BallinaProjekteRindërtimi dhe pandemia në Shqipëri: Fakte dhe të dhënaBashkia Vorë, ende gërmadhë pas tërmetit të 26 nëntorit

Bashkia Vorë, ende gërmadhë pas tërmetit të 26 nëntorit

EDIT NIKOLLI  & JOEL ÇELA

Më shumë se një vit nga tërmeti i 26 nëntorit, në Vorë, ndër bashkitë më të dëmtuara, ka ende pallate që nuk janë shembur, edhe pse u premtua se rindërtimi do ishte që në tetor 2020. Në Vorë janë premtuar të ndërtohen 404 apartamente, por rindërtimi i pallateve duket shumë larg. Aktualisht po punohet vetëm në një kantier ku mungon tabela informuese për afatin, vlerën e projektit dhe hollësi të tjera. Bashkia Vorë çalon edhe në aspektin e transparencës. Ajo nuk ka një faqe zyrtare në internet dhe adresa elektronike e publikuar në “Pyet Shtetin” për dërgimin e kërkesave për informacion, rezulton fictive.


Më 11 shtator 2020 Kryeministri Rama dhe ministri i Rindërtimit Ahmetaj inspektuan zonën e planifikuar për kantieret e rindërtimit në Vorë. Gjatë kësaj vizite, ministri Ahmetaj deklaroi:

“Jemi në fazën e punimeve të infrastrukturës, për banesat kolektive, në Vorë pra këtu në qytet, kemi 404 banesa kolektive, në të cilën fillojnë në 10 ditëshin e parë të tetorit. Në pjesën tjetër të bashkisë, kemi një numër të madh njësish individuale dhe në Marikaj kemi 102 apartamente që planifikohen po në fillim të tetorit.”

Më 19 tetor ministri i rindërtimit Arben Ahmetaj gjatë inspektimit të radhës në Vorë deklaroi:

“Këtë javë rrëzohen të gjitha pallatet që janë vlerësuar për t’u rrëzuar DS5 dhe fillon bulevardi që vendos profilin e Vorës”.

Në Janar të këtij viti, një postim në rrjetet sociale, kryeministri Rama njoftonte transformimin historik të Vorës përmes rindërtimit.

                        Screenshot i postimit në Facebook, 20 janar 2021

Faktoje shkoi në Vorë më 31 mars, për të verifikuar në terren ecurinë e punimeve për ridërtimin.

                                    Rrënojat e një pallati të shembur në Bashkinë Vorë, 31 mars 2021

        Pallate të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe ende të pashembura, 31 mars 2021

       Pallate të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe ende të pashembura, 31 mars 2021

Tabela e projektit të “Ndërtimit të Rrjetit Rrugor dhe Infrastrukturës Urbane, Bashkia Vlorë”, 31 mars 2021

Duke ju referuar tabelës informuese të projektit të “Ndërtimit të Rrjetit Rrugor dhe Infrastrukturës për zhvillim, Bashkia Vorë”, punimet për këtë sektor duhej të kishin përfunduar në dhjetor të 2020-s. Por Faktoje konstatoi se situata kishte ndryshuar shumë pak që pas tërmetit. Ende nuk ishin hequr të gjitha inertet e pallateve të shembura dhe nuk ishte punuar për infrastukturën rrugore e cila duhej të kishte përfunduar vitin e kaluar.

                                         Rrjeti infrastrukturor në Bashkinë Vorë, 31 mars 2021

                                          Rrjeti infrastrukturor në Bashkinë Vorë, 31 mars 2021

                                   Rrjeti infrastrukturor në Bashkinë Vorë, 31 mars 2021

Faktoje u takua edhe më banorë të zonës të cilët shprehin pakënaqesitë për rindërtimin dhe rrjetit infrastrukturor në bashkinë e tyre.

“Nuk e kanë përfunduar endë rrugën, është bërë përgjysmë. Ndërsa për shtëpite nuk kanë filluar akoma, thonë që janë duke u bërë procedurat në bashki dhe duan kohen e vet”. -Tha për Faktoje, M.D banore në Vorë, ngjitur me rrugën që po rikonstuktohet.

Në bashkinë Vorë, në të vetmin kantier ndërtimi për banesat kolektive, punimet ishin në fazat e para, për infrastrukturën, por mungonte tabela informuese e projektit ku të njoftohej afati i punimeve dhe të dhënat e tjera.

Ne komunikuam me inxhinierin që gjetëm në terren i cili tha:

“Për këtë kantier jemi në fazën e punimeve të infrastrukturës, jemi duke punuar për tabelën e projektit, për një javë është gati, duhet printuar dhe do ta afishojmë”.

                                          Kantier rindërtimi në Bashkinë Vorë, 31 mars 2021

Që prej muajit gusht 2020, Faktoje ka dërguar 2 kërkesa për informacion ku interesohej mbi ecurinë e procesit të rindërtimit. Për këto kërkesa nuk kemi marrë përgjigje.

                      Kërkesë për informacion drejtuar Bashkisë Vorë, 19 gusht 2020

Pas verifikimit në terren, Faktoje u përpoq të dërgojë një kërkesë tjetër për informacion në rrugë elektronike, por gjatë kërkimit na rezultoi se kjo bashki nuk ka një faqë zyrtare në internet. Edhe adresa e-emailit të kësaj bashkie që gjetëm në platformën pyeet Shtetin, është fiktive.

                      Adresa elektronike e kordinatorit të Bashkisë Vorë në “Pyet Shtetin”

Për këtë arsye, kërkesën për informacion e dërguam me postë dhe jemi në pritje të përgjigjes.

                        Kërkesë për informacion drejtuar Bashkisë Vorë, 6 prill 2021

Nga verifikimi i kryer në terren, vendosëm që deklaratat e ministrit Ahmetaj, për shembjen e të gjithë pallateve dhe fillimin e punimeve për banesat kolektive në bashkinë Vorë, ta kategorizojmë si premtim të pambajtur.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img