BallinaFaktometerPa kategoriSi i justifikuan zyrtarët kushtet skandaloze në Spitalin e Lushnjës

Si i justifikuan zyrtarët kushtet skandaloze në Spitalin e Lushnjës

Një artikull i Faktoje i publikuar në janar të këtij viti, tregoi se në spitalin e Lushnjës mungonin ngrohja dhe uji, ndërsa mjediset e brendshme ishin plot lagështirë. Disa javë pas këtij artikulli, Drejtoria e Spitalit “Ihsan Çabej” konfirmoi amortizimin e kaldajave dhe mungesën e ujit, por u justifikua se ngrohjen e siguronin me kondicionerë, edhe pse pacientët dëshmojnë se ngrohëset i sjellin vetë, ndërsa furnizimi me ujë ishte ndërprerë disa orë pikërisht ditën kur Faktoje bëri verifikimin brenda spitalit.

Një verifikim i Faktoje në mesin e muajit janar 2022 në spitalin e Lushnjes, konstatoi probleme serioze, ku më kryesoret ishin mungesa e ngrohjes dhe e ujit si dhe prania e lagështirës nëpër pavionet e spitalit. Këtë problematikë e kishte denoncuar më herët në Kuvend deputeti i PD, Saimir Koreshi.

“Këtu u tha që ne kemi bërë shëndetësinë jashtëtokësorë. Po hajde njëherë në spitalin e Lushnjës, ke frikë të hysh e jo më të mjekohesh” – deklaroi më 17 shtator 2021, Korreshi.

Gjatë verifikimit në terren mësuam se ndonëse temperaturat ishin nën zero, në spital mungonte sistemi i ngrohjes, në shërbimin e Pediatrisë mungonte uji ndërsa lagështira në mure, ishte e pranishme thuajse në çdo pavion.

Në lidhje me këto problematika të ngritura nga vetë pacientët dhe familjarët e tyre, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Ministrisë së Shëndetësisë dhe Bashkisë Lushnjë.

Kërkesa për informacion dërguar Ministrisë së Shëndetësisë dhe Bashkisë Lushnjë, 18 janar 2022

Ne morëm përgjigje nga Drejtoria e Spitalit “Ihsan Çabej”, më datë 17 shkurt pas ankimimit të bërë në adresë Të Komisionerit Për Të Drejtën e Informimit.

Drejtoria e spitalit pranoi se një pjesë e sistemit të kaldajave janë të amortizuara dhe nuk funksionojnë, por theksojnë se është siguruar ngrohja me kondicioner apo ngrohëse elektrike.

Sipas përgjigjes zyrtare të Spitalit Lushnje, pacientët i marrin ngrohëset, pasi është një dëshirë e tyre dhe jo sepse nuk ofrohet ky shërbim nga spitali.

Spitali i Lushnjës, 13 janar 2022

“Për sa i përket sistemit të ngrohjes, ai nuk mungon. Aktualisht funksionon një pjesë e kaldajave, pjesa tjetër është tejet e amortizuar. Dhe aty ku kaldajat nuk funksionojnë, nga ana e drejtorisë janë marrë të gjitha masat që ambientet të ngrohen me kondicioner dhe ngrohëse elektrike. (Për sa i takon pretendimit që pacientët i marrin ngrohëset me vete, kjo mund të ndodhë se dëshirojnë që të kenë ngrohëset e tyre)”-sqarohet në përgjigjen zyrtare.

Në lidhje me mungesën e ujit në spital theksohet se më 13 janar, ditën e verifikimit nga Faktoje, ka pasur një defekt madhor në qytetin e Lushnjës

“Për sa i përket mungesës së ujit është e vërtetë që në datën 13 janar nuk ka pasur ujë, pasi ka qenë një defekt madhor që ka përfshirë qytetin prej tre ditësh, por spitali ka pasur vetëm disa orë pa ujë në datën 13 janar. Sqarojmë se spitali furnizohet me ujë në linjë të veçantë, ka depozita të mëdha uji, si dhe një pus që siguron ujë të vazhdueshëm”- bën të ditur Spitali i Lushnjës për Faktoje.

Spitali i Lushnjës, 13 janar 2022

Zyrtarisht sqarohet se spitali i është nënshtruar rikonstruksioneve të herëpas’hershme dhe së fundmi është bërë ndërhyrje në shërbimin e urgjencës.

“Për sa i përket mirëmbajtjes se objekteve, ju sqarojmë se spitali ka një fond prej 3,276,363 lekë pa TVSH, me të cilin kryhet mirëmbajtja e objekteve, fond i cili është për periudhën qershor 2019 deri në dhjetor 2021. Në vazhdimësi është bërë, sipas shërbimeve rikonstruksion total. Në vitin 2019-2020 është bërë rikonstruksion i plotë i repartit të patologjisë. Në vitin 2021 është bërë rikonstruksion i plotë i shërbimit të pranimit të urgjencës dhe në vazhdimësi do të kryhen edhe rikonstruksione të reparteve të tjera”- argumenton drejtoria e spitalit të Lushnjës.

Spitali i Lushnjës, 13 janar 2022

Përgjigjja nga Drejtoria e Spitalit “Ihsan Çabej” në Lushnje, 17 shkurt 2022 

Më 16 shkurt, drejtuesi politik i PS për Qarkun e Fierit, Taulant Balla dhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ishin në spitalin e Lushnjës, ku propaganduan investimet në urgjencën e këtij spitali.

“Ne do të vazhdojmë të investojmë edhe më shumë në këtë qendër të rëndësishme spitalore, me qëllim garantimin e çdo shërbimi të specializuar. Investimet e reja dhe zgjerimi i shërbimeve është përgjigjja ime për thashethemet keqdashëse që lidhen me këtë Spital të rëndësishëm në rrjetin kombëtar të shërbimit spitalor”-shkruante Balla në Facebook, krahas videos së postuar.

Vizita e dy zyrtarëve të rëndësishëm erdhi pas problematikave të ngritura nga Faktoje në lidhje me kushtet në këtë spital dhe shqetësimit të adresuar pranë institucioneve përkatëse.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img