.

.

BallinaFaktometerPa kategoriPD, Bardhi: Në rajon numri i testeve transparent, në Shqipëri sekret shtetëror

PD, Bardhi: Në rajon numri i testeve transparent, në Shqipëri sekret shtetëror

Testimi në një masë të gjerë të popullsisë në këto kohë pandemie dhe kufizimi social janë disa nga masat themelore të rekomanduara nga OBSH. Por shifrat tregojnë se përqindja e testimeve në raport me popullsinë në Shqipëri është e ulët dhe nuk ka transparencë lidhur me numrin e kiteve që disponon ministria e Shëndetësisë dhe kërkeses reale të qytetarëve në gjithë Shqipërinë.


Të dielën, më datë 5 prill, në një intervistë për News 24, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, zoti Gazment Bardhi tha se procesi i testimeve po trajtohej si sekret shtetëror nga qeveria.

“Sa herë qeveria pyetet mbi numrin në dispozicion të testeve që disponon Shqipëria, ai trajtohet si sekret shtetëror, ndërkohë që në te gjitha vendet e tjera, përfshirë edhe Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Serbinë, dhe të gjitha vendet e rajonit, qytetarët kanë transparencë të plotë mbi numrin e testeve që disponon shteti”, u shpreh zoti Bardhi.

Nisur nga deklarata e Bardhit, “Faktoje” bëri një kërkim në faqen e Ministrisë së Shëndetësië të Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, si dhe Ministrinë tonë të Shëndetësisë. Në asnjërën prej tyre nuk ishte i listuar numri kiteve të testimit që secili vend kishtë në dispozicion. E njëjta gjë edhe për sa iu përket faqeve të instituteve përgjegjëse mbi shëndetin publik për secilin vend.

Linku mbi COVID-19 i aksesuar nga faqja e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës

Faqja e Ministrisë së Shëndetësisë në Serbi

Faktoje iu drejtua zotit Bardhi për ta pyetur mbi cilat të dhëna ishte bazuar për deklaratën e tij.

“Në deklaratën time i jam referuar informacioneve të përcjella nga Ministri i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, z. Venko Filipçe, sic raporton media vendase; apo Këshilltarit për shëndetësinë në Ministrinë e Shëndetësisë në Kosovë, Dr. Sami Uka, sic raporton po media vendase.”, tha Sekretari i Përgjithshëm i për Faktoje.

Sipas medias kosovare të cilës i referohet zoti Bardhi, përfaqësuesi i Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë, zoti Sami Uka, ka thënë më 2 prill se Kosova kishte në dispozicion 1500 teste të mbetura ndërkohë që të hënën (6 prill) do të furnizoheshin edhe me 6000 të tjera.

Për sa i përket Maqedonisë së Veriut, Ministri i Shëndetësisë, zoti Venko Filipçe më 4 prill ka deklaruar përmes një statusi në Facebook se deri në atë moment kishin 4500 teste në dispozicion, ndërkohë që prisnin një donacion prej 20 mijë testesh të tjera.

Çfarë ka deklaruar qeveria shqiptare, lidhur me numrin e kiteve:

Më datë 10 mars, në një konferencë për shtyp të Ministrisë së Shëndetësisë mbi përditësimin e situatës së shkaktuar nga COVID-19, drejtoresha e ISHP, zonja Albana Fico është pyetur nga Faktoje mbi numrin e kiteve të testimit që dispononte vendi ynë.

“Për sa i përket Institutit të Shëndetit Publik, tani që flasim, kemi mbi 2500 kite dhe kemi duke na trokitur në derë, dhe duhet të shkoj unë ta firmos atë letrën për pak, edhe 1000 teste të tjera.” u shpreh zonja Fico.

Më 26 mars në Open, ministrja e Shëndetësisë, zonja Ogerta Manastirliu nuk është përgjigjur mbi numrin total të testeve që ministria ka në dispozicion, por tha se pret 10 mijë teste, të cilat janë porositur nëpërmjet Organizatës Botërore të Shëndetit.

“Ne kemi porositur nëpërmjet OBSH 10 mijë teste, ndërkohë që vijojnë të furnizohemi me teste çdo javë. Edhe në fund të kësaj jave, fillimin e javës tjetër, presim serinë tjetër të testeve. 2000 mijë kanë ardhur herën e fundit. Nuk kemi ngelur asnjëherë pa teste dhe testet bëhen në vazhdimësi”-tha Manastirliu.

Më datë 6 prill, Faktoje iu drejtua Ministrisë së Shëndetësisë për ta pyetur mbi numrin e kiteve të testimit që ka Shqipëria në dispozicion. Deri tani nuk kemi marrë ende përgjigje.

Dje, më 7 prill, ministrja Manastirliu është pyetur në Opinion mbi numrin e kiteve për teste që kishim në atë moment.

“Edhe sot kanë ardhur kite të reja, janë 2000, ndërsa 4 mijë është lidhur kontrata për të ardhur. 10 mijë po bëhet procedura, 20 mijë nga OBSH.” është shprehur zonja Manastirliu. 

Çfarë dimë:

 Deri më 8 prill, janë bërë 2989 testime. Nëse do të marrim parasysh shifrën fillestare që deklaroi drejtuesja e ISHP Albana Fico, sipas së cilës kishim në dispozicion rreth 3500 kite testimi, do të shohim se ajo sasi ende nuk është përdorur. Ndërkohë, sipas ministres Manastirliu Shqipëria vijon të furnizohet me teste çdo javë.

Çfarë thotë OBSH për testet?

Më 16 mars, kreu i Organizatës Botërore të Shëndetit, zoti Tedros Adhanom Ghebreyesus, në një deklaratë për shtyp theksoi rëndësinë e kryerjes në masë të testeve.

“Mesazhi ynë kyç është: teste, teste, teste”, u shpreh ai.

Faktoje iu drejtua dje OBSH për ta pyetur më specifikisht mbi strategjinë e testimit që ata këshillonin.

Në përgjigjen e saj, OBSH thotë se rekomandon testimin e kujtdo që ka simptoma të COVID-19 ose që ka qenë në kontakt me dikë që ka rezultuar pozitiv për virusin. Ndërkohë që sipas tyre protokolli duhet përcaktuar në bazë të situatës lokale të vendit, vëzhgimet serologjike në popullatën e gjerë, pra përcaktimi i masës së popullatës që është pozitive, potencialisht mund të rrisë njohurinë mbi përmasën e infektimit të popullatës.

Në përfundim, mund të themi se qeveria është përgjigjur vetëm në një rast, më 10 mars, mbi numrin e testeve totale që kishin në dispozicion, por gjatë ditëve në vijim ka dhënë deklarata evasive dhe jo shteruese sesa kite ka në dispozicion.

JOEL ÇELA

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img