BallinaPremtime8 premtimet madhore për Vlorën që “i mori era”

8 premtimet madhore për Vlorën që “i mori era”

ANXHELA RUÇI & JOEL ÇELA

Çfarë do ishte përmirësuar në Vlorë, qarku që mban peshën më të madhe të turizmit në vend, nëse zyrtarët do mbanin premtimet e dhëna? “Faktoje” sjell një përmbledhje të 8 premtimeve të artikuluara nga kryeministri Rama, ish-ministri Gjiknuri dhe ish-kreu i Fondit të Zhvillimit. Aeroporti i Vlorës, stadiumi “Flamurtari” dhe disa rrugë, jetike për turizmin, janë vetëm disa prej punëve publike që duhej të ishin përfunduar, por në realitet ende nuk kanë nisur.

……………………………………………………………………………………………………………………………….

Në “Buxhetin e Infrastrukturës 2019” të prezantuar më 10 nëntor të vitit 2018 në Vlorë, anëtarë të qeverisë dhe drejtues institucionesh bënë një sërë premtimesh për sektorin e infrastrukturës.

Në podiumin e eventit madhështor u ngjitën për të folur shumë figura politike si kryeministri Edi Rama,(ish) ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri, (ish) drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit Benet Beci, të cilët dhanë premtimet dhe prezantuan projekt-ide për investimet që do të bëheshin në vitin 2019.

Kur ka përfunduar viti kalendarik dhe jemi në mes të muajit shkurt, “Faktoje” vendosi të verifikojë në terren premtimet e artikuluara.

1. Premtim Edi Rama: “Po punojmë për të filluar ndërtimin e stadiumit të ri të Flamurtarit, dhe jo vetëm stadium, por do përfshihet edhe ky pallat sporti, edhe një kompleks sportiv.”

Pallati i vjetër i sportit

Fakt: Bashkia Vlorë në përgjigjen zyrtare thotë se nuk kanë filluar punimet as për stadiumin e Flamurtarit, as për kompleksin sportiv, fakt që e konstatuam edhe nga verifikimi në terren.

Stadiumi i vjetër i Vlorës

2. Premtim Edi Rama: “Në të gjitha rastet, vitin e ardhshëm do të fillojnë punimet për aeroportin e Vlorës. Brenda këtij mandati, do ta bëjmë Vlorën me aeroport, pa diskutim.”

Fakt: Vlora është pa aeroport. Në vitin 2020 aeroporti ndërkombëtar i Vlorës është ende në fazën e konkurrimit midis kompanive për realizimin e investimit të kësaj vepre.

3. Premtim Damian Gjiknuri: “Projekti i elektrifikimit të Orikumit deri në Llogara, do të ketë një rrjet 20 kwh të energjisë elektrike. Është parashikuar në këtë buxhet.”

Edi Rama: “Paralelisht me procesin historik të përfundimit të elektrifikimit të Orikumit, do të punojmë për të gjithë pjesën e vijës bregdetare të Orikumit.”

Fakt: Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, i është përgjigjur pyetjes së “Faktoje” për elektrifikimin me një link të Wikipedia, i cili ka vetëm këtë informacion: “Në vitin 1967 ishin elektrifikuar rreth 29% e fshatrave kurse në 25 tetor, 1975 përfundoi elektrifikimi i plotë i 2,547 fshatrave.”

4. Premtim Edi Rama: “Për mua është shumë e rëndësishme që të fillojmë rrugën Orikum-Llogara dhe Ministri (Gjiknuri) duhet të mbajë zotimin e tunelit. Është koha që tunelin ta bëjmë realitet.
Do të nisim shumë shpejt vazhdimin e Lungomares deri tek tuneli i ujit të ftohtë dhe rindërtimin e të gjithë aksit nga uji i ftohtë në Radhimë, deri në Orikum. Do bëhet bashkimi me rrugën e re Orikum-Llogara dhe pastaj tuneli për të shkuar në anën tjetër.”

Rruga e Orikumit

Fakt: Përveç “arnimeve” në rrugën Orikum-Llogara dhe nga Uji i Ftohtë deri në Radhimë, nuk ka nisur puna për rindërtimin për këto akse. Gjithashtu nuk ka nisur puna as për tunelin e Llogarasë.

Rruga e Llogarasë

5. Premtim Damian Gjiknuri: “Në Vlorë po bëjmë impiantin e parë të energjisë solare në Akërni (70 mln euro investim).”

Edi Rama: “Impianti i parë i energjisë diellore në Shqipëri, 100 mwh, 70 mln euro investim që do të nisë me fillimin e vitit të ardhshëm, sapo të lidhet kontrata në fund të këtij viti në zonën e Akërnisë.”

Fusha e Akërnisë ku duhet të ndërtohej impianti i energjisë diellore

Fakt: Ministria e Energjisë lajmëroi se është zhvilluar procesi i konkurrimit, është nënshkruar marrëveshja e zhvillimit të projektit, por nuk ka filluar puna në terren, në zonën e Akërnisë për prodhimin e energjisë diellore.

6. Premtim Damian Gjiknuri: “Bypass i Fierit dhe i Vlorës të përfundojë dhe të jetë i kalueshëm vitin tjetër.”

Fakt: By-passi i Fierit u hap pjesërisht në muajin qershor, dy ditë përpara zgjedhjeve vendore të 30 qershorit, për t’u mbyllur sërish në muajin janar 2020. Ndërsa në By-passin e Vlorës kontraktori ende po punon dhe ky aks nuk është i aksesueshëm. Sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për shkak të tipologjisë së rrugës, ky aks nuk mund të jetë i kalueshëm deri në përfundimin e investimeve të cilat janë parashikuar të përfundojnë në shkurt 2021.

7. Premtim Benet Beci: “Do të ndërhyjmë në shëtitoren e Sarandës.”

Fakt: Kantieri i punimeve për ndërtimin e shëtitores së Sarandës është në fazë mobilizimi/përgatitje nga Kontraktori. Sipas Fondit Shqiptar të Zhvillimit punimet do të fillojnë brenda muajit shkurt 2020.

8. Premtim Benet Beci: “Do ndërhyjmë në pikat turistike Porto Palermo, Syri i Kaltër, Zvërnec, Parkun Arkeologjik të Orikumit.”

Fakt: Pavarësisht premtimit për ndërhyrjen në këto pika turistike, Fondi Shqiptar i Zhvillimit tha për “Faktoje” se së bashku me Bankën Botërore është rënë dakord që projektet për Porto Palermon, Syrin e Kaltër dhe Parkun Arkeologjik të Orikumit të mos jenë pjesë e investimeve, kjo për shkak të “kompleksitetit të punimeve”.

FSHZH shtoi gjithashtu se ndërhyrja në Zvërnec është në fazë projektimi dhe brenda vitit 2020 pritet të fillojnë punimet për zbatim.

Lexo edhe: https://faktoje.al/pas-1-viti-cfare-ndodh-me-5-rruget-e-premtuara-nga-fshzh/

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img