Pretendimi: Seriali The Simpson parashikoi edhe zjarret në Los Angeles

Verdikti: Mungon konteksti

Seriali vizatimor The Simpsons dhe parashikimet e tij kanë ndezur klikimet në rrjet gjatë zjarreve shkatërrimtare në Los Angeles. Disa portale shqiptare (këtu, këtu, këtu, këtu) publikuan në 11 janar lajmin për një video virale në rrjetet sociale nga episode e serialit ku shfaqen skena zjarrfikësish nën pretendimin se përmbanin provën për një tjetër parashikim të saktë të para 20 viteve.

Videoja që ka frymëzuar këto lajme përfshin disa klipe nga episode të ndryshme të serisë, ku mund të shihet Springfield, qyteti fiktiv i vendosur në universin e The Simpsons, në flakë.  

Në videon që ka shkaktuar kaq shumë reagime, pretendohet se The Simpsons “parashikuan” zjarrin në Los Angeles. Duke verifikuar më tej skenat e paraqitura, konfirmohet se ngjarjet në film nuk kanë ngjashmëri të drejtëpërdrejtë me zjarret që kanë përfshirë Kaliforninë.

Më konkretisht:

Sezoni 18, Episodi 12: Në këtë episod, Springfield përfshihet nga një zjarr që shpërthen nga një fermë dhe përhapet në të gjithë qytetin. Zjarrin e ndalon përfundimisht Bart, por kjo ngjarje është shumë e ndryshme nga zjarret e Kalifornisë, të cilat kanë shumë më tepër shkak dhe shkatërrim.

Sezoni 10, Episodi 18 – Kjo skenë përfshin një zjarr në Springfield, por ajo është shkaktuar nga një ngjarje apokaliptike, ku qyteti shkatërrohet nga kalorësit e apokalipsit që njoftojnë Ditën e Gjykimit.

Sezoni 11, Episodi 1: Ky episod përfshin një ngjarje të ndotjes së ajrit, e cila është një kritikë ndaj ndotjes mjedisore. Nuk ka asnjë lidhje me zjarret dhe nuk ka asnjë parashikim të ngjarjeve të kalifornisë.

Sezoni 13, Episodi 1: Në këtë episod, shkruhet “Springfield” dhe ai shkatërrohet nga një zjarr pas një ndërprerje të energjisë. Ky episod është gjithashtu një satirë dhe nuk ka të bëjë me ngjarjet e fundit në Los Angeles.

Këto detaje janë verifikuar edhe nga kolegët tanë italianë të facta.it.

Sipas Antonia Coffman, një nga drejtuesit ekzekutivë të The Simpsons, informacioni i shpërndarë në rrjetet sociale është thjesht një përpjekje për të tërhequr klikime dhe nuk ka asnjë vërtetësi në pretendimet e tij. Ajo theksoi se kjo lloj dezinformate është një formë tërheqje klikimesh, që synon të tërheqë përdoruesit pa asnjë bazë të vërtetë.

The Simpsons është një nga serialet më të njohura dhe më të gjatë të animuar në historinë e televizionit. Ky program ka debutuar në vitin 1989 dhe ka shpërthyer në një fenomen global. Pavarësisht nga karakteret dhe ngjarjet e ekzagjeruara, shumë episode të The Simpsons përballen me tema reale dhe përdorin parodi dhe humor të mprehtë për të reflektuar mbi çështje sociale, politike dhe mjedisore.

Për shumë vite, shumë episode të The Simpsons janë interpretuar si “parashikime” të ngjarjeve të ardhshme, duke bërë që fansat dhe analistët të kërkojnë ngjashmëri mes elementeve të ndryshme të serisë dhe realitetit. Kjo ka shkaktuar një fenomen disinformimi, ku shumë “parashikime” të serisë janë interpretuar si prova të aftësisë së saj për të parashikuar të ardhmen.