MERXHAN DACI & INA KILA
Komisioni Europian pritet të publikojë brenda pak orësh progres-raportin për Shqipërinë në lidhje me pesë kushtet e përcaktuara prej tij, raport ky që i paraprin vendimit të qershorit për hapjen ose jo të negociatave me Bashkimin Europian.
Kriteret zyrtare që Bashkimi Europian ka vënë kundrejt Shqipërisë për hapjen e negociatave janë:
- Administratë profesioniste dhe të depolitizuar
- Forcimi i pavarësisë të institucioneve të drejtësisë
- Lufta kundër korrupsionit
- Lufta kundër krimit të organizuar
- Mbrojtja e të drejtave të njeriut, përfshirë romët.
- Administratë profesioniste dhe të depolitizuar
Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme tha për “Faktoje” se Shqipëria është e përkushtuar për zbatimin e reformës së Administratës Publike që synon një shërbim civil profesional dhe bazuar në meritë.
Gjithsesi shumë pak shqiptarë mund të besojnë që administrata shqiptare është e depolitizuar dhe profesionale teksa edhe në media janë raportuar shpesh precedentë që provojnë të kundërtën ku zyrtarë të ndryshëm janë emëruar në bazë të përkatësive partiake.
Madje ekzekutivi shqiptar ka vënë në shërbim të qytetarëve një portal të quajtur Shqiperiaqeduam.al nga ku çdo ankesë që ka të bëjë me administratën shtetërore denoncohet dhe merr zgjidhje.
Shumë e kanë interpretuar këtë rrugë si një pranim i dështimit të administratës.
- Forcimi i pavarësisë të institucioneve të drejtësisë
Sipas një sondazhi publik të Institutit për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi (IDRA), 91% e shqiptarëve e mbeshtesin reformën në drejtësi.
Deri më sot, Parlamenti ka miratuar 20 ligje, pjesë e paketës së 27 projektligjeve të Reformës në Drejtësi dhe po shqyrton projektligjet e mbetura.
Rivlerësimi i gjyqtarëve, prokurorëve dhe këshilltarëve ligjorë, i kryer nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimeve (KPK), zhvillohet në bazë të vlerësimit të aseteve në zotërim, vlerësimit të formimit të përgjithshëm dhe vlerësimit të aftësive profesionale.
Sipas raportimit më të fundit, KPK ka dhënë në total 135 vendime:
- 52 konfirmime në detyrë;
- 51 shkarkime nga detyra;
- 32 ndërprerje procesi.
Në dhjetor të vitit 2018, Konferenca e Gjyqtarëve zgjodhi anëtarët e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit (KLGJ). Kjo strukturë parimisht siguron pavarësinë, llogaridhënien dhe funksionimin e duhur të gjyqësorit.
Në dhjetor 2018, Mbledhja e Përgjithshme e Prokurorëve zgjodhi anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP). KLP presupozohet të garantojë pavarësinë, llogaridhënien, disiplinën, statusin dhe karrierën e prokurorëve.
Në janar 2019, KLP shpalli 15 vende të lira pune për pozicionin e prokurorëve në Strukturën Speciale kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Disa nga emrat e zgjedhur për në KLP dhe KLGJ kanë kaluar po ashtu një proces anatemimi në publik për shkak të të shkuarës së tyre.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) u themelua pas zgjedhjes së anëtarëve në dhjetor të vitit 2018. KED është përgjegjëse për verifikimin e përmbushjes së kritereve ligjore dhe vlerësimin e kritereve profesionale dhe morale nga kandidatët për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, si dhe për kandidatët për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese e cila për momentin është jofunksionale.
Të dhënat e një monitorimi të Institutit të Studimeve Politike tregojnë mungesë të njohurive të thelluara të koncepteve bazë të reformës në drejtësi, të institucioneve të drejtësisë, të vettingut dhe të elementëve thelbësorë të reformës, qoftë nga aktorët politikë ashtu edhe nga media dhe aktorët e tjerë publikë.
Në ligjërimin e dy liderëve kryesorë politike Rama dhe Basha sipas monitorimit shfaqet tendenca për ta përdorur drejtësinë, reformën dhe vettingun në funksion të nevojave politike të ditës.
Edi Rama: “Vettingu po vepron në pavarësi të plotë e monitorim ndërkombëtar. Fletërrufetë kundër Vettingut janë dëshpërimi i atyre që e mbushën me llum Pallatin e Drejtësisë! Loja mbaroi. Gjykatat e sipërme do pastrohen deri në fund e do ringrihen për ta bërë më në fund drejtësinë Drejtësi” (23 qershor 2018)
Lulzim Basha: “Ka blerë gjykatës, prokurorë, gazeta, TV e ambasadorë me para droge dhe korrupsioni e nuk i dalin hesapet Ramës. Drejtësinë e ka kapur, por popullin nuk e kap dot. Kokat e krimit e korrupsionit do japin llogari para tij. Shumë shpejt”. (23 gusht 2018)
Për më tepër, 72% e diskutimeve në Parlament për Reformën në Drejtësi janë me qëndrim kritik ndërsa pjesa tjetër me qëndrim mbështetës.
