Në rrjete sociale qarkullon pretendimi se një numër udhëheqësish afrikanë vdiqën në rrethana misterioze pasi kundërshtuan vaksinimin anti-Covid në vendet e tyre. Verifikimi i Faktoje zbuloi se udhëheqësit në fjalë kanë vdekur nga shkaqe natyrore, dhe të paktën njëri prej tyre ishte pro vaksinimit.

————————————————

Në rrathët anti-vaksinim po shpërndahet një imazh i katër udhëheqësve afrikanë që kanë humbur jetën në vitet 2020 dhe 2021. Imazhi shoqërohet me insinuatën se vdekjet e tyre “në rrethana misterioze” kanë të bëjnë me kundërshtimin që këta udhëheqës kishin ndaj vaksinimit anti-Covid.

Personat në foto janë presidenti i Tanzanisë, John Magufuli; kryeministri i Bregut të Fildishtë, Hamed Bakayoko; kryeministri i Swaziland, Ambrose Dlamini dhe presidenti i Burundit, Pierre Nkurunziza.

Megjithatë, asnjë prej tyre nuk vdiq “në rrethana misterioze.”

John Magufuli vdiq në 17 mars 2021, në moshën 61 vjeçare. Sipas zëvendës-presidentes të atëhershme, Samia Suluhu Hassan, shkaku ishte një sëmundje zemre, fibrilacioni kronik atrial, nga e cila Magufuli vuante gjatë 10 viteve të fundit të jetës së tij. Sipas The Guardian, Magufuli kishte histori problemesh zemre dhe kishte stimulues kardiak.

Hamed Bakayoko vdiq në 3 mars 2021, në moshën 56-vjeçare. Ai ishte diagnostikuar me kancer terminal dhe ndërroi jetë në një spital gjerman, ku kishte udhëtuar për të marrë trajtim. Për më tepër, Bakayo nuk kishte refuzuar vaksinimin anti-Covid. Përkundrazi, ai kishte kërkuar vaksina për vendin e tij. Në shkurt 2021, Bregu i Fildishtë mori mbi 500 mijë doza vaksinash anti-Covid nga programi COVAX.

Ambrose Dlamini vdiq më 13 dhjetor 2020, në moshën 52-vjeçare. Një muaj më parë, ai kishte rezultuar pozitiv me Covid-19. Dlamini vdiq në një spital të Afrikës së Jugut, ku po merrte trajtim për Covid-19. Ai ishte udhëheqësi i parë qeveritar që vdiq nga Covid-19. Në një deklaratë zyrtare, më 11 nëntor 2020, Dlamini u kërkonte qytetarëve të vendit të tij të respektonin rregullat e shëndetit për të shmangur rritjen e infektimeve me Covdi-19. Në 30 nëntor 2020, Ministria e Shëndetësisë së Swaziland deklaroi se vendi do të përdorte vaksina të marra nga programi COVAX.

Pierre Nkurunziza vdiq më 8 qershor 2020, në moshën 55 vjeçare. Sipas qeverisë së Burundit, ai pësoi një arrest kardiak. Megjithatë, në atë kohë, një numër mediash spekuluan se ai kishte vdekur në të vërtetë si pasojë e Covid-19. Kjo, sepse, një javë më parë, gazeta keniane The Standard kishte raportuar se bashkëshortja e Nkurunzizës ishte shtruar në një spital në Kenia për të marrë trajtim për Covid-19.

Teoria se udhëheqësit afrikanë, dy prej të cilëve mbeshtesnin vaksinimin, vdiqën “në rrethana misterioze” sepse “nuk i lejuan qytetarët e tyre të bëjnë vaksinimin” është e pabazë.