Konspiracionistët anti-vaksinë vazhdojnë të shfrytëzojnë vdekjen e kujtdo për të pretenduar se shkaku është e ashtuquajtura ‘vraksina’ anti-Covid. Viktima më e fundit është boksieri amerikan Marvin Hagler. Në të vërtetë, vetë bashkëshortja e Hagler ka deklaruar se ai vdiq nga shkaqe natyrore.

——————————————–

Konspiracionistët shqipfolës kanë ringjallur lajmin e vdekjes në 2021 të boksierit amerikan Marvin Hagler për të pretenduar se ai vdiq si pasojë e vaksinës anti-Covid.

Postimi i mësipërm pretendon se Marvin Hagler, i cili vdiq në moshën 66-vjeçare më 13 mars 2021, humbi jetën si pasojë e vaksinës anti-Covid. 

Si provë për këtë pretendim, postimi duket se i referohet një postimi në Instagram të Thomas Hearns, një tjetër boksier që u mund nga Hagler në Prill të 1985. Në postimin e 13 marsit 2021, Hearns shkroi në përshkrimin e një fotografie të Hagler: “Një luftëtar i vërtetë. Lutuni për mbretin dhe familjen e tij… ai është në urgjencë duke luftuar efektet e vaksinës! Ai do të bëhet mirë por mund të na duhet energjia pozitive dhe lutjet për shërimin e tij të plotë!”

Megjithatë, kur bashkëshortja e Hagler, Kay, njoftoi për ndarjen e tij nga jeta, ajo shkroi se Hagler vdiq “papritur në shtëpinë e tij në New Hampshire”. Ndërkohë, me anë të një postimi më të gjatë, më 15 mars, ajo u detyrua të sqaronte se vdekja e Hagler nuk kishte të bënte aspak me vaksinimin: 

“Unë isha i vetmi njeri pranë tij deri në minutën e fundit, dhe unë jam i vetmi person që e di si shkuan gjërat, as familja e tij nuk i di të gjitha detajet dhe nuk pranoj të lexoj komente budallaqe që nuk e dinë çfarë ka ndodhur vërtet. E sigurt që nuk ishte vaksina që e shkaktoi vdekjen e tij. I dashuri im u largua në paqe, i buzëqeshur si gjithmonë dhe tani nuk është koha për të folur budallëqe.”

Vetë Thomas Hearns postoi sërish në Instagram për të thënë: “Na lini të kemi paqen tonë. Dashuri dhe respekt për Marvin dhe familjen e tij. Kjo nuk është një fushatë anti-vaksinë… është skandaloze të kesh këtë në mend ndërsa ka vdekur një mbret, legjendë, baba, bashkëshort, dhe shumë më shumë”

Konspiracionistët anti-vaksinë kanë lidhur vdekjet e një numri personash me vaksinën anti-Covid edhe më parë. Faktoje ka përgënjeshtruar disa nga këto pretendime.