.

.

BallinaFaktometerPa kategoriNë kërkim të ekuilibrave, mes nevojës për siguri dhe rrezikut të shkeljeve së të drejtave të njeriut

Në kërkim të ekuilibrave, mes nevojës për siguri dhe rrezikut të shkeljeve së të drejtave të njeriut

MARJO BRAKAJ

Shqipëria, prej 9 marsit po përballet me masat kufizuese të lëvizes së qytetarëve me qëllim parandalmin e përhapjes së koronavirusit “Covid-19”. Qeveria miratoi disa vendime dhe akte normative me fuqinë e ligjit. Të martën qeveria shpalli “Gjendjen e fatkeqësisë natyrore”. OKB, Avokati i Popullit, Komiteti i Helsinkit dhe ogranizata të tjera për të drejtat e njeriut kanë kërkuar nga qeveria ruajtjen e balancave mes masave kufizuese dhe lirive e të drejtave të njeriut.


Organizata Botërore e Shëndetësisë më 31 Janar të 2020 e shpalli virusin “Covid-19′ emergjencë shëndetësore globale dhe më 11 Mars të 2020 shpalli pandeminë. Për shkak të rrethanave të pazakonta, në bazë të rekomandive të OBSH-së, Qeveria, përmes akteve normative mori masa të cilat, për shkak të masave shtrënguese mund të kufizojnë dhe prekin çdo individ sa i përket
lirive dhe të drejtave.

Cilat të drejta apo liri mund të kthehen në “objekt” shkeljeje për shkak të këtyre masave?
Kujtojmë se të drejtat themelore të njeriut garantohen nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Konventa Europiane e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut (KEDNJ) si dhe legjislacioni kombëtar në fuqi. Masat shtrënguese në kuadër të mbrojtjes ndaj përhapjes së Covid-19 prekin të gjithë individët.
Në nenin 7, pikat 4 dhe 5 të ligjit nr.15/2016 “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive”, parashikohen disa nga masat kufizuese për të mbrojtur popullatën, të cilat miratohen nga ministri përgjegjës për Shëndetësinë:
– mbyllja e shkollave;
– mbyllja e aktiviteteve jopublike apo publike;
– anulimi i grumbullimeve masive në vende të mbyllura apo të hapura;
– kufizimi apo ndalimi i lëvizjeve me mjetet e transportit publik;
– kufizimi i lëvizjeve brenda vendit.

Masa të tjera të veçanta, të ndryshme nga ato të përcaktuara më lart përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për Shëndetësinë.

Më 19 mars, Organizata e Kombeve të Bashkuara i bëri thirrje shteteve të shmangin tejkalimin e masave të sigurisë në përgjigjen që ata kanë ndaj shpërthimit të koronavirusit. “Ndërkohë që ne njohim ashpërsimin e krizës aktuale të shëndetit si dhe jemi në dijeni se përdorimi i pushtetit të emergjencës lejohet nga ligji ndërkombëtar në përgjigje të kërcënimeve të rëndësishme, ne u kujtojmë shteteve urgjentisht që çdo përgjigje emergjente ndaj coronvirusit duhet të jetë proporcionale, e duhur dhe jo-diskriminuese”, deklaroi OKB.
Disa shtete dhe institucione të sigurisë mund ta shohin tërheqës përdorimin e fuqive emergjente sepse “i bien shkurt”. Për të parandaluar që fuqi të tilla të ngurtësohen në sistemet ligjore dhe politike, kufizimet duhet të jenë të përshtatura mirë dhe duhet të jenë mjetet më pak ndërhyrëse për të mbrojtur shëndetin public. Më në fund, në vendet ku virusi po bie, autoritetet duhet të
synojnë të kthejnë jetën në normalitet dhe duhet të shmangin përdorimin e tepërt të fuqive që u jep gjendja e emergjencës për të rregulluar pafundësisht jetën e përditshme”, thanë ekspertët e OKB-së.
Lidhur me masat kufizuese që qeveritë po ndërmarrin në raport me pandeminë “COVID-19”, reagoi dhe Komisionerja per të drejtat e njeriut, Dunja Mijatovic.
Edhe në gjendje emergjence, është e nevojshme t’i referohemi Kushtetutës, të garantohet mbikqyrja parlamentare, gjyqësore dhe e drejta per informacion“, shprehet Mijatovic.

Lidhur me situatën në vend si pasojë e pandemsë “COVID-19”, reagoi edhe Avokati i Popullit i cili gjithashtu kërkoi respektimin e të drejtave të njeriut gjatë zbatimit të masave shtrënguese.

Avokati i Popullit: U bëjmë thirrje të gjithë autoriteteve shtetërore për respektimin e të drejtave të njeriut në një masë sa më të madhe, gjatë zbatimit të masave për parandalimin dhe eleminimin e përhapjes së pandemisë. Grupeve vulnerabël dhe atyre personave të cilët janë në rrezik apo të ekspozuar ndaj prekjes nga Coronavirus duhet t’u kushtohet një vëmendje e veçantë. Domosdoshmëria e marrjes së masave proporcionale dhe në respektim të të drejtave themelore të njeriut, veçanërisht për personat që i përkasin grupeve vulnerabël, grupeve në nevojë apo me aftësi ndryshe është theksuar më parë edhe nga autoritete të larta në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

Në vijim të masave shtrënguese, qeveria shpalli të martën gjendjen e fatkeqësisë natyrore nga koronavirusi, ndërsa theksoi se në kushtet aktuale që ndodhet vendi, gjendja e emergjencës parashikon kufizimin e të drejtave të garantuara për qytetarët nga nenet 37, 38, 41, pika 4, 49 dhe 51 të Kushtetutës deri në masën që konsiderohet e domosdoshme për të arritur ruajtjen e shëndetit të shtetasve.

Por çfarë parashikojnë 5 nenet që citon qeveria?

Të drejtat që u kufizohen qytetarëve shqiptarë pas shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore:
Neni 37
1. Paprekshmëria e banesës është e garantuar.
2. Kontrollet e banesës, si dhe të mjediseve që njësohen me të, mund të bëhen vetëm në rastet dhe në mënyrat e parashikuara me ligj.
3. Askujt nuk mund t’i bëhet kontroll vetjak jashtë procesit penal, me përjashtim të rasteve të hyrjes në territorin e shtetit dhe të daljes prej tij ose për të mënjanuar një rrezik që i kanoset sigurimit publik
Neni 38
1. Kushdo ka të drejtë të zgjedhë vendbanimin si dhe të lëvizë lirisht në çdo pjesë të territorit të shtetit. 2. Askush nuk mund të pengohet të dalë lirisht jashtë shtetit.
Neni 41
1. Shpronësimet ose ato kufizime të së drejtës së pronës që barazohen me shpronësimin, lejohen vetëm përkundrejt një shpërblimi të drejtë.

Neni 49
1. Secili ka të drejtë të fitojë mjetet e jetesës së tij me punë të ligjshme, që e ka zgjedhur ose pranuar vetë. Ai është i lirë të zgjedhë profesionin, vendin e punës, si dhe sistemin e kualifikimit të vet profesional.
2. Të punësuarit kanë të drejtën e mbrojtjes shoqërore të punës.
Neni 51
1. E drejta e të punësuarit për grevë që ka të bëjë me marrëdhëniet e punës, është e garantuar.
2. Kufizime për kategori të veçanta të punësuarish mund të vendosen me ligj për t’i siguruar shoqërisë shërbimet e domosdoshme.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img