KLEVIS PALOKA
Një godinë e re që do të shërbejë si spitali i ri kirurgjikal në QSUT, u premtua se do vihej në funksion mes muajit maj e qershor të këtij viti, sipas ministres së Shëndetësisë. Por kur ka nisur muaji korrik, në godinën me kapacitet 120 shtretër dhe 7 salla operacioni, vijojnë ende punimet.
———————————————————————————–
“Është një investim i qeverisë shqiptare nëpërmjet kredisë së Bankës së këshillit të Europës i cili përfundon në maj-qershor këtë vit“, kështu deklaronte ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu gjatë një inspektimi në punimet që po bëhen për ndërtimin spitalit të kirurgjisë pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Gjatë këtij inspektimi të kryer në prill të 2018-s, ministrja Manastirliu shoqërohej edhe nga kryeministri Edi Rama.
Spitali i ri, me kapacitet 120 shtretër është mjaft i rëndësishëm për qytetarët, pasi do ulte radhët e pritjes për marrjen e shërbimit në Qendrën Spitalore Universitare “ Nënë Tereza”, ndaj “Faktoje” vendosi të monitorojë këtë premtim të ministres Manastirliu.
Punimet për spitalin e ri të kirurgjisë, nisën në maj të 2018-s dhe priteshin të përfundonin brenda qershorit të 2019-s.
Nga verifikimi që “Faktoje” bëri në terren, në 2 korrik rezulton se godina e re ende nuk është vënë në funksion, pasi punimet vazhdojnë. Ndaj qytetarët do të duhet të presin edhe disa kohë për të marrë shërbimet në këtë godinë.
Foto: Klevis Paloka
Ky investim së bashku me ndërtimin e spitalit të ri të sëmundjeve e të brendshme do t’i kushtojnë qeverisë rreth 23 milion euro, kredi e qeverisë Shqiptare nga Banka e Këshillit të Evropës (CEB) .
Nisur nga fakti se punimet ende nuk kanë përfunduar, ndërsa afati ishte muaji qershor, “Faktoje” e kategorizon premtimin e ministres Manastirliu si të Pambajtur.