- Lufta kundër korrupsionit
Sipas Qeverisë Shqiptare, strategjia kundër korrupsionit është në proces zbatimi.
Dy raste të korrupsionit në sistemin e drejtësisë që po hetohen dhe që janë bërë mjaftueshmërisht mediatike janë rasti i ish-Prokurorit të Përgjithshëm dhe tre ish-gjyqtarëve në Gjykatën e Apelit të Durrësit.
Sipas raportit të vitit 2018 të Transparency International mbi perceptimin e korrupsionit, Shqipëria është renditur në vendin e 99 në botë nga 180 shtete, duke shënuar përkeqësim. Kjo e konfirmon Shqipërinë si vendi më i korruptuar në rajon.
“Ndërkohë Shqipëria, kandidate për në BE, u rrit me pesë pikë përgjatë pesë viteve të fundit, duke shkuar nga 31 në 2013 në 36 në 2018 por ra me dy pikë vitin e kaluar. Kjo mund të jetë si pasojë e një ngërçi politik i cili bllokoi disa reforma anti-korrupsion për të ecur përpara”, shkruhet në raportin e Transparency International.
- Lufta kundër Krimit të Organizuar
Sipas qeverisë shqiptare, Shqipëria vazhdoi përpjekjet për të reduktuar kultivimin e kanabisit, me rezultate domethënëse në vitin 2018.
Ekzekutivi e ka trumbetuar shpesh faktin se Shqipëria u hoq nga harta e vendeve kryesore të kultivimit të kanabisit.
Gjithësesi kultivimi i kanabisit ende mbetet shqetësim për autoritetet ligjzbatuese. Vetëm për vitin 2018, policia referoi në prokurori 208 persona nën akuzë për kultivim kanabisi, prej të cilëve 87 (sipas të dhënave të muajit prill) janë në kërkim.
Prokuroria për Krime të Rënda i ka komunikuar akuzat për trafik lëndësh narkotike dhe korrupsion ish-ministrit të Brendshëm Samir Tahiri, i cili dyshohet se favorizonte një organizatë kriminale të drejtuar nga vëllezërit Habilaj, të njohur si kushërinjtë e tij të largët. Ende nuk ka një vendim për këtë çështje dhe ish-ministri është në liri.
Në janar, Policia e Shtetit përfundoi një operacion për dorëzimin e trafikantit ndërkombëtar të drogës, Kelmend Balili. Ai është një nga trafikantët më të kërkuar të drogës në Shqipëri që ishte shpallur në kërkim që nga 9 dhjetori 2016. Balili akuzohet si kreu i një rrjeti të madh kriminal të trafikimit të drogës nga Shqipëria në Greqi dhe vende të tjera evropiane.
- Mbrojtja e të drejtave të njeriut, përfshirë romët
Duket se Shqipëria ka përmirësuar kuadrin ligjor dhe politik për mbrojtjen e pakicave duke miratuar në tetor 2017 një ligj të veçantë për pakicat. Ligji siguron përkufizimin e minoriteteve kombëtare dhe shfuqizon diferencimin midis pakicave kombëtare dhe etno-gjuhësore.
Në lidhje me të drejtat e pronës, zbatimi i ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronës sipas Qeverisë Shqiptare ka avancuar. Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme tha për “Faktoje” se Agjencia e Trajtimit të Pronave ka kryer procedurat për trajtimin e kërkesave për kompensim dhe gjatë vitit 2018 ka shpërndarë një fond financiar prej 1,543,025,978.56 lekë.
Megjithatë prona në Shqipëri mbetet një problem i madh ekzistent.
Vetë Komisioneri i BE, Johannes Hahn, në një intervistë për Deutsche Welle tha muajin e shkuar se kuadri ligjor për të drejtat e pronës në Shqipëri ka dobësi ligjore dhe teknike. Ai u shpreh se BE po e monitoron atë.
“Të drejtat e pronësisë po monitorohen nga BE si pjesë e kuadrit të të drejtave themelore të njeriut. Komisioni Europian po shqyrton mundësitë ta mbështesë Shqipërinë në trajtimin e situatës problematike lidhur me të drejtën e pronës, në linjë me standaret ndërkombëtare”, tha ai.
———————————————————————————————–
Teksa orët në vijim do të jenë vendimtare për të ardhmen europiane të Shqipërisë, zgjedhjet e fundit për Parlamentin Europian flasin për një pesimizëm mbi projektin europian.
Euroskeptikët fituan në Greqi ku kryeministri Tsipras ka kërkuar zgjedhje të parakohëshme dhe në Britani ku partia e re me emrin “Brexit Party” ka fituar zgjedhjet dhe ku dy partitë kryesore konservatorët dhe laburistët kanë shënuar humbjet me të rënda në histori. Edhe në Gjermani partitë popullore kanë humbur mbështetjen tradicionale.
Mbetet për tu parë nëse cikloni i euroskepticizmit do t’i ndalojë Shqipërisë kandidate për të hapur kapitullin e negociatave me Bashkimin Europian.