Partitë dhe demokracia e brendshme, një problem i pazgjidhur në vend 

1018

Në mbi tri deklada demokraci, tri partitë politike dominuese në jetën politike, legjislative dhe ekzekutive të vendit mbeten PS, PD dhe LSI (sot Partia e Lirisë). Por sa ka funksionuar demokracia brenda tyre? Nga një analizë për Faktoje, rezulton se partitë, të paktën deri tani funksionojnë me statute të bazuara në centralizmin demokratik, ku pushteti partiak është përqendruar tek “Njëshi“ ose thjesht në një sistem llogaridhënieje. Tri partitë kanë aplikuar parimin e zgjedhjes “Një anëtar, një votë”, por edhe kur kjo ka ndodhur në zgjedhjen e kryetarit, garat kanë qenë fiktive dhe të paracaktuara.

Nevila Gjata

12 vjet më parë, më 26 shtator 2009 anëtarësia e PS votoi për herë të fundit kandidatët për kryetar partie, në një proces formal konkurrimi mes Edi Ramës (kryetar në detyrë) dhe Maqo Lakrorit.

Kritikët e tij kryesorë përmes Lëvizjes për Mendim Ndryshe, Arben Malaj apo Ben Blushi bojkotuan procesin me argumentin se nuk pati garë reale. Nga viti 2009, Edi Rama vijon të qëndrojë në krye të PS-së pa u votuar nga anëtarësia.

Mandati i kryetarit të PS (çdo katër vjet) përfundoi në zgjedhjet e 2013-s. Me fitoren e PS-së atë vit, askush nuk u mor me normën statutore. Atë vit (2013) Edi Rama tha se ishte formalitet votimi për sa kohë fitoi zgjedhjet parlamentare

Tre vite më vonë, (2016), Statuti i PS ndryshoi bashkë me nenin për zgjedhjen e kryetarit të partisë dhe rastet kur i ndërpritet mandati: një nga tri pikat e ndërprerjes së mandatit të kryetarit, është edhe atëherë kur partia që ai drejton humbet vendin e parë në zgjedhjet e përgjithshme.

Screenshot e statutit te PS viti 2016 per mandatin e kryetarit

Sa kohë partia është në qeveri dhe kryetari i saj zgjidhet Kryeministër, mandati i tij konsiderohet i rinovuar automatikisht.

(Statuti i PS, 2016)

Screenshot e pikes se statutit 2016 ku mandati i kryetarit rinovohet automatikisht

Statuti i PS-së u ndryshua sërish katër vite më vonë (2020) por me të njëjtën përmbajtje për kryetarin; Ai zgjidhet automatikisht në rast fitoreje. 

Në prill të vitit 2022 e njëjta situatë. U shfuqizua statuti i vjetër dhe i riu ‘u hartua’ pa ndryshime për mandatin e kryetarit. Rezultati zgjedhor i partisë në këtë rast, ka predominuar mbi demokracinë e brendshme, që sipas statutit të PS, ka si synim kryesor forcimin e strukturave me qëllim fitoren në zgjedhje.

Po me Statut, Kryetari ka fituar ndër vite pushtet personal duke kufizuar udhëheqjen kolegjiale apo delegimin e përgjegjësive. Kryetari i PS-së (neni 42) ka të renditur 7 kompetenca dhe në asnjë prej tyre nuk thuhet se zgjedh Sekretarin e Përgjithshëm, sekretariatin, apo numrin e kryesisë, pra gjithë piramidën drejtuese poshtë tij (siç ndodhi edhe herën e fundit në shtator të këtij viti). Janë disa pika të tjera plotësuese të statutit që e bëjnë atë dominues.

Sipas statutit, Asambleja Kombëtare miraton, me propozim të Kryetarit të Partisë, numrin dhe strukturën e Sekretariatit Ekzekutiv të Partisë.Kandidati për Sekretar të Përgjithshëm të Partisë propozohet gjithashtu nga Kryetari i Partisë, madje edhe numri i anëtarëve të Kryesisë miratohet me propozim të Kryetarit të Partisë, kompetenca këto të ndryshme nga PS-ja e para vitit 2005.

“Gjatë kohës që kam qenë aktiv në politikën shqiptare deri në vitin 2005, përzgjedhja e përfaqësuesve në nivel partie, në nivel vendor dhe kombëtar, ka nisur që nga votimi i drejtpërdrejtë në strukturat vendore të partisë, ndërsa kryesia dhe jo kryetari i partisë, mund të përmirësonte deri në 25% të listave të propozuara nga strukturat lokale te partisë.  Edhe deputetët zgjidheshin me votim konkurrues në strukturat lokale të PS-së. Kabineti qeveritar diskutohej dhe miratohej në  kryesi”, argumenton për Faktoje.al, Presidenti i Institutit për Politika Publike dhe Mirëqeverisje, Arben Malaj.

