.

.

BallinaBurokraciProkuroria e Përgjithshme kthen përgjigje pas shkeljes së përsëritur të afateve ligjore

Prokuroria e Përgjithshme kthen përgjigje pas shkeljes së përsëritur të afateve ligjore

Tetë muaj më parë Shqipëria u trondit nga tërmeti me pasoja tragjike, i cili mori jetën 51 personave dhe la mijëra të tjerë të pastrehë. Pak ditë pas ngjarjes kryeministri Rama tha se kishte filluar puna për të identifikuar përgjegjësit në godinat problematike që u shembën. Por kur “Faktoje” pyeti Prokurorinë e Përgjithshme, arriti të merrte përgjigje vetëm pas ankimimit tek komisioneri për të drejtën e informimit, pasi ishin shkelur në mënyrë të përsëritur afatet ligjore për kthim përgjigjeje.


Më 2 dhjetor, gjatë mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit të Ministrave, kryeministri Rama bëri me dije se kishte filluar puna për të gjetur përgjegjësitë ligjore në radhën e ndërtuesve që kishin konstruktuar godinat që patën probleme nga tërmeti.

“Njësia speciale kundër korrupsionit ka filluar të përgatisë gjithë hartën e veprimeve për të identifikuar përgjegjësi në godinat problematike.” – tha ai.

Më datë 14 maj, “Faktoje” i dërgoi koordinatorit për të drejtën e informimit në Prokurorinë e Përgjithshme, një kërkesë për informacion, duke e pyetur se sa procedime penale kanë nisur mbi përgjegjësit për në lidhje me banesat e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe dhe në ç’fazë janë ato aktualisht.

Sipas ligjit 119/2014 “Për të Drejtën e Informimit”, institucioni përkatës ka 10 ditë (pune) kohë për të kthyer përgjigje, afat ky i cili u shkel.

Më 11 qershor, “Faktoje” iu drejtua Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjes së të Dhënave Personale, duke ankimuar moskthimin e përgjigjes nga ana e institucionit në fjalë.

Më 16 qershor zyra e Komisionerit adresoi problematikën duke i kërkuar Prokurorisë së Përgjithshme të kthejë përgjigje brenda datës 22 qershor 2020 për kërkesën për informacion dërguar nga “Faktoje”.

Data 22 qershor kaloi pa përgjigje, duke u kthyer në afatin ligjor të radhës së shkelur nga Prokuroria e Përgjithshme.

Prokuroria e Përgjithshme iu përgjigj kërkesës për informacion më datë 26 qershor, 4 ditë me vonesë nga afati i fundit i vendosur nga zyra e Komisionerit, dhe rreth 1 muaj e gjysëm nga dërgimi i kërkesës për informacion duke cënuar në këtë formë një të drejtë që i takon me ligj,  jo vetëm gazetarit, por edhe çdo qytetari.

Në përgjigjen e saj të vonuar Prokuroria  Përgjithshme justifikohet duke thënë se nuk është  detyrë e saj të kthejë përgjigje, por e prokurorive të rretheve. Në fakt, koordinatori I të drejtës për informim është në prokurorinë e Prgjithshme dhe jo në prokuroritë e rretheve. Ndërkohë kujtojmë se më parë ka qenë vetë Prokuroria e Përgjithshme e cila ka kthyer përgjigje brenda afateve, për çështje me të njëjtin objekt, ndaj “Faktoje” e cila përballet shpesh me zvarritje të dhënies së informacionit ose moskthim përgjigjeje është e vendosur të vazhdojë ta kërkojë atë në kohën dhe standardin e përcaktuar.

JOEL ÇELA

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img