BallinaProjekteQendra Kundër Dezinformimit e Ballkanit PerëndimorPersonat e vrarë në manastirin e Banjskës nuk janë identifikuar zyrtarisht

Personat e vrarë në manastirin e Banjskës nuk janë identifikuar zyrtarisht

Në Kosovë,  një polic kosovar u qëllua për vdekje mëngjesin e  së dielës, siç u raportua, nga një grup prej 30 njerëzish të armatosur që mësynë manastirin e Banjskës në Mitrovicë. Ngjarja e cila ende nuk është zbardhur, u bë shkas për përhapjen e narrativave që nxisin destabilizim, por edhe informacioneve të pasakta në rrjet, përfshirë identitetin e viktimave në radhët e agresorëve.

Jona Plumbi

Policia e Kosovës njoftoi zyrtarisht se në orën 2:34 të 24 Shtatorit u vu re një bllokim rruge në hyrje të fshatit Banjskë, ku njësia e rendit policor Zveçan dërgoi tre patrulla policie të cilat u sulmuan me armë nga personat që kishin ngritur bllokadën.

Për shkak të sulmit një polic i forcave blu të Kosovës, Afrim Bunjaku mbeti i vrarë dhe dy të tjerë u plagosën. Nga ai moment policia e Kosovës rrethoi manastirin dhe u angazhua në ndalimin e personave të ngujuar atje.

Në orën 14:22 minuta policia e Kosovës njoftoi se një nga agresorët mbeti i vrarë dhe rreth 3 orë më vonë edhe dy agresorë të tjerë u njoftuan si të vrarë nga Policia e Kosovës në njoftimin zyrtar. Uniformat blu arritën të hyjnë në manastir në orët e mbrëmjes së të dielës.

Deri më tani sipas informacioneve nga terreni tre sulmues janë vrarë, janë arrestuar dy sulmues dhe katër persona të dyshuar të cilët ishin hasur nën posedim ilegal të radiolidhjeve, e të cilët dyshohet se ndërlidhen me grup terroristë.” – njoftimi i Policisë së Kosovës.

Pak orë pas publikimit të informacioneve të para mbi përplasjen e armatosur në veri të Mitrovicës, Kosova dhe Serbia fajësuan njëra-tjetrën për sulmin.

“Ne e dënojmë këtë sulm kriminal e terrorist. Krimi i organizuar me mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tonë.” – shkruajti kryeministri i Kosovës Albin Kurti në orën 7:20 në rrjetin social Facebook.

Presidenti serb Alexandar Vuçiç në anën tjetër e quajti situatën një “rebelim të serbëve në Kosovë ndaj terrorit të Albin Kurtit” dhe mohoi lidhjen e shtetit serb me situatën.

“Serbët, jo nga Serbia qendrore, por nga Kosova dhe Metohia, u rebeluan, duke mos dashur të vuajnë terrorin e Kurtit.” , citon media serbe Vijesti.

Raportim jo-etik dhe i paverifikuar

Rreth mesditës së të dielës, mediat online dhe ato tradicionale filluan të shpërndajnë fotografinë e një personi të vrarë, duke e njoftuar si një nga sulmuesit në manastirin e Banjskës. Mediat në Kosovë dhe në Shqipëri shpërndanë pa asnjë filtër etik dhe moral imazhin e një njeriu të vrarë dhe të gjakosur, shpesh edhe pa e censuruar fotografinë, duke shkelur çdo rregull të gazetarisë.

KUJDES! PAMJE SHOKUESE: https://www.gazetaexpress.com/publikohet-fotografia-e-pjesetarit-te-vrare-te-grupit-terrorist-qe-sulmoi-policine/

Nuk vonoi shumë dhe mediat filluan të shpërndajnë foto të personazheve që sipas tyre janë sulmuesit e vrarë nga policia e Kosovës.

E para ndër to ishte Gazeta Metro që publikoi një artikull ku njoftohej se “Radomir Pocuca, ish gazetar e ish zyrtar i policisë speciale serbe dhe i dënuar nga shteti serb për pjesëmarrje ilegale në luftën e Ukrainës është njëri prej grupit terrorist që është nën rrethim në manastirin në Banjska”.

Artikulli nuk e njoftoi burimin e informacionit të ofruar mbi Radomir Pocuca-n e pretenduar si sulmuesi i vrarë në manastirin e Banjskës. Lidhur me këtë informacion Faktoje kontaktoi redaksinë e medias në fjalë për t’u njohur me burimin e informacionit por mbetemi ende në pritje të një përgjigjeje.

“Lumë” dizinformimi

Lajmi i gazetës Metro u rishpërnda nga ish-kryeministri Sali Berisha në rrjetin social Facebook, ku citonte si burim pikërisht artikullin e sipërpërmendur, të shoqëruar me dy imazhe.

*fotot e shpërndara nga Sali Berisha
*fotot e shpërndara nga Sali Berisha

Informacioni dhe dy fotografitë e publikuara nga Berisha u riprodhua në masë nga mediat shqiptare, pa kurrfarë vërtetimi të mëtejshëm.

Me sy të lirë, dy personat në fotot e shpërndara në media si Radomir Pocuca, nuk ngjajnë shumë me njëri-tjetrin. Ndaj Faktoje bëri një kërkim në rrjet përmes fotografive dhe zbuloi se në të vërtetë personi në foton në të majtë quhet Pavle Bihali, drejtues i Lëvizjes së të djathtës ekstreme në Serbi e quajtur Leviatan, dhe jo Radomir Pocuca (personi në të djathtë), siç u raportua gjerësisht në media.

