Pretendimi: Temperaturat e larta në Kinë deformuan metalin e makinave
Verdikti: Mungon konteksti
Temperaturat ekstreme të kësaj vere kanë nxitur postime të fenomeneve natyrore dhe pasojave të tjera të nxehtësisë. Një prej këtyre postimeve të bëra virale është dhe një video e disa makinave në Kinë që kanë pësuar deformime.
Ky kuriozitet është ndarë në 20 gusht në profilin në Instagram të Shqiptarja.com, duke e shoqëruar me tekstin: “Në rajonet e Kinës, ku temperaturat i kanë kaluar 40 gradë Celsius, kofano që mbulon automjetet është zgjeruar për shkak të nxehtësisë, duke krijuar flluska që krijojnë këtë pamje të veçantë.”
Nga verifikimet e mëtejshme rezulton se pamjet janë të vërteta, por shpjegimi për këto deformime të makinave që shumëkush i ka quajtur “makinat balena” është i pasaktë.
Një version i hershëm i videos është postuar në Twitter nga gazetarja Jennifer Zeng më 6 gusht, për t’u ripostuar më tej nga shumë përdorues të tjerë dhe marrë miliona shikime.
Audio në gjuhën kineze që shoqëron pamjet e makinave shpjegon se pamjet janë regjistruar në provincën Hubei më 5 qershor. Komentuesi shpjegon më tej se bëhet fjalë për një fryrje të veshjeve me vinyl (ngjitëse adezivi) që përdoret shpesh në Kinë për të krijuar efekte të ngjyrave të makinave apo edhe për të mbuluar njollat e riparimeve. Është më e lirë dhe e shpejtë që të vishet makina me këto shtresa adezivi sesa të lyhet nga fillimi e gjithë pjesa e dëmtuar e makinës.
Duke verifikuar të dhënat e publikuara të temperaturave në fillimin e muajin qershor në rajonin e Hubeit, rezulton se maksimumi i këtyre ditëve të para të verës ka arritur në 34 gradë Celsius. Një temperaturë jo kaq ekstreme për të deformuar metalin e makinave.
Por kjo zgjidhje e shpejtë ka sigurisht edhe rreziqet e veta. Çdo ekspert për ngjitjen e vinylit duhet të heqë të gjitha flluskat e ajrit në brendësi të shtresës për të evituar krijimin e xhepave të ajrit.
Nxehtësia mund të shkaktojë zgjerimin e ajrit brenda flluskave të vogla. Nga llogaritjet e thjeshta, një flluskë e mbushur me ajër nga nxehtësia mund të rritet vetëm në mënyrë minimale – rreth 7% për çdo 10 gradë Celsius ndryshim në temperature. E mjaftueshme kjo për të krijuar flluska të mëdha.
Përkundër pretendimeve për valë të nxehtësisë që i japin makinat një pamje të deformuar, analiza e detajuar e treguesve dhe kushteve të motit sugjeron se ky është një keqkuptim.