Shqiptarët janë populli më i varfër në krahasim me çdo vend tjetër të BE-së e madje edhe Ballkanit. Sipas të dhënave të Institutit europian të Statistikave për vitin 2019, Shqipëria e ka mesataren e të ardhurave për frymë, sa 31 për qind e mesatares së vendeve europiane. Nga ana tjetër, raporti i Bankës Botërore që u publikua në fund të muajit maj e ngre edhe më tepër shqetësimin për varfërim të shqiptarëve nën nivelin e minimumit jetik.
Një raporti i publikuar nga Instituti europian i Statistikave, Eurostat, të enjten më 18 qershor,
tregoi se Shqipëria vijon të jetë vendi më i varfër në Europë dhe Ballkan, ku shqiptarët rezultojnë
me të ardhura për frymë sa 31% e mesatares europiane.
Konsumi dhe të ardhurat për frymë, burimi: Eurostat
Shqipëria madje, për vitin 2019, rezulton të jetë më e varfër edhe se Bosnja dhe Hercegovina, e cila ka mesatare 32 për qind të BE-së, e cila një vit më parë kishte të njëjtin nivel si Shqipëria.
Maqedonia e Veriut e kishte këtë tregues në 38 për qind, Serbia 41 për qind dhe më e “pasura” në rajon është Mali i Zi, me 50 për qind të mesatares së BE-së. Në treguesin tjetër, atë të konsumit individual për frymë, që mat mirëqenien materiale të familjarëve, Shqipëria sërish mbetet e fundit, në 40 për qind të mesatares së BE-së, nga 39 për qind një vit më parë. Për Bosnjën, ky tregues është 42 për qind, për Maqedoninë 43 për qind, për Serbinë 49 për qind dhe sërish më të lartin e ka Mali i Zi, me 60 për qind të mesatares europiane.
Sipas një raporti të fundit të muajit maj të Bankës Botërore, që vlerëson se si COVID-19 “mund të ndikojë në varfërinë dhe mirëqenien e familjeve në Ballkanin Perëndimor”, Shqipëria mbetet një nga vendet më të cenuara nga pasojat e pandemisë “Covid-19”, që lidhen me karakteristikat e ekonomisë së saj, si niveli i lartë i vetëpunësimit dhe informalitetit.
Shkalla e papunësisë pritet të arrijë nga 40 për qind që është sot, deri në 48 për qind (numri i personave që jetojnë me më pak se 5.5 dollarë në ditë, sipas fuqisë blerëse).
Për ekspertin e ekonomisë, Fatos Çoçoli, shifrat janë një kambanë alarmi dhe këtë fenomen do ta vuajë më së shumti shtresa e varfër e shoqërisë
“Varfëria është rritur ndjeshëm. Banorët në zonat rurale janë më pak të prekurit, por pjesa që jeton në qendrat urbane po e përjeton ndjeshëm. Investimet në sektorët jetikë për ekonominë do të ndihmonin në zbutjen e varfërisë në vend. Qeveria duhet të përfshijë në paketa të ndihmës ekonomike të gjithë të papunët që dolën si pasojë e pandemisë “Covid-19” deri sa të mund të riintegrohen”, argumenton Çoçoli.