Ai sot nuk është aktiv në politikë. Por ka shkruar për të në librin: Rrugëtimi- Kur mbyllet një derë, një portë hapet.

Ish-deputeti i PS, Arben Malaj në kohën kur ishte pjesë e strukturave të PS-së

Koncepti i lëvizjes ishte ‘institucione të forta dhe jo individë të fortë’ 

“Ky ka qenë thelbi i konkurrencës sime, jo ambicia për të fituar një karrige, por promovimi i garës së brendshme për çdo post politik. Këtë mision pati edhe konkurrenca me Ilir Metën në zgjedhjet e vitit 2001, ku Meta ishte kryeministër në detyrë ndërsa unë kryetar i Grupit Parlamentar. Thelbi i platformës sime konkurruese ishte se na duhen institucione të forta, jo thjeshtë individë të fortë”, nënvizon Malaj.

Ai e sheh problemin më thellë, qysh me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, duke i dhënë rol fuqizues liderit.

“Pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008, të cilat nuk i votova dhe për të cilat kam debatuar për një kohë të gjatë drejtpërdrejt me Ramën në kryesinë e PS-së, liderët e partive morën pushtet absolut, duke vendosur edhe për fatin e të tjerëve, sipas preferencave apo interesave personale. Për fat të keq,  ka vite që  edhe në PS, e cila deri në vitin 2005 ishte model referimi për demokracinë e brendshme, konkurrenca alternative është zbehur, ndërsa zërat ndryshe janë penalizuar duke mos u futur në listat e deputetëve apo në funksione të tjera partiake e politike…” thekson Malaj.

Ndarja më e madhe dhe zyrtare në PS ndodhi në 2004-n me shkëputjen e një pjese të saj dhe krijimin e LSI-së, që në thelb nuk ndryshoi nga arsyet për të cilat u nda nga PS. Edhe LSI (së fundmi PL) është dominuar nga figura e “njëshit”, madje dhe me drejtim nepotik.

Lëvizja Socialiste për Integrim

Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) u krijua në shtator 2004, si fraksion i Partisë Socialiste e cila (gjatë asaj kohe) ndodhej në pushtet. Në zgjedhjet e 3 korrikut 2005, LSI fitoi 5 mandate në Kuvend. Kryetari i saj Ilir Meta ishte i vetmi përfaqësues nga partitë e vogla që arriti të zgjidhej deputet në mënyrë maxhoritare. Kjo i solli atij benefite politike dhe qeverisëse njëkohësisht.

Kryetari i PL, Ilir Meta 2004

llir Meta vijoi kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim me mbi 80% të votave në çdo votim për kryetarin. Votimi i tij si kryetar i LSI për herë të parë u zhvillua në prill 2005 përmes parimit “Një anëtar, një votë”. Mandati i tij është katër vjet. Votimi i fundit si kryetar i LSI ishte në nëntor 2016. Ai u zgjodh President i Republikës në fund të prillit 2017. Meta propozoi në vend të tij si kryetar partie Petrit Vasilin. Konventa Kombëtare e LSI e votoi unanimisht atë bashkë me Monika Kryemadhin si nënkryetare. 

Vasili dha dorëheqjen pas rezultatit të dobët në zgjedhjet e 2017. Nuk ndiqet i njëjti standard kur ai propozoi si kryetare partie Monika Kryemadhin. Me votim të hapur dhe pa kandidaturë alternative Monika Kryemadhi u zgjodh nga Konventa Kombëtare (korrik 2017) si kryetare e LSI. Ajo është njëkohësisht bashkëshorte e liderit historik të kësaj partie, Ilir Meta.

Monika Kryemadhi (majtas fotos) dhe Ilir Meta (djathtas)

Pas zgjedhjeve parlamentare 2021, Kryemadhi u dorëhoq pa bujë. Bashkë me  dorëheqjen e saj, (korrik 2022) Sekretarja e Marrëdhënieve me Publikun në parti, Silva Caka, njoftoi publikisht për një paketë ndryshimesh në statut që do të miratoheshin nga Konventa Kombëtare. Konventa (me miratimin e statutit) vendosi ndryshimin e emrit të partisë nga LSI në Partia e Lirisë.

