nga prindërit ku thuhet se mbajnë përgjegjësi për deklarimet e tyre, teksa vijëzojnë kutitë treguese se nuk janë të prekur me Covid apo nuk kanë takuar një person të infektuar ditët e fundit. Në të vërtetë ky është një dokument të cilin duhet ta lëshojë vetëm ISHP-ja” – thotë gazetarja Zijaj.

Formulari i vetëdeklarimit

Në qytet, shkollat janë kryesisht ndërtime të reja apo të restauruara, megjithatë si në qytet edhe në fshatra, ka ndërtesa ku nuk arrihet të sigurohet uji i rrjedhshëm dhe mungon higjiena dhe kushtet, siç pranojnë nën zë edhe përfaqësues të pushtetit vendor.

“Janë disa shkolla me probleme, të dëmtuara dhe nuk kanë kushte higjienike. Ato nuk duhej të hapeshin që në fillim të vitit” – konfirmon një zyrtar i Bashkisë së Vlorës që kërkon të mbetet i paidentifikuar.

“Disa godina në Vlorë ia kemi referuar bashkisë, por nuk janë mbyllur.

Shkollat “15 tetori”, “Jani Minga”, “Avni Rustemi”, shkolla e mesme në Orikum dhe shkolla “Marigo Kopo” kanë probleme serioze me higjenën.

Tek “15 tetori”, shkolla e mesme në Orikum dhe tek “Avni Rustemi” duhet të ndërhyhet urgjent. Në to mungon uji, tarracat nuk janë të izoluara, tualetet jashtë funksionit, rrethimet kanë probleme.”-sipas ISHSH.

Shkolla “15 tetori”

Tek “Jani Minga” tualetet e katit të dytë janë pa dyer, s’ka izolim, s’ka ujë.” – thotë  Lorenc Rexho, drejtues i ISHSH në Vlorë

“Faktoje” bëri një vëzhgim tek shkolla “15 Tetori” në lagjen Çole, ku edhe nga raportimi i ISHSH ka probleme serioze.

Nxënës në shkollën 15 “tetori”

Disa nxënës i gjetëm pranë hyrjes. Arbri është në mëdyshje nëse duhet të tregojë se si janë kushtet brenda në shkollë, ndërsa ankohet se ruajtja e detyruar e distancës e pengon të luajë me shokët pa e vrarë mendjen. Prindërit i kujtojnë në çdo moment se nuk duhet t’i afrohet askujt, ndryshe do të sëmuret.

Arbri, nxënës në shkollën “15 tetori”

Në këtë shkollë gazetarët nuk janë të mirëpritur. Të gjithë rrotull njoftohen se drejtoresha ka dhënë urdhër: “Askush të mos flasë me gazetarët!”

“Tualetet në katin e parë, kur vjen dikush nga jashtë shkollës i mbyllin me çelës, dhe tregojnë vetëm tualetet e katit të dytë”- pohon për “Faktoje”, një nxënëse e klasës së 6-të.

Disa klasa nuk përdoren për shkak të dëmeve në tavan. Kjo shkollë rezulton në “listën e zezë”, pasi nuk ka kushte higjenike dhe nuk respektohen masat anti-covid.

“Në këtë godinë duhet të ndërhyhet urgjentisht”- thotë drejtuesi i ISHSH Rexho. Por shqetësim parësor në Vlorë është furnizimi i godinave arsimore me dezinfektantë.

Në shkollën “15 tetori” mësuam se kishte ditë që Bashkia nuk kishte dërguar sasinë e dezinfektuesve për higjienizimin e mjediseve. Në katin e dytë, në njërin nga tualetet ishte vendosur vetëm një bidon me klor.

Tualeti në shkollen “15 tetori”

“Shkolla kërkon të pastrohet dhe të higjienizohet çdo ditë, dhe nuk pret për burokracitë e pushtetit lokal. Unë njoh drejtorë, prindër që kujdesen të blejnë vetë mjete që nevojiten për higjenën. Ka shkolla që nuk janë furnizuar për një javë rresht”- na thotë një zyrtare e ISHSH.

Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor

Në Bashki e pranojnë se ka vonesa në furnizimin me dezinfektantë, për shkak të lëvizjes së fondeve, por garantojnë se për çdo kërkesë të paraqitur për materiale  higjienizuese, furnizimi është kryer.

Në muajin e 9 të pandemisë Vlora nuk është zonë e kuqe, por numri i të prekurve shtohet me shpejtësi dhe autoritetet shëndetësore u kërkojnë banorëve të shmangin brenda mundësive transportin publik, të mos vizitojnë familje të tjera dhe të ndjekin udhëzimet për distancimin social dhe larjen e duarve

“Situata ka ndryshuar. Ka një rritje të numrit të të prekurve me Covid-19. Por deri tani, sa i përket pjesës së zonës që mbulon operatori i shërbimeve shëndetësore të Vlorës nuk kemi një përmasë për t’u alarmuar. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se jemi të kënaqur” – tha drejtori i OSHKSH, Kujtim Llapi.

“Pavionet e infektivit në Fier, Gjirokastër dhe Vlorë janë gati. Stafi nuk na mungon. Kemi edhe mjekë pneumologë, infeksionistë dhe infermierë. Mendohet se nëse do të ketë një shtrëngesë të madhe, spitali i Fierit mund të kthehet pjesërisht në pavion Covid”- konfirmon për “Faktoje” kreu i OSHKSH.

Për studiuesit, pandemia e Covid-19 është një histori e përsëritur në qytetin e bukur të Jugut.

“Në 1363-in të gjithë nënshtetasit venedikas që jetonin apo ndodheshin në Vlorë, vdiqën nga murtaja”- shkruan historiani Ardian Muhaj. Ndërsa sipas historianit Pëllumb Xhufi, Vlora është goditur shpesh nga epidemitë, kryesisht në Mesjetë.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img