Në analizën vjetore dhe prioritetet e punës për këtë vit, Ministrja e infrastrukturës Belinda Balluku, lajmëroi sërish çeljen e garës ndërkombëtare për portin e ri tregtar në Porto Romano. Sipas Ballukut, gara për ndërtimin e portit të ri do të hapet brenda tremujorit të parë të këtij viti. Verifikimet e Faktoje tregojnë se afati është shkelur me të paktën një vit. 

Esmeralda Topi 

‘Në tremujorin e parë hapim garën ndërkombëtare për portin e ri në Porto Romano’, deklaroi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku gjatë analizës vjetore dhe prioriteteve të dikasterit që drejton prej pesë vitesh.

Shkëputur nga prezantimi, ‘Arritjet 2023 dhe Planet 2024’

Vit i ri, afate të reja

Verifikimet e Faktoje tregojnë se ministria e Infrastrukturës ka shkelur me të paktën një vit afatin për çeljen e garës ndërkombëtare të Porto Romanos, që do t’i hapte rrugën ndërtimit të portit të ri tregtar në Shqipëri. 

‘Në fund të janarit 2023, sipas gjithë punës që po bëjmë me Eric Smit dhe me Royal Haskoning ne do të jemi të gatshëm për të lançuar garën ndërkombëtare, e cila do të jetë e hapur për të gjitha kompanitë që kanë treguar një interes të veçantë.’, deklaronte në 2022 Belinda Balluku gjatë prezantimit të një projekti 3D të Porto Romanos. 

“Për sa kohë nuk ka projekt të detajuar, por vetëm nga këto 3D që janë bërë të zakonshme, s’ka se si të ketë garë për ndërtimin e portit të ri. Të gjitha ato që ministrja tha sot janë për t’i dhënë kohë kohës, po s’kanë për ta bërë. Të tjera afate do të shkelen”, thotë inxhinieri i porteve, Tomor Spahiu për Faktoje. 

(Verifkimi i Faktoje këtu)

Nëse gara ndërkombëtare për portin e ri në Porto Romano do të ishte hapur në fund të muajit janar, fituesi planifikohej të shpallej në korrik të vitit të kaluar. Sikurse u paralajmërua më herët nga një artikull i Faktoje, kjo është zvarritja e parë e projektit. Autoriteti Portual justifikohej se shkak për shkeljen e afateve të dhëna publikisht ishte mënyra e financimit të Portit të ri.

“Me konkludimin e formës së paracaktuar të financimit e cila do të mundësojë edhe sigurimin e fondeve dhe buxhetin e nevojshëm, për fillimin e implementimit të fazës së parë të projektit, do të çelet zyrtarisht edhe gara ndërkombëtare për kompanitë e interesuara sa i përket zbatimit të këtij projekti.”, shkruhej në përgjigjen zyrtare të Autoritetit Portual Durrës për Faktoje korrikun e kaluar. 

Porti i ri tregtar në Porto Romano do të kushtojë 390 milionë euro (pa TVSH), ku thuajse gjysma e financimit do të sigurohet nga qeveria dhe pjesa tjetër nga privati. Konkretisht, buxheti i shtetit pritet të japë 180 milionë, ndërsa kompania private 210 milionë eurot e tjera. Ndryshe nga sa u tha në fillim, Autoriteti Portual nuk mund të ndërtojë portin e ri me vetfinancim pasi nuk ka para. (Verfikimi i Faktoje këtu)

Përfundim

Deklarata e ministres Balluku për hapjen e garës ndërkombëtare për Porto Romanon këtë fillimviti është thjesht një riciklim i vjetër në një vit të ri. Zhvendosja e portit tregtar nga Durrësi në Porto Romano ka nisur me zvarritje dhe shkelje afatesh, të cilat, Faktoje i ka verifikuar gjatë 2023 përmes disa artikujve.