Screenshot e nenit te statutit te PL ku Konventa Kombetar ka te drejte te ndryshoje emrin e partise

U ngrit një Komitet Organizator (që do drejtonte partinë) me Ilir Metën kryetar (pas mbarimit të mandatit si President) për një periudhë tranzitore dymujore me emra të rinj drejtuesish, të cilët u konfirmuan zyrtarisht më vonë në një votim formal nga Konventa Kombëtare. Ilir Meta u zgjodh nga të gjithë delegatët e Konventës (me tre vota kundër) si kryetar i Partisë së Lirisë pa kandidat rival.

Pati vetëm ndërrim vendesh. Bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi futet automatikisht pa votim (ex-officio) në Komitetin e ri Drejtues të partisë si deputete.

“Partive politike në Shqipëri iu mungon mekanizmi i qarkullimit të elitave të brendshme dhe kanë pësuar një deficit të rritur demokratik me kalimin e kohës…”, vëren për Faktoje.al politologu Ilir Kalemaj.

Parimi “Një anëtar, një votë” (kur u intereson kryetarëve) 

Parimi “Një anëtar, një votë” për zgjedhjen e kryetarit është i sanksionuar si një nga parimet e zgjedhjeve demokratike në statutet e tre partive të mëdha PD, PS dhe LSI. Nëse në PS nuk mbahen zgjedhje prej 2009-s, në LSI gara për drejtimin e Ilir Metës ka qenë e dirigjuar. Ilir Meta është zgjedhur ndër vite kryetar partie nga votat e anëtarësisë.

Por,  në votimin e fundit si kryetar i PL, (në pozita jo të forta si më parë), ai shfrytëzon një nen të statutit ku thuhet se, “nëse për konkurrimin për Kryetar, rezulton i regjistruar vetëm një kandidat, zgjedhja e tij bëhet nga anëtarët e Konventës Kombëtare”. Ilir Meta u zgjodh nga Konventa Kombëtare me këtë argument, por nuk u ndoq i njëjti parim më herët për bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi. Kjo e fundit nuk u votua nga Konventa (për një mandat të dytë), por nga anëtarësia në vitin 2020 edhe pse në fletën e votimit ishte vetëm emri i saj. 

Besueshmëria për anëtarësinë

Paralelisht, garat në parti kanë nxjerrë në pah një tjetër problematikë po aq të dukshme sa vota formale për liderin; ajo e besueshmërisë për anëtarësinë. Në zgjedhjet për kryetarin e PS-së në vitin 2009, kjo forcë rendiste 82,300 anëtarë. Në votim për zgjedhjen e kryetarit atë vit morën pjesë vetëm 55,900 anëtarë.

Në PD ky fenomen ka qenë mbizotërues për çdo votim. Në 2013-n, kur PD-ja njoftoi për herë të parë zyrtarisht se kishte 104 mijë anëtarë (të papublikuar emrat),  në zgjedhjen për kryetarin morën pjesë vetëm 40% e anëtarësisë. Konkretisht, Basha fitoi 33 mijë vota përballë ish-deputetit të ndjerë Sokol Olldashi.

Lulzim Basha dhe-deputeti i ndjerë Sokol Olldashi në garën për kryetar 

Në 2017-n, Lulzim Basha fitoi me 53 mijë vota (103 mijë lista zyrtare), më 2021 sërish Basha fitoi me 32 mijë vota (75 mijë lista e anëtarësisë) për t’iu afruar disi raportit në zgjedhjet e fundit me 16 mijë vota (lista e anëtarësisë së PD zyrtare 25 mijë).   

Në votimin e fundit, pati dy gara paralele për kryetarin, në njërën anë Basha, në tjetrën Berisha. Edhe në këtë proces paralel, u vu re fenomeni deformues i anëtarësisë. Nëse do të mbledhim votat e fituara nga Sali Berisha (40 mijë e 820 vota) me votat e Lulzim Bashës (16 mijë e 196 vota) të dy bashkë bëjnë 57 mijë, shifër kjo që nuk i afrohet asnjë liste të anëtarësisë së shpallur zyrtarisht ndër vite nga PD-ja. Që do të thotë se në PD nuk ka ende një regjistër të saktë dhe transparent të anëtarësisë ku mund të na bëhen publike emrat. Procesi u deformua më tej në votimin për Sali Berishën kur ky i fundit lejoi të votonin në garën për kryetar edhe simpatizantët (në fund të votimit nuk specifikuan numrin e tyre, por vetëm anëtarët), ndryshe nga sa përcakton (për këtë kategori) statuti i miratuar nga strukturat e drejtuara prej tij.        

