Në Maj 2023, kandidati fitues në bashkinë Vlorë, Ermal Dredha, publikoi si pjesë të programit të tij prioritar, premtimin për “rikualifikimin total të tregjeve”. Në 19 dhjetor, shtatë muaj pas fushatës, një verifikim në terren në 2 tregjet e vetme funksionale të Vlorës, tregoi se kushtet e punës ishin larg premtimit. Tregtarët pohuan se në koston e përditshme përfshihet mes të tjerash edhe fatura që i paguhet lokalit për të shkuar në tualet, pasi tregu nuk ka.
Jona Plumbi
Dy janë tregjet funksionale në qytetin e Vlorës. Njëri prej tyre njihet si “tregu i Çoles” dhe ndodhet në lagjen e njohur po me atë emër.
Në një stendë ku shiten fruta-perime në këto ditë dhjetori, qëndron z. Verka Hoxhaj.
“Nga hapja e tregut 30 vjet më parë nuk ka patur asnjë investim” – tregon zoti Hoxhaj, që vijon duke treguar tendat anësore me gisht – “Edhe këto i kemi vënë vetë.”
Tregtari tha se paguan 4 mijë lekë (të reja) në muaj për vendin, para’ që shkon në xhepin e pronarit të tokës, pa faturë sipas tij.
“Tokës i kanë dalë disa pronarë, tre a katër madje” – thonë tregëtarët duke shpjeguar se një pjesë e tyre ia japin qiranë pronarëve privatë, ndërsa të tjerë e ia pagujanë tarifën bashkisë Vlorë.
Ndryshe nga Verka Hoxhaj, që paguan 4 mijë lekë në muaj tek privati për hapësirën që zë, dy metra më tutje, zoti Elez Matraku tregon se paratë ia paguan Bashkisë Vlorë.
Sipas tregtarëve, çmimi për të tregtuar në Çole është dyfishuar gjatë viteve të fundit në pjesët e menaxhuara nga privati. Ata dyshojnë se pronarët e kanë dyfishuar çmimin me qëllim që të largohet tregu dhe të krijohet mundësia për të ndërtuar.
Zonjat, që po ashtu shesin në këtë treg, me zë të ulët, na tregojnë se përpos pagesës për hapësirën, paguajnë çdo ditë edhe lokalin aty pranë 100 lekë që të përdorin tualetin gjatë ditës. Kjo, sepse tregut i mungojnë ËC-të dhe uji.
“Kemi paguar 30 vjet taksa për këtë treg dhe s’ka asnjë investim” – shprehen tregtarët duke theksuar se qytetit nuk i kanë mbetur shumë të tregje funksionale.
Një tjetër treg në Vlorë që “pret” rikualifikimin total të premtuar nga kryebashkiaku Dredha, është ai i njohur si “tregu i Sahatit”.
Situata në këtë treg duket edhe më dramatike.
Tregtarët, pjesa dërrmuese e të cilëve janë pensionistë, tregojnë se edhe aty nuk “ka vënë dorë” askush prej ditës kur u hap.
Zonja Lavduri Sherifaj, nga Peshkëpia e Vlorës, është njëra prej tyre, cila shet prej shumë vitesh në tregun e Sahatit. Ajo na tregon se ka vështirësi për të përballuar jetesën, ndaj ka pranuar të shesë në këto kushte, edhe pse nuk ka shumë xhiro.
“Nuk kanë lekë njerëzit, ç’të blenë?” – na thotë zonja Sherifaj duke llogaritur edhe shpenzimet e saj për të shitur në këtë treg.
“2000 lekë në muaj paguaj vendin që zë në treg për të shitur dhe pastrimin. 2000 lekë të tjera në muaj i paguaj për magazinimin e mallit. 200 lekë në ditë fatura e furnizimit. Të gjitha këto, përveç qeskave që duhet të ble dhe lokalin që e paguajmë për të përdorur tualetin.” – tregon ajo.
Ne kërkuam informacion zyrtar pranë Bashkisë Vlorë lidhur me planin e saj për rikualifikimin total të tregjeve të qytetit. Pasi Bashkia na informoi se ishte në fazën e studimit të fizibilitetit për rikonstruksionin e tregjeve, në tejkalim të afateve të parashikuara në ligjin për të drejtën e informimit, ajo refuzoi të japë informacion të mëtejshëm lidhur me këtë studim të pretenduar prej saj.
Për të kuptuar nëse Bashkia Vlorë parashikon në buxhetin e saj afatmesëm fonde për rikualifikimin e tregjeve, sipas premtimit të kryetarit të Bashkisë, bëmë një kërkim në faqen zyrtare të bashkisë Vlorë në rrjet.
Nga hulumtimi rezulton se bashkia ende nuk e ka publikuar buxhetin afatmesëm 2023-2026 pavarësisht se ka përfunduar konsultimet për të në muajin tetor.
Nisur nga mungesa e një plani konkret të Bashkisë Vlorë për rikualifikimin e tregjeve të qytetit dhe verifikimi i bërë në terren, premtimin e kryebashkiakut Ermal Dredha, do ta kategorizojmë deri tani të pambajtur.
*Faktoje, e mbështetur nga National Endoëment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.