SAMI CURRI
Rahim Spahiu kandidati i Partisë Socialiste, është kryetari i ri bashkisë së Dibrës pas zgjedhjeve të pjesshme lokale të 6 marsit 2022. Kryebashkiaku i cili deri në vitin 2020 nuk ka patur një angazhim publik politik, me një profil ekonomik, tashmë do të drejtojë bashkinë në veri të vendit për një vit.
Gjatë periudhës së fushatës Spahiu nuk ka pasur asnjë dalje publike për mediat, ndërsa në takimet elektorale të zhvilluara në Dibër kreu i bashkisë ka përmendur këto prioritete: infrastruktura, bujqësia dhe turizmi.
Bashkia Dibër
Më 6 mars 2022, në zgjedhjet e pjesshme vendore Rahim Spahiu u zgjodh fitues me 13, 995 vota duke lënë pas vendin e dytë, kandidatin e koalicionit “Shtëpia e Lirisë”, Premtim Kryemadhi me 4, 478 vota, kandidatin i Partisë Demokratike, Luan Haka me 4, 437 vota. Në fund, kandidati i LRE, Dritan Torba arriti të marr vetëm 99 vota.
Afro 23,000 qytetar nga 56,780 me të drejtë vote, morën pjesë në këtë proces për zgjedhjet e pjesshme vendore në Dibër. Të numëruara 100 kuti votimi nga 101 në total. Për shkak se një kuti është dëmtuar gjatë transportit është vendosur që të numërohet në KQZ Tiranë, por pa ndikim në rezultat, pasi janë vetëm 180 vota. Në zgjedhjet e pjesshme lokale, Dibra pati pjesëmarrjen më të madhe në votime me afro 42%. Por një pjesëmarrje e tillë është afro 11% më e ulët se në zgjedhjet për Kuvend të 25 prillit 2021.
Kush është kryetari i ri i bashkisë Dibër
Rahim Spahiu ka kryer studimet e larta pranë Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Tiranës, ndërsa prej vitesh ka punuar si drejtues i një banke të nivelit të dytë në vend. Ai ka hapur dhe drejtuar disa degë të kësaj banke në Tiranë. Spahiu është me origjinë nga Dibra dhe banon prej afro 20 vitesh në Tiranë. Deri në vitet 2000 ai ka punuar në një bankë private në qytetin e Peshkopisë dhe nuk ka pasur angazhime politike më parë. Vetë Spahiu nuk mundi votojë dot për veten e tij në këto zgjedhje, pasi figuron si banor i Njësisë Administrative numër 11 në Tiranë.
Premtimet
Spahiu gjatë periudhës së fushatës nuk ka pasur asnjë dalje publike për mediat. Interesi për ta pasur në intervista apo kronika televizive, ka sjellë refuzimin e vazhdueshëm nga drejtuesit e shtabit elektoral. Por në takimet elektorale të zhvilluara në Dibër ai ka përmendur këto prioritete gjatë mandatit të tij më pak se një vit në krye të Bashkisë Dibër; infrastruktura, bujqësia dhe turizmi.
Premtimet e kreut të bashkisë Dibër
Sipas tij Dibra nuk mund të ketë rrugë të pashtruara, zona të paorganizuara, të pakujdesura nga pushteti vendor. Në takimin e zhvilluar me sipërmarrës dhe përfaqësues të biznesit që operojnë në zonën e Dibrës, Spahiu shkruan se bashkia do të bëjë gjithçka për të qenë në krah të tyre, duke i ndihmuar përmes krijimit të një klime sa më të favorshme për këtë sektor. Gjatë fushatës elektorale Spahiu nuk ka pasur asnjë plan konkret se si mund të realizohen këto zotime të tij.
Premtimet e kreut të bashkisë Dibër
Dinamika e zgjedhjeve në bashkinë Dibër
Bashkia Dibër në harkun kohor të shtatë viteve ka ndërruar 5 kryetarë bashkie – tre të zgjedhur dhe dy të emëruar. Por edhe pse shoqëruar me disa skandale, Partia Socialiste ka mundur që të drejtoj këtë bashki që prej vitit 2015-të.
Dibra është konsideruar si bastion i Partisë Demokratike, por që zgjedhjet e vitit 2015-të, skema të ndryshme zgjedhore kanë ndikuar që kjo bashki të ketë një përmbysje. Fillimisht do të ndodhte në zgjedhjet lokale të vitit 2015-të, ku për afro 500 vota më shumë, arriti të fitonte kandiati i Partisë Socialiste, Shukri Xhelili. Ky i fundit do të arrinte të fitonte 15,027 vota. Xhelili nuk do ta mbante gjatë detyrën e të parit të qytetit, pasi një skandal seksual në vitin 2016-të, do të sillte shkarkimin e tij nga detyra, fillimisht nga Këshilli i Ministrave – vendimi për shkarkimin e Xhelilit do ta linte në fuqi edhe Gjykata Kushtetuese. Dibra do të shkonte në zgjedhje, ndërsa faktori “Çam”, do të mundësonte fitoren e zgjedhjeve për pushtet vendor të kandidatit socialist përmes blerjeve masive të votave dhe shantazhit. Muharrem Rama, kandidati socialist do të merrte 18, 603 vota, me një diferencë prej 4232 ndaj kandidatit të Partisë Demokratike, Sherefedin Shehu.
Dominimi i Partisë Socialiste do të vijonte edhe në zgjedhjet për Kuvend në vitin 2017-të ku në qarkun Dibër do të merrte 24, 795 vota, Partia Demokratike do të binte në nivelin më të dobët historik të votave në 21, 331 vota dhe PDIU me 12, 605 vota, ndjeku nga LSI me 12, 267 vota. Këto fitore të thella të socialistëve dhe rritja elektorale e PDIU – pavarësisht se në Dibër nuk ka një komunitet çam. Një sërë përgjimesh do të bëheshin publike në media që tregonin se një sërë funksionarësh shtetërore dhe persona të tjerë pranë socialistëve ishin përfshirë në manipulimin e votave. E ashtuquajtura “Dosja 184” do të trazonte ujërat politike për një kohë të gjatë – do të çonte opozitën në lënin e mandateve në Kuvend si dhe braktisjen e zgjedhjeve lokale në vitin 2019-të.
Zgjedhjet lokale pa praninë e opozitës në vitin 2019-të do të fitoheshin prej Partisë Socialiste, si në të gjitha bashkitë e vendit. Dionis Imeraj do të merrte i vetëm afro 13,000 vota për kryetar të Bashkisë Dibër. Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë më 25 prill 2021 do risillnin Partinë Demokratike sërish dominuese në Dibër, kjo edhe falë zbehjes së faktorit çam, pas publikimit të përgjimeve të Dosjes 184. PD do të merrte 3 mandate dhe kryesisht me më shumë vota në bashkinë Dibër, pasi në 3 bashkitë e tjera të qarkut, rezultati do të ishte i dobët, krahasuar me Partinë Socialite. Diferenca e votave të PD në Dibër do të ishte 2, 288 vota. Por në këto zgjedhje të pjesshme patë një situatë të re të krijuar në kampin opozitar, përçarja ishte më e madhe se kurrë dhe nga e djathta kishte dy kandidatë.
Periudha e fushatës zgjedhore në Dibër, përgjithësisht ka qenë e qetë dhe pa incidente – si dhe pa simbole partiake të vendosura në hapsira publike.