Politika shqiptare duket se nuk kursehet për të lobuar, qoftë edhe në periudha krize. Partia Demokratike, ajo Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë shpenzuar 1,4 milionë dollarë për të lobuar në SHBA, Uashington në vitet 2016, 2017 dhe 6-mujorin e parë të vitit 2018. Sipas të dhënave të Departamentit amerikan të Drejtësisë, PD “udhëheq” listën e shpenzimeve të kryera për lobim me 878 mijë dollarë në vetëm dy vite e gjysmë. Nga ana tjetër, sa transparente janë partitë politike në vend për sa i përket financave dhe shpenzimeve që kryejnë?
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, të martën akuzoi Partinë Demokratike se ka shpenzuar 60.000 dollarë për lobim në SHBA, ndërkohë që vendi po përjeton krizë si pasojë e pandemisë “Covid-19”.
“Shqipëria në luftë me Covid-19, Lulzim Basha harxhon 60 mijë dollarë për lobing Departamenti Amerikan i Drejtësisë, përmes Aktit të Rregjistrimit të Agjentëve të Huaj ka rregjistruar më 20 Mars 2020, një kontratë të re lobingu në SHBA të Partisë Demokratike me një kompani që ndër klientët e vet rregjistron edhe zyrtarë të lartë të regjimit të Maduros në Venezuelë,” – shkroi Balla.
Postimin në rrjetin social “Facebook”, Balla e shoqëroi edhe me “screenshot-e” të kontratës së PD të lidhur me një kompani lobimi si dhe link-un e Departamentit Amerikan i Drejtësisë, e më konkretisht seksionin e Aktit të Rregjistrimit të Agjentëve të Huaj.
Screenshot-e nga kontrata e lobimit të Partisë Demokratike
Çfarë kërkojnë përmes lobimit partitë politike shqiptare?
Kontratat e lobimit të partive politike shqiptare nuk janë të përqëndruara vetëm për ruajtjen e kontakteve në Uashington, përmisimin e imazhit apo edhe për mundësinë që të takohen me zyrtarë të ndryshëm në Shtetet e Bashkuara. Marrëveshjet me kompanitë e ndryshme të lobimit përfshijnë edhe takimet për të shprehur denoncimet mbi situatën politike në vend duke mbajtur edhe qëndrime “të nivelit të lartë”.
Sa shpenzojnë partitë politike për lobim?
“Faktoje” përmes të dhënave të Departamentit Amerikan të Drejtësisë shqyrtoi periudhën kohore 2016, 2017, dhe 6 mujorin e parë të vitit 2018. Më shumë se 1.2 milionë dollarë kanë shpënzuar tre partitë kryesorë shqiptare për lobingnë Uashington.
Partitë Politike nuk janë transparente me financat!
Nga të dhënat e Departamentit amerikan të Drejtësisë, Partia Demokratike ka shpenzuar 878 mijë dollarë në vitet 2016, 2017 dhe 6-mujorin e parë të 2018-s.
“Ofruesi i shërbimit do të hartojë dhe zbatojë një fushatë elektoralepër zgjedhjet që do zhvillohen në Shqipëri në vitin 2017 për Partinë Demokratike. Ofruesi i shërbimit gjithashtu do të sigurojë konsultime për çështje qeverisëse, udhëzime dhe shërbime koordinimi ndërkombëtare si dhe të promovojnë vizionin dhe qëllimet e Partisë Demokratike të Shqipërisë,” – thuhet në përshkrimin e tipologjisë së kontratës së lidhur me Partinë Demokratike.
Kontratë lobimi e PD me vlerë 675,000 dollarë
Asnjë nga tre partitë, PS, PD dhe LSI nuk publikon informacion për buxhetin dhe financat
Në bazë të ligjit në fuqi “Për partitë politike” “barra e përgjegjësisë” për të monitoruar burimin e financimit të partive politike si dhe shpenzimet e tyre e ka Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili kryen auditet financiare të subjekteve politike.
Fondacioni Westminister për Demokraci dhe Instituti Shqiptar për Sipërmarrjen për shpenzimet e fushatës së zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017, publikuan një raport ku tregohet qartë se shpenzimet për fushatat zgjedhore janë shumë më të larta sesa deklarohen.
“Ligji aktual nuk ka fuqi mjaftueshëm që t`i detyrojë partitë politike të deklarojnë shpenzimet dhe të ardhurat gjatë fushatave zgjedhore. Partitë politike në Shqipëri janë organizata publike por sillen sikur të jenë private, gjë që e bën të vështirë supervizimin e tyrë nëpërmjet mekanizmave kushtetues”, thuhet në raport.