Screenshot e nenit të statutit të miratuar nga Berisha ku specifikohet se kur marrin pjesë në votim simpatizantët

Të gjitha proceset në PD janë ndjekur nga një Komision Zgjedhor i ngritur me Statut, por se nuk mundësoi transparencën e listës së anëtarëve në secilën palë të zgjedhjeve. Statutet e tri partive përfshijnë evidentimin e anëtarëve përmes regjistrit bazë të anëtarësisë në format elektronik dhe shkresor. Por administrimi i tyre bëhet me udhëzime të posaçme nga strukturat drejtuese.  

Të tria gjithashtu parashikojnë sanksione për çregjistrim nëse një anëtar nuk paguan kuotat për një afat të caktuar. Por ndryshe nga sa shkruhet, lista e propaganduar e anëtarësisë nga të tri partitë nuk përputhet asfare me kuotizacionet në parti apo edhe raportimet periodike financiare të partive në KQZ ku flitet kryesisht për të ardhura nga donatorët dhe jo nga anëtarësia.

Politologu Afrim Krasniqi, që drejton Institutin e Studimeve Politike, e ka trajtuar gjerësisht këtë temë. Ai thotë se çdo fiktivitet sot në anëtarësime minon integritetin dhe besimin e partive, duke sugjeruar se rregullimet e nevojshme mund të vijnë përmes ndryshimeve në ligjin për partitë politike.

“Thembra e Akilit e ngecjes në vend të reformave në Shqipëri, dobësisë institucionale dhe zgjedhjeve të kontestuara, por edhe keq-qeverisjes në përgjithësi, është pikërisht deficiti demokratik ose mungesa e garës reale brenda partive politike…”, thotë Kalemaj.

Politologu, Ilir Kalemaj

Aktualisht kryetari i PD, në zgjedhjet e fundit brenda partisë, mbajtur në korrik të këtij viti, ku u rizgjodh për herë të katërt, Basha i propozoi Këshillit Kombëtar Sekretarin e Përgjithshëm dhe gjithë piramidën hierarkike drejtuese pa kandidatura alternative, i favorizuar edhe nga ndryshimet e reja në statut.

Lulzim Basha duke folur në Kuvendin Kombëtar të PD

Edi Rama po ashtu, në kongresin e ardhshëm të tetorit, pret që t’i votohen formalisht propozimet e tij lidhur me Sekretariatin dhe Sekretarin e Përgjithshëm pa kandidatura alternative.

 “Çdo mekanizëm, – thotë politologu Kalemaj,- si listat plotësisht të hapura dhe pa hile zgjedhore, primaret e vërteta ose elementë të tjerë të garës politike brenda partive dhe mes partive, do të sillte si bonus të shtuar në përmirësimin e përfaqësimit, do të rriste legjitimitetin dhe cilësinë e institucioneve, si dhe përmirësimin e qeverisjes”. Deri atëherë, i gjithë procesi sjell kosto në mungesën e konkurrencës.

Arben Malaj vëren se janë mijëra njerëz që duhet të shërbejnë, duan të promovohen, por që nuk gjejnë asnjë proces konkurrues. Ndaj, dhe e vetmja mundësi që mbetet sipas tij, është preferenca personale e kryetarëve të partive apo kryeministrave.

“Pyetjes se përse ekipet e mira të futbollit i shesin yjet e tyre është se, ekzistenca e tyre për shumë gjatë dëmton lojtarët e rinj ambiciozë. Ky përkeqësim i mungesës së demokracisë së brendshme, mungesa e konkurrencës, zbehja e garave sipas programeve dëmton rëndë modelin politik dhe qeverisës…”, vëren ai.

Të larguarit

Garat formale si dhe pushteti partiak i grumbulluar tek kryetari është shoqëruar ndër vite me zëra kritikë brenda partive, por pa mundur të jenë faktor i zëshëm. Nga një analizë e brendshme ndër vite, nga PS pati 8 largime kontributorësh që filluan në 2004 kur iu bashkuan Ilir Metës në partinë e re. 6 të tjerë (ish- deputetë të PS) në vitin 2007 dolën të pavarur, sepse votuan kundër vendimit politik të partisë.

Në PS, pas formimit të LSI-së ka pasur vetëm një lëvizje serioze për demokratizimin e saj, “Lëvizja për Mendim Ndryshe”.Nuk mbijetoi dhe lëvizja u shpërbë. Ben Blushi dhe Mimoza Hafizi pjesë e LMN krijuan një parti të re “Libra” (2016).

