MERXHAN DACI & ANXHELA RUÇI
Ku mbështeten drejtuesit e partive kur bëjnë premtime, qoftë edhe jashtë fushatave zgjedhore? Njerëzit të cilëve u jepen premtime nga politikanët që synojnë të vijnë në pushtet pyesin veten: A janë të realizueshme? “Faktoje” verifikoi me ekspertë të fushës 10 zotime të kryetarit të PD Lulzim Basha nëse do të zgjidhej kryeministër.
————————————————————————————————————————————————————
Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha po udhëton këto kohë nëpër Shqipëri për të takuar njerëzit në kuadër të “Rrugëtimi për Shqipërinë”. Në këto takime Basha ka bërë disa premtime të cilat “Faktoje” i ka konsultuar me ekspertë të ekonomisë se sa të realizueshme janë.
Ne kemi përgjedhur vetëm 10 prej premtimeve nga fusha të ndryshme si ekonomia, arsimi, bujqësia etj.. dhe i kemi konsultuar me ekspertët Ornela Liperi dhe Zef Preçi.
Premtimet:
- Paga minimale 300 euro brenda 6-mujorit të parë dhe brenda mandatit 4 vjeçar, në 400 euro.
Liperi: E parealizueshme. Pagat nuk mund të rriten me urdhër, pagat i rrit përmirësimi i produktivitetit. Rritja e pagave me detyrim mund të çojë në falimentim të bizneseve.
Preçi: Kjo mund të realizohet me faza dhe mbi bazën e disa parimeve të njohura. Modelet dhe përvojat e vendeve të BE si dhe ato të rajonit duhen marrë në konsideratë.
*Aktualisht paga minimale mujore është 26-mijë lekë dhe u rrit për herë të fundit në 1 janar 2019. Eurostat ka konfirmuar se paga minimale në Shqipëri është më e ulëta në rajon.
- Fëmijët e fermerëve do të kenë 100% mbështetje nga buxheti i shtetit dhe do të paguajnë zero tarifë për universitetin.
Liperi: Edhe mund të realizohet.
Preçi: Është e mundshme, por duhet të analizohet dhe specifikohen më tej kushtet e familjeve që duhen konsideruar si të tilla.
- Paga e mjekëve do të jetë 1200 euro në muaj dhe e infermierëve 700 euro.
Liperi: E parealizueshme me kushtet aktuale të buxhetit. Duhet shpjeguar se sa do të jetë kostoja në buxhet dhe nga do të gjenden paratë.
Preçi: Mbetet për të parë mënyra se si opozita e sotme do të mund të ndërtojë një buxhet alternativ mbi bazën e përparësive të tjera. Këto nivele janë arritur tashmë në vendet e rajonit, duke përfshirë edhe Kosovën.
*Aktualisht paga mesatare bruto e mjekëve në Shqipëri duke iu referuar vitit 2018 është 73-mijë lekë në muaj ndërsa e infermierëve 46-mijë.
- Do të dyfishojmë buxhetin për universitetet shqiptare
Liperi: E vështirë për t’u realizuar me buxhetin aktual, duhet shpjeguar nga do të vijnë fondet.
Preçi: Një nismë e mirëpritur, por realizohet vetëm nëse burimet financiare janë në dispozicion.
*Në një shkrim të mëparshëm “Faktoje” ka raportuar se për vitin 2018 shpenzimet buxhetore për arsimin e lartë kanë qenë 7,57 miliardë lekë. Prej vitit 2014 ky buxhet ka qenë në rritje, por një dyfishim i shpenzimeve do të na çonte në shifrën 15 miliardë, shifër kjo e paprecedentë për arsimin e lartë në Shqipëri.
- Aksesi i prodhimeve bujqësore do të jetë i garantuar
Liperi: E parealizueshme. Shteti e ka të pamundur të garantojë shitjen e produkteve, pa zgjidhur më parë problemet rrënjësore si copëzimi i tokës, mungesën e ekonomisë së shkallës, prodhimin sipas standardeve, që do të rrisnin konkurrueshmërinë e bujqësisë në përgjithësi.
Preçi: Duhen analizuar me kujdes faktorët e prodhimit, ndërmarrja e politikave që nxisin shtimin e prodhimit, por edhe marketingun, kontrollin e cilësisë, eksportet, etj.
*Prodhimet bujqësore asnjëherë nuk kanë qenë të garantuara në Shqipëri. Për këtë arsye fermerët vazhdojnë protestat edhe sot e kësaj dite.
- Minimalisht 100 milionë euro në katër vitet e para (çdo vit) si subvencion për bujqësinë
Liperi: E realizueshme por duhet argumentuar se ku do të gjenden paratë.
Preçi: Është e mundshme, kërkohet të hiqet dorë nga përdorimi korruptiv i subvencioneve për pasurimin e oligarkëve, sipërmarrësve me lidhje politike etj.
- Eleminimi i të gjitha tarifave lokale dhe qendrore, kryesisht lokale dhe përqëndrimi i tyre në një taksë të vetme prej 0,5% e xhiros vjetore për biznesin e vogël.
Liperi: E realizueshme.
Preçi: Duhet testuar fillimisht nëpërmjet të dhënave për të parë ndikimin e pritshëm nëse zbatohet në praktikë, mandej dhe për efektet në shtimin e të adhuruave buxhetore. Parimisht është e mundshme.
- 10-mijë studentët më të mirë në vit do të bëjnë një praktikë të paguar me një pagë minimale 30 mijë lekë në muaj.
Liperi: E parealizueshme, ka kosto të lartë, e lidhur edhe me premtimin e pagës minimale.
Preçi: Parimisht ky premtim është i realizueshëm nëse burimet financiare janë në dispozicion.
- Do të heq taksën mbi karburantin 24 lekë/litër
Liperi: E realizueshme por duhet argumentuar se si do të zëvendësohen të ardhurat nga kjo taksë, që gjeneron rreth 150 milionë euro në vit.
Preçi: Është e mundshme dhe e nevojshme. Nevojiten analiza krahasuese me vendet e rajonit dhe nxitje e prodhimit vendas.
- Çdo vit 50 milionë euro për mbështetjen në infrastrukturë për zonat rurale
Liperi: E realizueshme por duhet argumentuar ku do të gjenden paratë.
Preçi: Është e mundshme, kërkohen ide dhe fokusim në shfytëzimin e mundësive specifike të çdo zone në kuadër edhe të turizmit.