Pse faji rëndon mbi gruan?

591

Në Shqipëri, gratë dhe vajzat e angazhuara në jetën publike përballen me fushata dezinfirmuese me bazë gjinore. Aktivistja Zhaklin Lekatari është një prej tyre. Ajo përballet vazhdimisht me dezinformim, gjuhë urrejtje dhe seksiste në mediat online dhe ato tradicionale.

Esmeralda Topi

Paraditen e 26 prillit, Zhaklin Lekatari aktiviste e njohur dhe prej 6 vitesh drejtuese e blogut “Tabu.al” po udhëtonte me makinën e saj drejt jugut të Shqipërisë. Pas dy orësh udhëtim telefoni i aktivistes ‘shpërtheu’ nga njoftimet dhe telefonatat.

‘Çfarë kishte ndodhur e kuptova nga një mesazh i kolegut tim i cili më pyeste si je dhe ccfarë i ka ndodhur makinës tënde? Ndërkohë më dërguan linkun e medias ku kishte dalë lajmi që ishte i shoqëruar me një fotografi timen.’, thotë Lekatari.

Teksa ajo udhëtonte drejt jugut për arsye pune, portali Jeta osh Qef Albania kishte publikuar një lajm në të cilin pretendonte se aktivistes i kishin sulmuar makinën gjatë natës.

‘Ekskluzive/Zhaklin Lekatarit i dëmtojnë makinën, gjatë natës i thyejnë xhamat në parking.’, shkruante portali JOQ.

Gjë që nuk është absolutisht e vërtetë.’, thotë ajo teksa kujton zhvillimet e asaj dite.

‘Në shkrim thuhej që unë po përqafohesha nga shoqja ime, e dëshpëruar sepse xhamat e makinës time ishin bërë shosh gjatë natës për shkak të qëndrimeve të mia në një shoë televiziv në të cilin unë kam qënë pjesëmarrëse.’, shprehet Zhaklina.

I vetmi problem që kishte pasur aktivistja mëngjesin e 26 prillit, pak para se të nisej për udhëtimin e punës, lidhej me komshiun e saj dhe nuk kishte si shkak dëmtimin e makinës.

‘Unë jam dhe administratorja e pallatit ku jetoj dhe në katin e parë të godinës së pallatit ku unë banoj ndodhet një hotel/motel. Gjatë natës kishte patur zhurma, unë shkova në mëngjes të ankohem tek komshiu im që është njëkohësisht dhe pronar i hotelit, për zhurmat që kishim patur gjatë natës. Dhe duke parë që ai u soll në mënyrë shumë harbute me mua dhe më shtyu, pra përdori edhe dhunë fizike ndaj meje, unë vendosa të marr policinë në telefon. Bashkë me mua ishte dhe motra ime e shoqëruar nga bashkëshorti I saj. Erdhi policia, dhe problematika që unë pata me komshiun tim për shkak të zhurmave të hotelit të tij, u mbyll aty.’- thotë Lekatari duke sqaruar së çfarë kishte ndodhur në të vërtetë mëngjesin e 26 prillit.

‘Po unë pasur gjuhë dhune dhe urrejtje, përndjekje për shkak të qëndrimeve të mia por edhe për shkak të faktit që jam grua. Në mënyrë të vazhdueshme më janë shkaktuar dëme në makinë por ky rast nuk ishte i vërtetë. Atë ditë mua nuk më janë bërë ‘shosh’ xhamat e makinës.’, pohon Lekatari.

Por fotografitë e shkrepura në momentet kur aktivistja po zgjidhte incidentin e zhurmave me komshiun me ndihmën e policisë, u keqpërdorën nga portali Jeta osh Qef për të shpërndarë një lajm të rremë, atë të dëmtimit të makinës.

‘Vendosa të mos bëj asgjë, vendosa të pres se si do zhvillohej ngjarja në portale të ndryshme. Por ndërkohë hapi i vetëm që ndërmora ishte komunikimi me policinë.’, tregon ajo.

Ndërkohë, artikulli u shpërnda masivisht edhe në portale të tjera online me tituj sensacional:

‘Sulmohet Zhaklina Lekatari, gazetares i thyhet makina!’ ‘ Zhaklin Lekatari bie pre e një sulmi, i thyejnë xhamat dhe i dëmtojnë makinën gjatë natës.’ ‘ Çmenduria: Gazetarja sulmohet në rrugë, pse kritikoi Luizin dhe Kiarën.’ ‘ Zhaklin Lekatarit i thyejnë xhamat dhe i dëmtojnë makinës gjatë natës!’

Asnjë nga këto portale nuk e kishte kontaktuar aktivisten për të konfirmuar lajmin e JOQ.

‘Lajmi thjesht u shpërnda nga portalet. Nuk ma ka kontaktuar asnjë gazetar përvecc ju të Faktoje për të më pyetur mbi ngjarjen përpara publikimit të lajmit.’, thotë me keqardhje Lekatari.

Reagimi i Policisë së Shtetit

Për shkak të përmasave që po merrte ngjarja, Policia e Shtetit doli me një njoftim ku përgënjeshtronte lajmin.

‘Në lidhje me një lajm të publikuar në portale për një automjet të dëmtuar në afërsi të stadiumit “Dinamo”, ju sqarojmë se lajmi është i pavërtetë. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë kërkon mirëkuptimin e mediave dhe para se të publikojnë lajme të kërkojnë informacion pranë DVP Tiranë.’, shkruhej në njoftimin e Policisë së Shtetit më 26 prill.

