BallinaPertejÇfarë tregojnë shifrat e 2019-s për bujqësinë dhe blegtorinë

Çfarë tregojnë shifrat e 2019-s për bujqësinë dhe blegtorinë

MERXHAN DACI

INSTAT publikoi këtë të premte shifrat vjetore të bujqësisë dhe blegtorisë për vitin 2019. Edhe pse të dhënat pasqyrojnë situatën para pandemisë, për disa kategori, si blegtoria vërehet rënie e prodhimit. Nga ana tjetër, problemi që penalizon prej vitesh fermerët, me çmimin e naftës duket se do zgjasë, pasi plani për heqjen e akcizës dhe rregullime të tjera, është ende në fazën e projektimit sipas Ministrisë së Bujqësisë.


Bujqësia

Në vitin 2019, prodhimi i perimeve ishte 1.258,012 tonë, duke shënuar rritje vjetore  me 7,87 %, krahasuar me vitin 2018. Niveli më i lartë i prodhimit të perimeve ishte në qarqet Fier, Tiranë dhe Berat.

Prodhimi i drithërave në vitin 2019 ishte 666.064 tonë, duke shënuar  rënie me 1,79 %, në krahasim me një vit më parë. Niveli më i lartë i prodhimit të drithërave u arrit në qarkun e Fierit, Elbasanit, Korçës.

Në vitin 2019, prodhimi i patates ishte 260.661 tonë, duke shënuar rritje  me 2,40 %, në krahasim me vitin 2018. Qarqet që kanë nivelin më të lartë të prodhimit janë, Korça, Fieri me 50.158 dhe Elbasani. 

Blegtoria

Nëse prodhimi i perimeve pësoi rritje, situata nuk është e njëjtë me blegtorinë për vitin 2019.

Numri i gjedhëve në vitin 2019 ishte 415.609 krerë, duke shënuar rënie me 11,07 %, në krahasim me vitin 2018. Përqendrimi më i madh i numrit të krerëve është në qarkun e Fierit dhe Elbasanit.

Prodhimi i qumështit në vitin 2019 ishte 1,11 milionë tonë, duke shënuar një rënie me 2,81 %, në krahasim me vitin 2018.

Prodhimi i mishit peshë e gjallë ishte 157 mijë tonë, duke shënuar rënie me 2,77 %, në krahasim me vitin 2018.

Prodhimi i vezëve për vitin 2019 ishte 865 milionë kokrra, duke shënuar rritje me 4,47 %, në krahasim me vitin 2018.

Problemet e fermerëve shqiptarë

Faktoje i ka ndjekur prej kohësh shqetësimet e fermerëve në të gjithë Shqipërinë. Ata ankohen për shumë problematika, ndër kryesoret mbështetja nga shteti.

Një nga kërkesat kryesore është heqja e akcizës së naftës. Fermerët shqiptarë paguajnë sot naftën më të shtrenjtë në Europë por jo vetëm, duke përfshirë të gjitha taksat mbi të, gjë që reflektohet negativisht në produktivitetin e tyre.

Faktoje e pyeti Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimt Rural se çfarë është bërë me projektin për heqjen e taksave të naftës për bujqësinë dhe përgjigjja konfirmon se ky projekt është në proces.

Përgjigja e ministrisë:

Në skemat e vitit 2020 nuk është mbështetur nafta për mekanikën bujqësore. Në grupin e punës të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për agropërpunim, është konsideruar mbështetja e fermerëve për naftën e mekanikës bujqësore. 

Është dërguar propozimi në Këshillin e Investimeve dhe jemi në proces. Po punojmë me evidentimin e të gjithë mekanikës bujqësore të fermerit dhe mënyrat e shpërndarjes së naftës. Akoma jemi në fazë të vlerësimit të situatës.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img