Përveç Kurtit, edhe kryeministrja e Bosnjës mungoi në takimin informal të Procesit të Berlinit

565

Më 17 korrik, kryeministri Edi Rama priti në një takim informal në Tiranë kryeministrat e rajonit bashkë me Komisionerin e Bashkimit Europian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë Olivér Várhelyi. Takimi shënoi dy mungesa të rëndësishme, kryeministrin e Kosovës si dhe kryetaren e Këshillit të Ministrave të Bosnjës, por disa media në Shqipëri e anashkaluan këtë mungesë të dytë.

Esmeralda Topi

Të hënën e 17 korrikut, kryeministri Edi Rama priti në një takim informal në Tiranë Komisionerin e Bashkimit Europian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Olivér Várhelyi bashkë me Kryeministrin e Republikës së Malit të Zi, Dritan Abazović, Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovačevski dhe Kryeministren e Republikës së Serbisë, Ana Brnabić.

“Sot pas takimit informal mbi Planin e Ri të mbështetjes financiare dhe ekonomike të BE-së për Ballkanin Perëndimor, me Komisionerin e Bashkimit Europian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Olivér Várhelyi Kryeministrin e Republikës së Malit të Zi, Dritan Abazović Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovačevski dhe Kryeministren e Republikës së Serbisë, Ana Brnabić.”, shkruante Rama në rrjetin social Facebook, teksa ndante me ndjekësit edhe fotografinë e shkrepur pas mbledhjes që i paraprin Procesit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë në muajin tetor.

Në takimin informal të thirrur nga kryeministri Edi Rama pas një turi dy ditor në rajon, përveç përfaqësuesit të Bashkimit Europian, ishin ftuar të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor.

“…Nuk shoh asnjë interes sepse ishin të gjithë të ftuar dhe kush deshi erdhi, e kush nuk mundi, nuk erdhi.”, i tha Rama gazetarëve nga salla e Kryeministrisë teksa u pyet vetëm për mungesën e Kryeministrit Kurti ndërkohë që në takim morën pjesë vetëm katër liderë nga gjashtë vendet e rajonit që janë pjesë e Procesit të Berlinit.

Më konkretisht, takimit të 17 korrikut nuk iu bashkua kryeministri i Kosovës Albin Kurti si dhe kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnje Hercegovinës, Borjana Kristo ndonëse mediat në Shqipëri vunë në dukje vetëm një mungesë, atë të kryeministrit Kurti.

“Pjesë e takimit kanë qenë: kryeministri i Malit të Zi me mandat teknik, Dritan Abazoviq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, dhe kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjës, Borjana Kristo. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka marrë pjesë në takim.”, shkruan portali shqiptarja.com në lajmin dedikuar takimit në fjalë.

Screenshot nga lajmi i portalit Shqiptarja.com

Verifikimet tregojnë se në fakt, krahas Kurtit edhe kryetarja e Këshillit të Ministrave në Bosnje Hercegovinë Borjana Kristo nuk ishte pjesë e takimit, ndonëse në media të ndryshme pretendohet e kundërta.

Teksa mediat në Shqipëri i dhanë rëndësi mungesës së Albin Kurtit, vetë Kryeministri pranonte se pjesë e takimit ishin tre nga liderët e ballkanit Perëndimor, duke e dokumentuar këtë fakt përmes fotografisë të postuar fill pas takimit.

Ndërkaq, “Faktoje” e konfirmoi mungesën e kryetares së Këshillit të Ministrave të Bosnje Hercegovinës Borjana Kristo edhe përmes Agjencisë për Media dhe Informim.

Në përgjigje të kërkesës sonë,Manjola Hasa, drejtore pranë Drejtorisë për Media dhe Informim, u përgjigj se:“Znj. Kristo nuk ka qënë pjesë e takimit.”

*Ky shkrim është prodhuar si pjesë e iniciatiavës rajonale Qendra Kundër Dizinformiminit e Ballkanit Perëndimor

Redaktoi: Viola Keta & Aimona Vogli