BallinaFaktometerE PavërtetëRama: Policia e Shtetit është shumë herë më e mirëpaguar se ç’ishte dje

Rama: Policia e Shtetit është shumë herë më e mirëpaguar se ç’ishte dje

MERXHAN DACI

A janë punonjësit e Policisë së Shtetit shumë herë më të mirëpaguar se më parë, siç ka deklaruar së fundmi kryeministri Rama? Gjatë verifikimit të kësaj deklarate “Faktoje” iu referua vendimit të Këshillit të Ministrave, ndërkohë që sipas Sindikatës së Policisë 80% e punonjësve të policisë në vitin 2018 kishin aplikuar për lotarinë amerikane, ndërkohë në 2019-n, 260 prej tyre lanë detyrën.

——————————————————————————————————————–

 “Nuk kemi bërë sa kemi dashur për shpërblimin e forcave të Policisë së Shtetit, por ama kemi bërë gjithçka dhe sot Policia e Shtetit është shumë herë më e mirëpaguar se ç’ishte dje”, tha Rama në 13 janar të këtij viti.

Qeveria Rama, me një VKM që mban datën 15 mars 2017, “Për trajtimin me pagë dhe shtesa mbi pagë të punonjësve të policisë” parashikoi rritje të pagave të punonjësve të policisë sipas gradave.

Asokohe, qeveria tha se rritja e pagave ishte 17%. Sipas të dhënave, paga bazë (bruto) e një inspektori në vitin 2013 rezulton të ketë qenë 41,500 lekë.

Siç shihet edhe nga tabela, një inspektor policie merr 50-mijë lekë bruto si pagë bazë.

Megjithatë, Policia e Shtetit konfirmoi për “Faktoje” se kjo është hera e parë dhe e fundit që nga viti 2013 që pagat e punonjësve të policisë janë rritur me vendim qeverie.  

Në vitin 2013, kryeministri Rama thoshte: “Angazhimi ynë për pagat: Inspektori i policisë në vitin 2012 e filloi me 31. 920 lekë, në një mandat do ta çojmë 570 mijë lekë”.

Problemet e Policisë sot

Mbi 260 efektivë policie gjatë vitit të shkuar dhanë dorëheqjen nga radhët e Policisë së Shtetit.

Sipas kreut të Sindikatës së Policisë, Sadetin Fishta, këto largime kanë ardhur si pasojë e pagave të ulëta dhe të liberalizimit të procedurave të emigrimit në vendet evropiane. 

Në fund të vitit 2018, sindikata raportoi po ashtu se 80% e efektivëve kryefamiljarë kishin aplikuar për lotarinë amerikane.

Shtuar kësaj, një investigim i Qendrës për Gazetari Cilësore vitin e shkuar tregoi se një fenomen tjetër është edhe dypunësimi i forcave të policisë për shkak të pagave të ulëta.

Edhe pse dypunësimi i efektivëve nuk lejohet me ligj (përveç mësimdhënies), pagat e ulëta dukshëm e favorizojnë këtë fenomen teksa Policia e Shtetit duket se e toleron.

Pagat e policëve në rajon

Shqipëria ka një nga pagat më të ulta për policinë në rajon. “Faktoje” krahasoi se sa paguhet një inspektor policie në Serbi dhe Kosovë me një inspektor në Shqipëri.

Siç shihet edhe nga tabela, inspektorët e policisë paguhen më shumë në Kosovë dhe në Serbi, teksa një inspektor i policisë në Shqipëri e ka pagën bazë 409 euro.

Kur i pyet për rritjen e pagave, Policia e Shtetit por edhe vetë efektivët të drejtojnë tek VKM-ja e vitit 2017 si e vetmja rritje nga viti 2013.

Edhe pse një rritje pagash ka pasur, ajo nuk është sa objektivi që kryeministri Rama kishte përcaktuar në fillim të vitit 2013, pa marrë ende pushtetin, dhe për më tepër nuk është “shumë” herë.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img