“Libra” nuk mori mandat deputeti në zgjedhjet e 2017 edhe pse u regjistrua me imponim në zgjedhje, me firmat e 12 mijë qytetarëve, për shkak të disa kleçkave ligjore që PS u nxori në KQZ. 

Më herët, Arben Malaj kandidoi si deputet i pavarur (2013). Edhe ai nuk arriti të futej në Kuvend.  15 largime figurash kryesore ka pasur nga PD. 7 prej tyre iniciuan nisma politike brenda partisë. 8 largime të tjera ishin kritikë ndaj kryetarit të partisë. 

Ndryshe nga PS, asnjë lëvizje ndryshe nuk është formësuar në PD, përveç shkëputjes si parti më vete; fillimisht PAD, më pas PDD dhe në fund PDr. Kjo e fundit u shkri me PD në vitin 2005. 

Shumica prej tyre dështuan me lëvizjet e reja partiake duke u rikthyer në partinë ‘mëmë’ si Preç Zogaj, i ndjeri Gramoz Pashko, Genc Ruli, Genc Pollo, Tritan Shehu, apo Arben Imami.

Nga LSI-ja ka pasur figura të spostuara, por vetëm një largim i bujshëm, ai i ish-deputetit të ndjerë Dritan Prifti që u rikthye tek PS, 6 vite pasi u largua, si pasojë e konfrontimit direkt me ish-kryetarin e LSI-së, Ilir Meta.

Arben Malaj vërën se, “mungesa e rasteve të suksesshme të lëvizjeve demokratizuese, siç është LMN, apo konkurrimi individual i tij në vitin 2013 duke dalë si deputet i pavarur, si dhe shumë raste nga partitë e tjera kur të larguarit kanë krijuar parti të reja kanë dështuar dhe janë rikthyer tek partia mëmë, ka vrarë debatin dhe konkurrimin alternativ”.

Ky fenomen, sipas tij ka dëmtuar rëndë demokracinë e brendshme në partitë politike si dhe, modelin e tyre të qeverisjes. Por jo vetëm; 

Faktoje.al ka bërë një rishikim të statuteve të tre partive kryesore në vend për lejimin e mendimit ndryshe në parti, dhe masat disiplinore që ndjekin partitë. PD e PS nuk lejojnë me statut fraksionet brenda partisë, PL po.

Neni i statutit të PL ku njihen fraksionet

Partia Socialiste i ka specifikuar të drejtat e anëtarëve dhe shprehjes bashkë me rregullat e hollësishme për masat disiplinore në parti, apo pezullimin nga detyra në një Libër të Rregullave. Ky libër, (deri në publikimin e këtij artikulli) nuk është i publikuar në faqen zyrtare të PS-së dhe as e disponueshme për mediat.

Screenshot i faqes zyrtare të PS për rregulloren brenda partisë

Nuk është publike as përmbajtja e Statutit, një kopje e së cilës gjithsesi Faktoje.al e disponon. 

Screenshot i faqes ku duhet të ishte i publikuar statuti i PS

Në statutin (e publikuar) nga PD-ja e drejtuar nga Lulzim Basha, rregullat e hollësishme për të garantuar disiplinën e brendshme dhe masat disiplinore në rast të cënimit të saj, mendimi ndryshe dhe liria e shprehjes rregullohen të gjitha bashkë përmes një vendimi të Kryesisë së Partisë.

Asnjë vendim i hollësishëm i kryesisë për sa më sipër nuk është i publikuar në faqen zyrtare të PD.al.

Përfundim

Tek të dyja Statutet PS (neni 3) PD (neni 12) është i sanksionuar mjegullt lejimi i demokracisë së brendshme të partisë.

Sali Berisha që drejton zyrtarisht “Rithemelimin” ka përfshirë për herë të parë garantimin e mendimit të pakicës, por Statuti i miratuar nuk ka vlerë juridike sa kohë që strukturat e ngritura nën drejtimin e tij do të duhet të njihen edhe nga gjykata .

Sanksionimi i rregullave jo transparente për funksionimin e brendshëm partiak, të drejtën e shprehjes apo, debatit brenda saj, dështimi i zërave kritikë ndër vite, ka sjellë fenomenin e partive “të disiplinuara” ku është forcuar më së shumti pozita e liderit. Riciklimi i të njëjtëve emra kryetarësh (si në kohë humbje apo fitore për partinë e tyre), ka favorizuar kultin e ‘liderit’,  (sa kohë votohen parimisht në numër të konsiderueshëm votash me kandidat formal apo pa) si dhe ka zvogëluar garën brenda saj e për pasojë funksionimin e demokracisë së brendshme.