BallinaAktualitetCovid-19Sa e mbrojtur është policia përballë koronavirusit?

Sa e mbrojtur është policia përballë koronavirusit?

JOEL ÇELA

Shqipëria po përballet me pasojat e përhapjes së koronavirusit të ri COVID-19. Në linjën e parë të luftës janë mjekët dhe infermierët, por edhe punonjësit e policisë. Sa të mbrojtur janë ata nga koronavirusi ndërkohë që shërbejnë në frontin e luftës?

………………………………………………………………………………………………………………………………………………………

Prej thuajse tre javësh vendi ynë po përballet me koronavirusin, armikun re padukshëm që kërcënon jo vetëm shëndetin publik. Nga dita në ditë kanë dalë dhe janë forcuar masat shtrënguese për të ndaluar përhapjen e koronavirusit, duke mbyllur kategori të caktuara biznesesh, duke kufizuar lëvizjen e qytetarëve dhe duke ndaluar qarkullimin e mjeteve rrugore të paautorizuara. Zbatimi i masave shtrënguese ka përfshirë Policinë e Shtetit, e cila ka pasur kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët, duke i udhëzuar, këshilluar apo ndërmarrë masa administrative në rast shkeljeje kundër tyre. Po sa i rrezikuar është ky komunitet nga koronavirusi.

“Faktoje” kontaktoi me Dr. Shk. Ilir Alimehmeti, epidemiolog klinik i angazhuar pranë Fakultetit të Mjekësisë në Tiranë për të kuptuar shkallën e rrezikshmërisë për forcat e policisë.

“Forca policore është kategori qartësisht e riskuar nga çdo lloj sëmundjeje infektuese në popullatë, duke u renditur në vend të dytë menjëherë pas personelit shëndetësor. Personeli shëndetësor dhe policor janë zakonisht pika e parë e kontaktit me personat me sëmundje të njohura apo të panjohura.” tha zoti Alimehmeti.

Këtu bëjnë pjesë forcat policore të ambjenteve të mbyllura, si policia e burgjeve, personeli i policisë kufitare që është në kontakt të parë me personat që mund të vijnë nga zona epidemike dhe oficerët e policisë gjyqësore.  Megjithatë, zoti Alimehmeti thotë që pikërisht policia rrugore dhe ajo e rendit mund të kenë numrin më të lartë të të infektuarve, për shkak të numrit të lartë të personelit në këto forca të veçanta policore.

“Një karakteristikë që i bashkon të gjitha forcat policore është fakti që janë profesione që detyrojnë shpesh grumbullimin me kolegë të tjerë në mbledhje apo aksione të ndryshme, duke e kthyer në fakt këtë forcë në një komunitet dhe, si rrjedhojë, e kthen infektimin nga COVID-19 në sëmundje komunitare.”, tha zoti Alimehmeti.

Ai qartëson se në kushtet e pandemisë aktuale, forcat e policisë duhet të jenë patjetër të pajisur me mjetet mbrojtëse, ku kryesore është maska dhe në radhë të dytë vijnë dorezat. Ndërkohë që për forcat policore në detyrë rutinë mjafton një maskë kirurgjikale, në rastet e emergjencave apo kur ata shërbejnë si ndihmë për rastet e dyshuara me COVID-19, Mbrojtja Civile e Italisë rekomandon përdorimin e maskave të tipit FFP2 si edhe të dorezave me një përdorim.

“Faktoje” kontaktoi me Ministrinë e Brendshme për të pyetur nëse punonjësit e policisë janë të pajisur me mjete mbrojtëse dhe a kanë detyrim për t’i mbajtur ato. Një përfaqësues i ministrisë së Brendshme na bëri me dije që çdo punonjës policie është i pajisur me maska mbrojtëse dhe doreza, të cilat i ka siguruar kryesisht Policia e Shtetit, por nuk përjashtohen rastet kur janë siguruar nga vetë punonjësit.

“Çdo punonjës policie e ka detyrim për t’i mbajtur e përdorur mjetet mbrojtëse, për arsye të sigurisë për shëndetin e tyre dhe familjeve të tyre”, specifikoi ministria e Brendshme në përgjigjen e saj për “Faktoje”.

“Faktoje” kontaktoi gjithashtu me degën europiane të Organizatës Botërore të Shëndetit për ta pyetur mbi përdorimin e maskave në radhët e punonjësve të policisë. Në përgjigjen e saj, OBSH tha se nuk ka udhëzime specifike për policët.

“Udhëzimet e përgjithshme për përdorimin e maskave do të aplikohen gjithashtu edhe tek policët, nëse janë të sëmurë ose kujdesen për persona që janë të sëmurë, duhet të përdorin maska. Një maskë mjekësore nuk është këshilluar për individë që nuk kanë simptoma në rrugët e frymëmarrjes.”u shpreh OBSH.

Sipas “Police One”, faqja amerikane dedikuar komunitetit të forcave të rendit në Shtetet e Bashkuara, nga 25,529 policë që kanë raportuar në këtë faqe, 635 ishin të ekspozuar ndaj COVID-19, ndërsa 507 nuk ishin në gjendje të punonin. Ndërsa nuk kanë munguar as vdekjet në shkallë botërore të forcave të policisë për shkak të koronavirusit, edhe pse është e vështirë që të jepet një numër i saktë.

Këtë fakt e thekson edhe zoti Alimehmeti:
“Këto raste janë vetëm maja e ajsbergut. Shumë raste të tjera janë të paraportuara, të pazbuluara apo thjesht pa simptoma fare. Infektimi nga SARS-CoV-2 në rradhët e policisë është i pashmangshëm, për këtë arsye nevojiten trajnime të rregullta mbi marrjen e masave dhe sjelljeve mbrojtëse ndaj çdo lloj sëmundjeje ngjitëse, përfshirë këtu edhe COVID-19.”

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img