Rrugët që kërkojnë asfalt

‘Si u zhduk për një muaj çakulli në rrugët Lekas - Voskopojë dhe Voskopojë – Krushovë’

905

Pas fitores së mandatit të tretë në krye të bashkisë Korçë, Sotiraq Filo lajmëroi përmes rrjeteve sociale, rehabilitimin e dy rrugëve rurale që lidhen me Voskopojën. Por verifikimet e Faktoje dëshmojnë se një muaj pas hedhjes së çakullit, në rrugën Voskopojë – Lekas dhe Voskopojë – Krushovë nuk arrin të gjesh asnjë gjurmë ‘rehabilitimi’.

Esmeralda Topi

Për të shkuar nga Tirana në Korçë duhen më pak se tri orë. Për të shkuar nga Korça në Lekas duhen më shumë se dy orë, megjithëse distanca llogaritet vetëm 38 kilometra. Deri në Voskopojën turistike rruga është e shtruar. Por 19 kilometrat e tjera të mbetura nga Voskopoja në Lekas janë ato që kërkojnë kohë dhe sakrificë derisa të arrish në destinacion. Po njësoj është situata për 7 kilometrat që bashkojnë Voskopojën me fshatin Krushovë.

Propaganda paszgjedhore

‘Filloi puna për rehabilitimin e rrugës Lekas-Voskopojë. Çdo ditë në punë për t’u mundësuar banorëve kushte më të mira infrastrukturore’, lajmëronte në profilin e tij zyrtar në facebook, kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo më 6 shtator 2023.

Voskopojë –Lekas 6 shtator 2023, postimi i Sotiraq Filos

Filo e shoqëronte postimin me imazhet e një fadrome që shtron pirgjet e dheut në rrugë.  

Rruga Voskopojë –Lekas 6 shtator 2023, postimi

Postimi i kryetarit të Bashkisë është shpërndarë edhe nga profili zyrtar i Njësisë Administrative Lekas, ku banorët nuk i kanë kursyer komentet.

“Uroj që ky zhavori mos bëhet baltë”, shkruan një komentues. ‘Me asfalt o Raqi…se nesër prishet prapë ajo”, vijon një tjetër.

Një javë pas këtij postimi, nga profili i zotit Filo lajmërohej rehabilitimi i një tjetër rruge lidhëse me Voskopojën, rruga e fshatit Krushovë.

“Filloi puna edhe për rehabilitimin e rrugës Voskopojë-Krushovë. Rehabilitimi i kësaj rruge ka një ndikim të rëndësishëm për përmirësimin e infrastrukturës rrugore”, shkruante Sotiraq Filo në facebook më 13 shtator.

Voskopojë – Krushovë, 13 shtator 2023, nga profili i Sotiraq Filos

Një tjetër fadromë e verdhë dhe një tjetër rrugë me dhe’. Përtej fjalëve që përshkruajnë postimet e zotit Filo, asnjë informacion më tepër. Për të mësuar më shumë mbi rehabilitimin e dy rrugëve rurale lidhësë me Voskopojën, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Bashkisë së Korçës.

Kërkesa drejtuar Bashkisë Korçë 13 shtator

Më 26 shtator, Bashkia e Korçës sqaroi se punimet në të dyja rrugët kanë përfunduar dhe janë bërë nga Ndërmarrja e Shërbimeve Publike.

Rruga Lekas-Voskopojë ka përfunduar me rehabilitimin e saj. Kjo rrugë është e gjatë 19 km dhe punimet po kryhen nga Ndërmarrja e Shërbimeve Publike, nuk është investim, por mirëmbajtje dhe sistemim i rrugës me çakull në pjesët e dëmtuara të saj“, shkruhet në përgjigjen e Bashkisë për rrugën Lekas – Voskopojë.

Ndërsa për 7 kilometrat e rrugës Krushovë-Voskopojë, Bashkia thekson se janë kryer punime vetëm në pjesët e dëmtuara.

Kjo rrugë është e gjatë rreth 7 km dhe punimet janë kryer nga Ndërmarrja e Shërbimeve Publike. Këto punime janë kryer vetëm në pjesët e dëmtuara të rrugës.

“Nuk mbulohet dielli me shoshë”

Një muaj pas përgjigjes zyrtare të Bashkisë së Korçës, Faktoje udhëtoi drejt juglindjes. Më 26 tetor ne verifikuam nga afër gjendjen e dy rrugëve rurale, për të cilat bashkia thotë se janë rehabilituar.

Sikurse dëshmojnë pamjet, rruga që lidh Voskopojën me fshatin Lekas është në gjendje shumë të keqe.

Rruga për në fshatin që i varet faqes së malit të Ostrovicës në 2200 metra lartësi është e pashtruar dhe kalohet vetëm nga automjetet e larta. Autoveturat e zakonshme nuk mund ta përshkojnë këtë aks për shkak të gropave të mëdha në të gjithë gjatësinë e rrugës.

Ndonëse verifikimin e bëmë pak javë pas ndërhyrjes nga Bashkisë Korçë, ne nuk arritëm të dallonim çakullin që ishte hedhur në këtë aks. Të vetmet gjurmë rehabilitimi ishin disa pirgje dheu anës rrugës.

Edhe në rrugën tjetër, atë që lidh Voskopojën me Krushovën situata ish e njëjtë, madje më keq. Që në nisje të rrugës për Krushovë, gjetëm pellgje me ujë nga shiu që kishte rënë atë ditë.

Një banor i Voskopojës që kulloste lopët përgjatë rrugës na tregoi se zhavorri i hedhur pak javë më parë ishte zhdukur brenda pak ditësh.

“Hedhin ndonjë dorë zhavor herë pas here, po zhavori nuk mban. Kjo rrugë do asfalt, po kush ta bëjë?!’, thotë me keqardhje ai, teksa shton se aktualisht në Krushovë jetojnë vetëm dy familje.

Përfundim

Sotiraq Filo siguroi mandatin e tretë në krye të bashkisë së Korçës më 14 maj me 60.46% të votave. Ndryshe nga garat e mëparshme, në këto zgjedhje fushata e tij u përqendrua si asnjëherë tjetër tek fshati dhe problematikat e zonave rurale të juglindjes. Rehabilitimi i dy rrugëve ishte pjesë e fushatës zgjedhore. Ndaj nisur nga informacionet e mbledhura dhe verifikimet në terren, premtimin e zotit Filo për rehabilitimin e dy rrugëve që lidhin Voskopojën me Krushovën dhe Lekasin do ta kategorizojmë si pjesërisht të mbajtur.

*Faktoje, e mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.