FJORI SINORUKA
Në Tiranë, vetëm për vitin 2018 janë dhënë leje ndërtimi për një sipërfaqe mbi 1.4 milionë metra katrorë. Gjatë verifikimit të një deklarate të kryebashkiakut Erion Veliaj, “Faktoje” gjeti se ky ‘bum’ lejesh ndërtimi vetëm në një vit, nuk përfshin punët publike, por vetëm pallate dhe hotele, sipas INSTAT.
………………………………………………………………………………………………………………………
I ftuar në emisionin “Top Show” në Top Channel më 10 prill të 2019-s, Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, kur u pyet për lejet e ndërtimit në Tiranë tha:
“Lulzim Basha në vitin 2014 ka dhënë 650.000 metër katrorë ndërtim. Në vitin 2014 që ka qenë viti i tij i fundit.
Po marrim vitin tim të fundit të plotë, 2018”-tha Veliaj,-“500.000 metra katrorë, kam dhënë më pak se Lulzim Basha”.
Veliaj vazhdoi të ndërtojë argumentin e tij gjatë intervistës duke theksuar se gjysma e sipërfaqes së vënë në dispozicion për këtë veprimtari është për punë publike.
“Tani pse kritikët e mi bëjnë sikur e ngatërrojnë këtë gjë? Ngatërrojnë disa gjëra, së pari gjysma e lejeve të ndërtimit janë punë publike. Po t’i citoj me rradhë, sepse edhe për punët publike jepen leje ndërtimi”, shtoi ai duke cituar: Pazarin e Ri, Bulevardi i Ri, Stadiumi Kombëtar dhe Sheshi Skënderbej.
Nisur nga deklarata e kryebashkiakut Veliaj, “Faktoje” vendosi të verifikojë të dhënat e tij me ato të INSTAT.
Sipas INSTAT, në vitin 2014 (kur bashkia drejtohej nga Lulzim Basha) është dhënë 292,068 metër katrorë sipërfaqe për leje ndërtimi, shifër mbi 2.2 herë më e ulët sesa ajo që deklaron Veliaj.
Për vitin 2018, referuar, sërish të dhënave të INSTAT, është dhënë 1.442.783 metër katrorë dhe jo 500 000 metra katror sa deklaroi Veliaj në Top Show. Sipërfaqja reale është thuajse 3 –fish më e lartë se ajo që deklaron Veliaj.
“Faktoje” kërkoi mes të dhënave të INSTAT sesa është sipërfaqja e dhënë për punë publike specifikisht për vitet 2014 dhe 2018, por nuk gjeti. Pasi komunikuam me INSTAT na u sqarua se ky institucion pasqyron vetëm hapësirat për ndërtesa dhe hotele. Rrjedhimisht sipërfaqja prej 1.442.783 është përdorur tërësisht për ndërtime të tjera, pa përfshirë punë publike.
Po lejet për punët publike?
Edhe pse rezulton e pavërtetë që gjysma e lejeve të ndërtimit në 2018 janë për punë publike “Faktoje” u interesua për kohën kur janë dhënë këto leje dhe nga cili institucion.
Në përgjigjen e kërkesës për informacion që “Faktoje” i dërgoi Bashkisë Tiranë, morëm konfirmimin se lejet e ndërtimit për sheshin “Skënderbej” dhe “Pazarin e Ri” janë dhënë nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit. Nga të dhënat e Agjencisë konfirmohet se lejet janë dhënë në vitin 2016 për sheshin “Skënderbej” (link) dhe për “Pazarin e Ri” në vitin 2015 (dhe është bërë një shtesë për këtë objekt në vitin 2016) dhe jo në 2018 siç deklaron Veliaj.
Për Bulevardin e Ri, leja e ndërtimit është dhënë nga Bashkia e Tiranës në vitin 2013 me afat kohor deri në 2015-n, kurse leja e ndërtimit për “Kompleksin e Ri të Stadiumit Kombëtar”, është dhënë po nga bashkia në 2016-n me një afat kohor deri në vitin 2020, sipas dokumentacionit që “Faktoje” disponon.
4 deklaratat e Veliajt që rezultuan të pavërteta
- “Lulzim Basha ka dhënë 650 mijë metra katrorë leje për ndërtim në 2014
- “Unë kam dhënë 500 mijë metra katrorë leje ndërtimi në 2018
- “Gjysma e sipërfaqes së dhënë për ndërtim në 2018 janë punë publike
- “Punët publike, Pazari i Ri, Bulevardi i Ri