BallinaTë pambajtura"Çelësat në dorë" për 250 shtëpitë brenda tetorit, premtimi i shkelur i ministrit Ahmetaj

“Çelësat në dorë” për 250 shtëpitë brenda tetorit, premtimi i shkelur i ministrit Ahmetaj

Kanë mbetur më pak se dy javë nga një vjetori i tërmetit tragjik të 26 nëntorit që dëmtoi mijëra shtëpi dhe la të pastreha shumë familje. Gjatë kësaj kohe “Faktoje” ka vërtetuar përmes verifikimeve se qeveria ka shkelur shumë afate për procesin e rindërtimit. Në korrik të këtij viti, ministri i Rindërtimit, Ahmetaj tha se brenda tetorit do të jepen çelësat në dorë të 250 shtëpive individuale në zonat që u goditën nga fatkeqësia natyrore. Nga verifikimi rezulton se ende nuk është realizuar as 1/5 e banesave të premtuara dhe në zonat më të goditura shifrat janë zhgënjyese.


11 korrik, gjatë një takimi ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Rama, ministri Ahmetaj u zotua:

“Javën e kaluar të dyja njësitë zbatuese kanë përmbyllur fazën e dytë të një loti të madh shtëpish individuale. Bëhet fjalë për rreth 250 shtëpi individuale të cilat do të dorëzohen në muajin tetor dhe pastaj një herë në dy javë do të vazhdojmë me lotet e mëdha. E njëjta gjë me FSHZH, për të gjitha bashkitë e tjera, duke përfshirë Bashkinë e Durrësit, dhe numri është 2400. Kemi filluar me një lot të rëndësishëm, rreth 680 shtëpi në Bashkinë e Shijakut si një nga zonat më të dëmtuara” – u shpreh ministri Ahmetaj.

Gjatë gjithë muajit tetor, kryeministri Rama, përmes rrjetit social Facebook ka postuar të paktën 4 video ku ai vetë, ministri Ahmetaj dhe kryebashkiaku Veliaj u dorëzojnë familjeve çelësat e banesave të reja individuale.

9 tetor zoti Rama i hapi derën në mënyrë ceremoniale, një shtëpie të re në Baldushk, territor ku njësi zbatimi është Bashkia Tiranë.

Kryeministri Rama duke hapur dyert e shtëpisë individuale në Baldushk, 9 tetor 2020

16 tetor, në Kashar, dyert e shtëpisë së re u hapën nga kryebashkiaku Erion Veliaj.

Kryebashkiaku Veliaj duke hapur dyert e shtëpisë individuale në Kasahr, 16 tetor 2020

Në Farkë, më 22 tetor, gjithmonë në prani të kryebashkiakut Veliaj, kryeministri Rama dorëzoi 4 banesa individuale për një familje të përbërë nga 4 kurora. Këtë herë, familja e dëmtuar nga tërmeti i hapi vetë dyert e njërës prej shtëpive të reja.

Shtëpia e re individuale në Farkë, 22 tetor 2020

26 tetor, Facebook-u i kryeministrit Rama u ‘zhvendos’ në Maminas, pjesë e Bashkisë Shijak, zonë që sipas ministrit Ahmetaj, ishte cilësuar si ndër më të dëmtuarat. Ministri Ahmetaj u kujdes personalisht që t’i dorëzonte çelësat në dorë të zonjës së shtëpisë.

Ministri Ahmetaj dorëzon çelësat e shtëpisë individuale në Maminas, 26 tetor 2020

3 nëntor, kryeministri Rama dhe ministri Ahmetaj zhvilluan një takim me ekonominë në fokus, duke u përqëndruar veçanërisht tek rindërtimi. Duke u ndalur tek çështja e banesave individuale, ministri Ahmetaj tha se përsa i përket 2500 banesave që do të realizohen nga FSHZH, ndërtimi ka filluar vetëm në paketat A dhe B.

Të gjitha paketat që do të realizohen nga FSHZH, 3 nëntor 2020

Paketat A dhe B, të vetmet për të cilat ka nisur ndërtimi 

Në zonat e dëmtuara jashtë territorit të Bashkisë Tiranë, ku njësi zbatuese është FSHZH, sipas raportimit të datës 3 nëntor, ka nisur ndërtimi për 567 shtëpi individuale në Shijak, 11 në Kavajë, 215 në Manzë dhe 17 në Durrës. Gjatë këtij takimi, nuk u publikua sesa shtëpi individuale janë dorëzuar.

E kundërta ndodh për zonat e dëmtuara brenda territorit të Bashkisë Tiranë, ku gjatë prezantimit, ministri Ahmetaj raportoi se ka filluar ndërtimi për 357 banesa, ndërsa u janë dorëzuar çelësat në dorë 38 familjeve.

Më 3 nëntor, përfaqësuesi i Partisë Demokratike, zoti Dorian Teliti, përmes një postimi në Facebook deklaroi se deri tani janë ndërtuar vetëm 48 shtëpi individuale nga 3,389 të dëmtuara.

Më 22 tetor, Fondi Shqiptar i Zhvillimit na ka bërë me dije se deri në fund të muajit tetor, parashikonte që të përfundonte në zonën e Shijakut 10-15 shtëpi individuale. Por nga verifikimi i “Faktoje”, deri në javën e dytë të nëntorit, ishin përfunduar vetëm 2 shtëpi individuale në atë bashki, ku konfirmohet se 567 banesa individuale janë në proces rindërtimi.

 

Përgjigja e Fondit Shqiptar të Zhvillimit

Deri në fund të muajit dhjetor, FSHZH thotë se parashikon që të përfundojë 300 banesa individuale. Por ecuria e deritanishme kur në dy javët e para të nëntorit, ka vetëm 2 shtëpi të përfunduara, nuk lë vend për optimizëm.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img