Pretendimi: Elon Musk njoftoi hapjen e një portali ndërdimensional nga CERN

Verdikti: E pavërtetë, Foto AI

kthyer shpesh në personazh të pretendimeve të pabaza që qarkullojnë në rrjetet sociale. Një postim i fundit në 10 janar në Facebook citoi shefin e Tesla dhe Space X si autor të lajmit se “CERN hapi aksidentalisht një portal në një dimension tjetër“.

Ky lloj pretendimi, i mbushur me mister dhe fantazi shkencore, ka tërhequr vëmendjen e shumë përdoruesve të rrjeteve sociale.

CERN i referohet Organizatës Evropiane për Kërkime Bërthamore, një organizate ndërqeveritare që operon laboratorin më të madh të fizikës së grimcave në botë në Zvicër. Në qendër të kërkimeve të CERN është përshpejtuesi i grimcave Large Hadron Collider, i cili mundëson përplasje të grimcave me shpejtësi shumë të madhe, duke krijuar kushte që mund të simulojnë kushte të Universit të hershëm.

Një portal dimensional, një ëndërr e hershme e njeriut, që mund të jetë hapur aksidentalisht nga eksperimentet që po zhvillohen në CERN, mbetet një pretendim i pajetëzueshëm.

Aktualisht, rezulton se qendra e kërkimeve është e mbyllur për pushime dimërorë dhe kërkuesit pritet që të rinisin punën shkencore në maj 2025.

Përveç faktit që një njoftim i tillë nuk është bërë nga Musk në asnjë prej postimeve të tij apo konferenceva publike, ky pretendim është praktikisht i pamundur sipas parimeve të njohura të fizikës.

Duke i dhënë një shqyrtim shkencor të thjeshtë, teorikisht është e pamundur që një “portal dimensional” të hapet përmes eksperimenteve që po realizohen në CERN.

Eksperimentet në CERN, janë të bazuara në parime të rrepta shkencore, dhe gjithçka që ndodh aty është nën mbikëqyrjen e ekspertëve të fushës, të cilët janë të angazhuar për të kuptuar natyrën e universit në mënyrë të sigurt dhe etike.

Si një nga institucionet më të avancuara shkencore në botë, CERN ka qenë gjithashtu subjekt i teorive të ndryshme konspirative, që pretendojnë se këto eksperimente mund të kenë pasoja shumë më të errëta se sa ato që paraqiten në publik.

Një detaj tjetër që tërheq vëmendjen është që fotoja e postuar e Musk duket të jetë e gjeneruar me teknologjinë e inteligjencës artificiale.

Në fund të fundit, teoritë e tilla janë një kujtesë se, pavarësisht nga shkenca dhe avancimi i njohurive, ne gjithmonë duhet të jemi kritik ndaj asaj që paraqitet si fakt në epokën e zhvillimit të përditshëm të teknologjisë.