Tiranë, 26 Shtator 2023 – Qendra “Faktoje” prezantoi në një konferencë gjetjet e hulumtimit “Dezinformimi me Bazë Gjinore në Shqipëri: Si i formojnë mediat qëndrimet ndaj roleve gjinore”. Gazetarë, ekspertë dhe aktivistë të fushës së medias dhe të drejtave të njeriut diskutuan mbi ndikimin e fushatave dezinformuese me bazë gjinore në peisazhin mediatik në Shqipëri. Gjetjet e studimit ndahen në 4 shtylla kryesore, dezinformimi si fenomen, ai për gratë në politikë dhe aktiviste, dezinformimi për komunitetet e margjinalizuara dhe narrativa që mund të shfrytëzohet nga aktorë të huaj për qëllime malinje.
Fushatat dezinformuese shënjestrojnë kryesisht gratë në politikë dhe ato aktiviste, por edhe grupet e margjinalizuara si LGBT+ përmes qëndrimeve seksiste, duke i vënë para ‘një gjyqi’ publik. Kjo është një nga gjetjet e studimit “Dezinformimi me bazë gjinore në Shqipëri: Si i formojnë mediat qëndrimet ndaj roleve gjinore”, i realizuar nga qendra “Faktoje”.
Gjetjet e hulumtimit u prezantuan këtë të martë në një konferencë dedikuar dezinformimit me bazë gjinore në Shqipëri. Eventi mblodhi bashkë gazetarë, përfaqësues të shoqërisë civile, aktivistë të të drejtave të njeriut dhe komisionerin pwr Mbrojtjen nga Diskriminimi.
“Faktoje për herë të parë gjatë këtij viti ndërmori punën për të parë se si dezinformimi gjinor ndikonte në grupe të caktuara, si gratë në politikë, komuniteti LGBTI, apo gratë aktiviste që marrin përsipër pozicione kyç në institucione, por nga ana tjetër se si përkufizohen gratë në komunitet dhe bëhën pjesë e lajmeve për shkak të dhunës, apo vrasjeve. Dhe ajo çka ne pamë nga studimi i bërë ishte se dezinformimi me bazë gjinore në Shqipëri prek disa elemente kyç dhe vepron në mënyrë të fshehtë duke bërë që gratë të stepen nga aktivizmi apo jeta politike.”, tha në çelje të konferencës, drejtoresha ekzekutive e Faktoje Klodiana Kapo.
Në qendër të hulumtimit ishte shënjimi i peisazhit mediatik në Shqipëri nga fushatat e dezinformimit me bazë gjinore. Klima e brishtë e krijuar nga një raportim pa cilësi dhe manipulues, sipas këtij studimi, sjell shkurajimin e grave për pjesëmarrje aktive në politikë dhe jetën publike në përgjithësi.
“Këto fushata mund të shfrytëzohen nga aktorë të tretë të huaj, për të rritur mosbesimin ndaj BE-së apo vlerave perëndimore në përgjithësi. Struktura e ekosistemit mediatik shqiptar, veçanërisht përzierja e interesave mediatike dhe politike, do të thotë që media shqiptare është e pambrojtur ndaj dezinformatave të huaja me qëllime keqdashëse dhe destabilizuese. Potenciali i ndërhyrjeve dhe ndikimit të huaj malinj, rritet edhe më shumë po të kihet parasysh se rreth 900 portalet, shumica fantazmë, janë gati të kthehen në mercenare të dezinformimit për të siguruar financime.”, theksoi gjatë prezantimit të gjetjeve kryesore të studimit, Viola Keta kryeredaktore e Qendrës Faktoje.
Gjetjet e studimit “Dezinformimi me bazë gjinore në Shqipëri; Si i formojnë mediat qëndrimet ndaj roleve gjinore” ilustrohen me histori të politikaneve, aktivisteve, anëtarëve të komunitetit LGBT, por edhe të miturve që kanë qenë viktima të fushatave dezinformuese.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi Robert Gajda, ngriti si shqetësim mungesën e zbatimit të ligjit kundër dezinformimit dhe gjuhës së urrejtes në Shqipëri.
“Dezinformimi dhe gjuha e urrejtjes janë të lidhura ngushtësisht dhe ushqejnë njëra tjetrën. Ka një mangësi: Komentuesit duhet të ndiqen penalisht. Ne kemi bazë ligjore, por nuk kemi asnjë ndjekje penale. Dhe aktualisht, nuk kemi përçapjen më minimale në këtë drejtim, ndërsa Europa ka bërë hapa përpara. Në Europë njerëzit ndiqen penalisht kur komentojnë duke nxitur gjuhë urrejtje”, tha Gajda, teksa solli si shembull dështimi rastet kur grupet e targetuara shënjestrojnë edhe njëria- tjetrën.
“Ne ndjejmë dështim si institucion kur një grup shoqëror atakon një grup tjetër shoqëror.”, u shpreh ai.
Edlira Çepani, eksperte për barazinë gjinore, thekson se në Shqipëri, përveç dezinformimit të drejtëpërdrejtë me bazë gjinore, ekziston edhe një lloj dezinformimi i fshehtë.
“Ky lloj dezinformimi ka lidhje me përforcimin e steriotipeve gjinore. Mediat i portretizojnë gratë dhe vajzat si viktima. Po ashtu ka një dëshirë për të objektivizuar vajzat dhe gratë për të shitur produkte, duke përforcuar steriotipet gjinore.”, tha Çepani.
Gjatë konferencës ekipi i Faktoje prezantoi edhe 5 artikujt faktverifikues që përgënjeshtrojnë/ekspozojnë fushatat e dezinformimit dhe ilustrojnë ndikimin që ato kanë tek publiku duke krijuar perceptime të gabuara përmes narrativave seksiste, mizogjene dhe homofobe.
https://faktoje.al/vrasja-e-16-vjecarit-ne-gramsh-raportim-pa-etike-dhe-fushate-keqinformuese/
https://faktoje.al/raportimi-i-feminicidit-nen-etiketen-krim-pasioni/
Rastet që janë përzgjedhur nga Faktoje për t’u verifikuar, janë ndjekur edhe nga institucioni i Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.