Një kërkim i thelluar në rrjet mbi Pavle Bihalin zbulon edhe një video të shpërndarë në kanalin e faqes së tij Levijatan – bez censure në Telegram, ku shfaqet Bihali duke përgënjeshtruar lajmin për vrasjen e tij.

*Video në Telegram e Pavle Bihalit publikuar më 25 Shtator
Ai shfaqet duke thënë se është gjallë dhe duke treguar një video të deklaratës së presidentit Alexandar Vuçiç, i cili në një intervistë për mediat serbe tha se lajmi për vrasjen e Bihalit dhe Radomirit janë të pavërteta.

Njëkohësisht në rrjetet sociale u shpërnda një video ku një gazetar nga Bosnje Hercegovina, Avdo Avdic nga media Istraga.ba shfaqet duke folur në telefon me dikë të cilit i referohet si Radomir Pocuca, të cilin e pyet nëse është gjallë.

Përkthimi i videos:
Avdo Avdić: Përshëndetje
Personi në telefon: Përshëndetje
Avdo Avdić: Dua të flas me Radomir Počuča
Personi në telefon: Prezent, duke folur
Avdo Avdić: Atëherë kjo do të thotë se nuk ke vdekur… jam një gazetar nga Sarajeva, Avdo Avdić…
Personi në telefon: Respekt (shprehje mirësjelljeje në serbisht)
Avdo Avdić: … Mediat në Kosove po thonë se ju jeni vrarë ndaj dhe këtë doja të kontrolloja.
Personi në telefon: Epo siç thonë është vetëm dëshira e tyre. Do të donin! Falë zotit jam gjallëdhe i shëndetshëm, ende në Beograd, po ku i dihet si do zhvillohet situate në fund.
Avdo Avdić: Në rregull, këtë doja të kontrolloja, shumë faleminderit.
Personi në telefon: Gjithë të mirat
Avdo Avdić: Mirupafshim
Personi në telefon: Mirupafshim

Vërtetësia e dy videove përgjënjeshtruese të shpërndara mbetet për t’u konfirmuarj. Në anën tjetër, burimi i informacionit për dy emrat e përfolur si të vrarë nga Policia e Kosovës mbetet i panjohur dhe për pasojë i pamundur të verifikohet.

Narrativa serbe

Deklarata e Presidentit serb që përgënjeshtron informacionin për vrasjen e Pavle Bihalit dhe Radomir Pocucas u pasqyrua po aq gjerësisht në media, sa edhe lajmi fillestar për “identifikimin” e sulmuesve të vrarë.

Madje, e njëjta media që përhapi lajmin për identitetin e Radomir Pocucas, tanimë njofton lajmin e publikuar nga media serbe Danas si informacion të vërtetë.

Është bërë i ditur identiteti i tre serbëve të vrarë, të cilët vdiqën për pjesëmarrjen e tyre në sulmin ndaj policisë së Kosovës dhe vrasjen e një polici të Kosovës dje në fshatin Banjskë në veri të Kosovës”. – shkruan Gazeta Metro në artikull.

*lajmi i datës 24 dhe 25 shtator në Gazetën Metro për identitetin e tre të vrarëve në Kosovë
*lajmi i datës 24 dhe 25 shtator në Gazetën Metro për identitetin e tre të vrarëve në Kosovë

Narrativa e artikuluar nga Vuçiç se sulmuesit janë serbë të Kosovës që po rebelohen ndaj Albin Kurtit, u mbështet nga mediat në Serbi që filluan të njoftojnë një tjetër identitet për tre të vrarët në veri të Mitrovicës nga Policia e Kosovës.

Sipas mediave serbe  personat e vrarë janë identifikuar si I.M dhe B.M nga Leposaviçi, si dhe S.N. nga Zveçani. N1info.rs njoftoi se kishte mesuar jozyrtarisht identitetin e tre personave të vrarë.

Versioni zyrtar i ngjarjes

Policia e Kosovës dhe Ministri i Brendshëm në një deklaratë për media njoftuan se puna për identifikimin e personave të vrarë po vijon dhe se këto informacione do të ndahen me publikun në një moment tjetër.

Për identitetin e personave të dyshimt është duke u punuar. Ekipet tona të hetimit dhe analistët janë duke bërë punë jashtëzakonisht të madhe me identifikimin e personave që kanë qënë të përfshirë në incident. Normalisht këto smund t’i ndajmë në këtë moment me publikun mirëpo një numër i madh i tyre është identifikuar.” deklaroi Policia e Kosovës.

Në asnjë moment Policia e Kosovës nuk ka dhënë informacion mbi tre personat e vrarë sa i përket identitetit të tyre, gjë që vërteton se informacioni që qarkullon në media është në rastin më të mirë i pakonfirmuar zyrtarisht dhe në rastin më të keq plotësisht i pavërtetë.

Shënim:

Data 26 shtator 2023 website newsbomb.net e ka korrigjuar pas verfikimit të lajmit nga ana e Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook.

*Ky shkrim është prodhuar si pjesë e iniciatiavës rajonale Qendra Kundër Dizinformiminit e Ballkanit Perëndimor

Redaktoi: Viola Keta & Aimona Vogli

Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img