MARJO BRAKAJ
Kryeministri Edi Rama njoftoi fshirjen e kamatvonesave të energjisë elektrike për qytetarët dhe biznesin e vogël si pjesë të “paketës së luftës” për përballimin e koronavirusit “Covid-19”. Gjatë prezantimit të planit financiar më 19 mars, Rama deklaroi se nga kjo amnisti do përfitonin me efekt të menjëhershëm 211.024 abonentë. Rama i argumentoi kamatvonesat si “barrë shtesë” duke deklaruar se ajo do u hiqet qytetarëve dhe biznesit të vogël. Por, ditën e djeshme Administratori i Furnizimit Universal, Sevrani deklaroi se kamatvonesat do falen vetëm deri në 31 dhjetor 2019.
Gjatë prezantimit të paketës fiskale, të konsideruar edhe si “paketa e luftës”, kryeministri Edi Rama njoftoi se ndër masat e marra nga qeveria është edhe falja e kamatvonesave me efekt të menjëhershëm për, 211,024 abonentë, familjarë dhe biznes i vogël.
“Do të fshijmë përgjithmonë kamatvonesat për debitorët aktivë që kanë konsum energjie sot, familjar apo biznes i vogël me efekt financiar deri në 15 miliardë lekë. Nga kjo masë do përfitojnë 211,024 abonentë”, deklaroi Rama.
Por, edhe pse kryeministri Rama premtoi fshirjen e të gjitha kamatvonesave, OSHEE nëpërmjet Administratorit tëi Furnizimit Universal, Sevrani sqaroi se nga amnistia do përfitojnë të gjithë ata, qytetarë apo biznese që kanë borxhe, por deri në 31 dhjetor 2019.
“Falja e kamatvonesave ka të bëjë më detyrimet që debitorët aktivë kanë për periudhën deri më 31 dhjetor 2019. Çdo lloj detyrimi që lind nga viti 2020 e në vazhdim, duhet paguar”, sqaroi Sevrani.
“Faktoje” pyeti edhe në OSHEE, nga ku u konfirmua se falja e kamatvonesave do jetë vetëm për debitë deri më 31 dhjetor 2019. OSHEE gjithashtu, përmes një postimi në facebook. Sqaroi edhe mënyrën se si do reduktohen këstet për aktmarrëveshjen sipas ndarjes, familjarë apo biznes.
Deklaratën e kryeministrit Rama, në raport me reagimin e OSHEE do e kategorizojmë si “Gjysmë të vërtetë”.