BallinaProjekteQendra Kundër Dezinformimit e Ballkanit PerëndimorIronia e Ramës nuk i drejtohej kryeministrit Albin Kurti

Ironia e Ramës nuk i drejtohej kryeministrit Albin Kurti

Takimet e kryeministrit Rama në kuadër të turit të tij në rajon të njoftuar në kuadër të përgatitjeve për samitin e Procesit të Berlinit që mbahet në Tiranë në tetor të këtij viti, janë kthyer në burim keqinformimi për shkak të interpretimit që mediat i kanë bërë fjalëve të tij. Një përgjigje e kryeministrit Rama lidhur me një takim të mundshëm me Albin Kurtin si dhe Bilal Kasamin, kryetarin e komunës së Tetovës ka “hutuar” një pjesë të mediave online dhe ka “joshur” gjahtarët e karremave të klikimeve.

Jona Plumbi

Kryeministri shqiptar Edi Rama nisi një tur ballkanik në muajin korrik gjatë të cilit takoi krerët e qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndimor, me argumentin se po përgatitet për samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë në muajin Tetor.

Ky udhëtim erdhi në një periudhë marrëdhëniesh të tensionuara në rajon për shkak të përplasjes në veri të Kosovës mes uniformave blu dhe serbëve të Kosovës si pasojë e zgjedhjeve të pjesshme në komunat me shumicë serbe. Pozicionimi i qeverisë shqiptare në këtë konflikt ishte ai i ndërmjetësit, kur kryeministri Rama vendosi t’i propozojë ndërkombëtarëve një draft për krijimin e Asosacionit të komunave Serbe në Kosovë, pa u konsultuar me këtë të fundit.

Kjo tendosi marrëdhëniet mes dy kryeministrave shqiptarë, sidomos pas anulimit që Rama i bëri mbledhjes së përbashkët të dy qeverive. Por Kurti ia ktheu me të njëjtën monedhë kur refuzoi të takohej me Ramën gjatë turit të tij ballkanik. Pikërisht nga ky refuzim i kryeministrit Kurti ka lindur edhe keqinformimi i shpërndarë në rrjet lidhur me atë çfarë Rama tha në konferencën e përbashkët me kryeministrin maqedonas.

Një pjesë e mediave raportuan në 6 korrik se Rama kishte deklaruar se ai nuk i kishte kërkuar takim Albin Kurtit ndaj refuzimi i këtij të fundit ishte i kotë.

Në fakt një verifikim i “Faktoje” tregon se përgjigjja e kryeministrit Rama, e raportuar si të ishte për kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, në fakt ishte një përgjigje për kryetarin e komunës së Tetovës, Bilal Kasami.

Gjatë konferencës me homologun maqedonas, Kovaçevski, të zhvilluar në të njëjtën ditë, Rama u pyet nga gazetarët atje për refuzimin që i bëri takimit me të kryeministri i Kosovës si dhe kryetari i komunës së Tetovës, Bilal Kasami. Në përgjigjen e tij për Bilal Kasamin, Rama tha se nuk kishte kërkuar takim, ndërsa për bashkëkombasin e tij Kurti ai citoi Kanunin e Lekë Dukagjinit si përgjigje të refuzimit të tij për t’u takuar.

Konferenca e plotë e Kryeministrit Rama me homologun maqedonas Kovaçevski

Gazetarja: Një koment nga ana juaj për faktin që kryeministri Albin Kurti refuzoi të takohet me ju dhe gjithashtu njoftoi që Bilal Kasami kryetar i partisë Besa edhe ai refuzoi të takohet me ju sot, dhe si e vlerësoni që Kurti refuzon të përmbushë kërkesat e SHBA, mund të thuhet që me këtë cënohet imahzi pozitiv që shqiptarët kanë në rajon për partnerët strategjikë.

Rama: Unë nuk i kam kërkuar takim. Ka refuzuar paraprakisht duke menduar se une mund ti kërkoj takim. Bilali djalë i mirë, nuk do e hiqja kurrë nga punët e Tetovës sot për punët e NATO-s.

Gazetarja: Po për pjesën tjetër të pyetjes atë për Albin Kurtin dhe si e vlerësoni refuzimin që ai i bën ndërkombëtarëve?

Rama: E trajtojmë mes shqiptarësh në Kosovë kur të shkoj. Unë kam akoma shpresë që Albini nuk e ka harruar kanunin që kur vihet në shtëpi edhe hasmit i hapet dera dhe është e ndaluar ta nxjerrësh deri kur ai të mbarojë fjalën.

Pavarësisht kësaj, një pjesë e mediave kanë “preferuar” ta konsiderojnë përgjigjen e dhënë për Kasamin, si të ishte për kryeministrin Kurti edhe pse Rama e kishte njoftuar prej kohësh se në turin e tij të rajonit do të takohej me homologët e tij.

Pretendimi i ngritur nga mediat e mësipërme është përgënjeshtruar edhe nga Hibrid.info dhe S’bunker.net.

*Ky shkrim është prodhuar si pjesë e iniciatiavës rajonale Qendra Kundër Dizinformiminit e Ballkanit Perëndimor

Redaktoi: Viola Keta & Aimona Vogli

Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img