BallinaPertejNisma që “dekurajon” shishën mbërrin në Kuvend

Nisma që “dekurajon” shishën mbërrin në Kuvend

MERXHAN DACI

Nisma për ashpërsimin e masave kundër duhanpirjes ku përfshihet edhe shisha mbërriti në tavolinën e Komisionit të Shëndetësisë. “Faktoje” denoncoi në maj të këtij viti përdorimin masiv dhe pa asnjë kufizim të shishës në baret e Tiranës.

————————————————————————————————————————————————————-

Një muaj nga shpallja e nismës për ashpërsimin e Ligjit aktual të Duhanit, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu prezantoi në Komisionin e Shëndetësisë në Kuvend draftin me masat e reja.

Propozimet e para për ndryshimin e ligjit “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit” erdhën si regim i minsitrisë pak javë pas investigimit të “Faktoje” që dëshmoi me fakte përmasat shqetësuese të përphapjes së fenomenit, sidomos tek të miturit dhe të rinjtë.

Produktet inovatore të duhanit, si cigarja elektronike, duhani me ngrohje dhe shisha/nargjile, kanë pushtuar tregun shqiptar dhe janë tërësisht të parregulluara me ligj. Ndaj Ministria e Shëndetësisë propozoi të përfshijë në kuadër rregullator çdo produkt ose nënprodukt duhani që është i dëmshëm për shëndetin.

Manastirliu kërkon ndalimin e shitjes së produkteve të duhanit me shije karakteristike (mente, vanilje etj, ndër më të kërkuarit në treg sipas raportit të ministres) si dhe shitja e paketave të duhanit me numër të reduktuar cigaresh, si masa për të dekujaruar duhanpirjen.

Ashpërsim i masave ndëshkuese, kërkohet edhe në rast të moszbatimit të ligjit për mbrojtjen e konsumatorit nga produktet e duhanit, apo në rastet kur përsëritet shkelja e tij.

Nëse një subjekt shkel 2 herë rresht brenda dy muajve nenin që ndalon pirjen e duhanit në ambiente të brendshme, gjoba do të jetë sa dyfishi i gjobës së parë. Nëse e përsërit të njëjtën shkelje brenda një afati 1 vjeçar gjobitet me 6-fishin e gjobës, duke shkuar deri në mbyllje të aktivitetit dhe heqje të licencës për subjektet“, tha Ministrja e Shëndetësisë gjatë prezantimit të ndryshimeve në Komisionin e Shëndetësisë në Kuvend.

Ndalimi i konsumimit të cigares elektronike apo produkteve të duhanit “high tech” në ambientet e brendshme, në ligjin e ri shoqërohet edhe me kufizime në përqëndrimin e nikotinës dhe sasinë e lëngut me përmbajtje nikotine, me qëllim mbrojtjen e konsumatorit.

Manastirliu propozon që prodhuesve dhe importuesve të produkteve të duhanit t’u vihet detyrim për të informuar Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për produktet e reja të duhanit, karakteristikat dhe efektet negative në shëndet, para se këto produkte të futen në treg.

Drafti parashikon edhe ashpërsim të masave për promocionin dhe marketimin e produkteve të duhanit.

E ndërsa ligji i ndryshuar do të marrë të paktën dy javë kohë për t’u kaluar në seancë plenare, për t’u miratuar, hapja e “shisha bareve” po njeh rritje. Vetëm në një prej lagjeve më të populluara të Tiranës, pranë zonës së Liqeni të Thatë, janë hapur të paktën 2 lokale të kësaj kategorie.

Aktualisht në Shqipëri, 36% e meshkujve 15-49 vjeç janë duhanpirës. E thënë ndryshe, 1 në 3 meshkuj të kësaj grupmoshe janë të ekspozuar ndaj një prej faktorëve madh duhanpirjes në Shqipëri.

Ndërkohë, 25% e vdekjeve të parakohshme te meshkujt dhe 9.1% te femrat kanë si shkaktar duhanpirjen. Më shumë se 4000 vdekje çdo vit kanë shkaktar një sëmundje që ka si faktor risku duhanpirjen.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img