‘Prita që të dilte deklarata e policisë që ta ndaja në rrjetet e mia sociale për t’i dhënë edhe një leksion publikut por edhe mediave që në mënyrë të vazhdueshme shpërndajnë dezinformim.’, tregon Zhaklina.

Pas përgënjeshtrimit të lajmit, portali JOQ publikoi një tjetër artikull ku përfshinte reagimin e Policisë së Shtetit.

‘Policia në një njoftim thotë se nuk ka dëmtim makine, por nuk tregon pse janë njoftuar efektivët e policisë. Pse kanë shkuar efektivët? A po fshihet diçka?’, shkruan JOQAlbania, duke ndezur sërish një lum komentesh me gjuhë urrejtje ndaj aktivistes. Ndërsa në portale të tjera online gjen lajmin e dëmtimit të makinës, ndonëse ka një përgënjeshtim nga Policia e Shtetit dhe aktivistja.

Dhe ky nuk është rasti i vetëm. Zhaklin Lekatari është shënjestruar dhe më parë nga lajme keqinformuese të botuara nga portalet që nuk verifikojnë të dhënat por kanë si synim thelbësor vetëm rritjen e klikimeve. “Faktoje” ka nxjerrë në pah edhe më parë se si ky portal me mbi 2 milionë ndjekës në Facebook mund të kthehet në burim dizinformimi për shkak të publikimit të informacioneve të marra nga publiku pa kryer asnjë verifikim.

Edhe media tradicionale pjëse e ‘valles’ dezinformuese me bazë gjinore

Ndonëse Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri vëren se problematika më e madhe e dezinformimit me bazë gjinore vihet re tek mediat sociale dhe ato online, faktet tregojnë se edhe media tradicionale nuk i ka shpëtuar fenomenit.

Në një përgjigje për Faktoje, Autoriteti i Mediave Audiovizive pranon se ka patur dy raste të diskriminimit me bazë gjinore në transmetimet publike. Në të dyja rastet AMA thotë se ka dërguar një tërheqjë vëmendjeje për televizionin. Një nga këto raste kishte në qendër të dhunës verbale aktivisten Zhaklin Lekatari.

‘Datë 29.09.2022 në emisionin “Ftesë në 5”, është identifikuar diskutim në studio, i cili  ka degjeneruar në dhunë verbale, duke shkuar deri në poshtërim  publik të një të ftuare nga një i ftuar që komunikonte përmes Skype-it. I ftuari agresivisht ka përdorur fjalor të papërshtatshëm me etiketime haptazi për diskriminim gjinor. Përpjekja e moderatores për të ndalur sharjet dhe fyerjet ka qenë e vonuar, çka ka mbajtur komunikimin joetik për rreth 15 minuta.’, shkruan AMA.

Por sipas Zhaklinës ky nuk është një rast i izoluar.

‘Më ka ndodhur që me kanë ftuar në një emision dhe titulli I emisionit ishte : Të gjithë që urrejnë Zhaklinë Lekatarin. Nuk kam pranuar të shkoj në këtë emision sepse mu duk absurde që më bëjnë telefonatë duke më joshur dhe duke më përkëdhelur me titullin e emisionit “Pse të gjithë e urrejnë Zhaklinë Lekatarin”.’ , shprehet Lekatari.

Mungesa e ndëshkimit

Ines Leskaj Drejtore Ekzekutive e AWEN-Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri vë në dukje faktin se dezinformimi me bazë gjinore është kthyer në problem serioz veçanërisht vitet e fundit në mediat sociale dhe ato online.

 “Kjo për faktin që janë totalisht të pakontrolluara pjesa më e madhe e tyre. Ka shumë media që kanë keqpërdorur informacione të ndryshme, kanë dezinformuar, kanë keqinformuar dhe nxisin herë pas here gjuhën e urrejtjes, veccanërisht ndaj vajzave dhe grave. E kemi ngritur shpesh si shqetësim që mediat online nuk plotësojnë as parimet bazë të profesionit dhe misionit të tyre.”, thotë Leskaj teksa thekson se Shqipërisë i mungojnë edhe mekanizmat ligjor për këtë problematikë.

“Janë bërë ndryshime të fundit për ligjin në media ku ne kemi prezantuar edhe disa sugjerime lidhur me ccështjet e seksizmit por prapë nuk e rregullon problematikën e gjerë të portaleve dhe mediave online. Deri tani për mediat tradicionale AMA nuk është që ka zgjidhur gjë me gjobat apo masat e tjera sicc janë paralajmërimet që i bën mediave. Ndoshta duhet të ndryshojë diccka me ndëshkueshmërinë e tyre.’, shprehet ajo duke nxjerr në pah mungesën e mekanizmave të duhur ligjor. .Edhe aktivistja Zhaklin Lekatari e sheh si domosdoshmëri gjetjen e këtyre mekanizmave.

‘Nuk e di a ka institucione këtu që përpors komisionerit për diskriminimin që është i vetmi që të mëbshtet. Po dhe ai nuk ka ndonjë fuqi të madhe sepse maksimumi ai mund të dalë me një deklaratë me një gjobë dhe kaq. Pra fuqia e tij është administrative. Do të doja që të kisha rezultate të vërteta që jeta ime të përmirësohej.’ – uron aktivistja Lekatari.