Gjetje
–Rritja e tensioneve në Ballkan: Konflikti në Ukrainë dhe tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kanë shtuar frikën për një konflikt të ri në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
–Përdorimi politik i narrativës së luftës: Liderët lokalë përmes propagandës përdorin frikën nga lufta për të përfituar politikisht dhe për të shmangur vëmendjen nga problemet e brendshme
–Rritja e dezinformimit: Propaganda dhe dezinformimi mbi një luftë të mundshme në rajon po përhapen, duke shkaktuar panik dhe pasiguri në publik dhe duke dobësuar përpjekjet për shtetformim dhe demokraci.
-Roli i medias: Mediat lokale dhe portale online po shpërndajnë lajme të pasakta dhe dezinformim, duke përkeqësuar frikën dhe tensionet në rajon çka mund të sjellë pasoja në publik.
Togfjalëshi “luftë në Ballkan” është një nga të preferuarat e mediave shqiptare. Veçanërisht në periudha kohore të tensioneve të shtuara ndëretnike, titujt e lajmeve shqipfolëse njoftojnë nisjen e luftës.
Kjo situatë ekziston prej kohe, por gjatë viteve të fundit është përshkallëzuar edhe më gjerë.
Një nga arsyet kryesore është lufta që Rusia nisi në Ukrainë, e cila e riktheu vëmendjen rajonale të Ballkanit Perëndimor tek konflikti i lënë pezull mes Kosovës dhe Serbisë.
Prej fillimvitit 2022, frika për një luftë të mundshme mes Serbisë dhe Kosovës është përhapur si “zjarri në kashtë” në Shqipëri, madje duke e hiperbolizuar situatën deri në pritshmëri për shpërthimin e mundshëm të Luftës së Tretë Botërore në Ballkan.
Kjo tezë e përsëritur gjen terren në Ballkanin Perëndimor për tri arsye kryesore në vlerësimin e Ledion Krisafit, studiues i politikave ndërkombëtare.
“E para, sepse Rusia në përpjekje për të tërhequr vëmendjen e amerikanëve nga Ukraina dhe për t’i detyruar ata të çojnë burime ushtarake diku tjetër, mund të përpiqet të hapë fronte të reja luftrash nëpër botë dhe një prej tyre supozohej që mund të ishte në Ballkan, në Kosovë ose në Bosnje Hercegovinë. E dyta, sepse një fitore e mundshme e Rusisë në Ukrainë, do i jepte zemër serbëve në Bosnje, por dhe në veri të Kosovës të përpiqeshin të destabilizonin këto shtete me mbështetjen e Rusisë tashmë fitimtare në Ukraine dhe më e fuqishme. E treta, duhet thënë dhe që problemet e shtetformimit dhe të kombësive ende nuk kanë përfunduar në Ballkan.” – argumenton ai.
Si e përdor politika narrativën e luftës
Shpesh, teza e luftës përdoret edhe nga vetë liderët lokalë të Ballkanit Perëndimor.
“Frika për luftë ushqehet edhe nga konstatimi i përpjekjeve të ngjashme të Rusisë për rritjen e ndikimit të saj, të hapur apo të fshehtë, në mjediset politike evropiane.” – shpjegon Ermal Hasimja, studiues i marrëdhenieve ndërkombëtare.
Sipas tij, në vitet e fundit janë konstatuar përpjekje të Rusisë për të rritur ndikimin e saj në forca specifike politike në Ballkan, sidomos në mjedisin post-jugosllav.
Krisafi vlerëson se situata e dinamikave ndër-etnike në rajonin e Ballkanit Perëndimor – duke patur parasysh Bosnje Hercegovinën dhe mënyrën jo funksionale të ndërtimit të atij shteti, apo edhe veriun e Kosovës që vijon të jetë vatër përplasjesh – sjell pakënaqësi nga aktorë të ndryshëm politikë në rajon, të cilët të pakënaqur me këto situata kërkojnë zgjidhje përfundimtare.
“Dhe zgjidhja përfundimtare në këto raste zakonisht jepet permes konfliktit dhe luftës” – përmbyll argumentin Krisafi.
Situata mes Kosovës dhe Serbisë ka problematikën e vet përtej ndikimeve të mundshme ruse -shpjegon Ermal Hasimja duke theksuar se kjo nuk përjashton edhe efektin e këtyre ndikimeve të mundshme.
“Në mënyrë të vetëdijshme Serbia është përpjekur të luajë me kërcënimin e një afrimi me Rusinë për të përfituar tolerancë diplomatike nga ana e perëndimorëve. Deri tani ia ka dalë më sukses, sepse kërcënimi nuk është i parëndësishëm.” – argumenton ai.
Në anën tjetër, për politikanët në rajon, tensioni është më i mirë se paqja dhe qetësia – shpjegon Ledion Krisafi duke theksuar se kjo është një mënyrë e tyre për të tërhequr vëmendjen nga problemet e brendshme që kanë me korrupsionin, zbatimin e ligjit dhe funksioimin e demokracisë.
“Këta politikanë e kanë kuptuar që nacionalizmi ‘’shet’’ në Ballkan dhe mundohen ta shfrytëzojnë në maksimum.” – thotë Ledion Krisafi.
Roli i medias
Propaganda politike që i “thërret luftës” duke kapitalizuar mbi problemet e brendshme ndëretnike, më pas shumëfishohet si pasojë e garës për të mbledhur sa më shumë klikime dhe numrit të portaleve online që funksionojnë si gazetari “copy-paste”. Mbi 800 portale raportoi Komisioni Europian të ekzistonin në Shqipëri në fund të vitit 2023.
Pavarësisht kësaj, në Shqipëri burimi kryesor i publikimit të këtyre tezave mbeten mediat e mëdha në vend. Faktoje ka analizuar dhe përgënjeshtruar në disa raste përhapjen e narrativës së “nisjes së luftës në Ballkan” që bëhet në formën e “karremave të klikimeve”.
- Kush i bie këmbanave të luftës në Kosovë?
- Rikthet fantazma e “luftës në Ballkan”
- Raporti i Inteligjencës Amerikane nuk parashikoi luftë në Ballkan
- Keqinformimi me deklaratën e Dodik përhap tituj për “luftë të re”
- “Shanset që Republika Srpska të bashkohet me Serbinë janë zero!”
Këto lajme përhapen më shumë gjatë situatave të mosmarrëveshjeve rajonale duke sjellë si pasojë të drejtpërdrejtë dezinformimin me baza etnike.
Kështu ndodhi në maj të vitit 2023 kur në veri të Kosovës u përplasën uniformat blu dhe serbët e Kosovës, pas pakënaqësive për zgjedhjet e pjesshme në komunat me shumicë serbe të Kosovës.
Asokohe, pozicionimi i qeverisë shqiptare në këtë konflikt ishte ai i ndërmjetësit. Kryeministri Edi Rama i propozoi ndërkombëtarëve një draft për krijimin e asosacionit të komunave Serbe në Kosovë, pa u konsultuar më parë me qeverinë e kësaj të fundit. Kjo lëvizje u pa si jo dashamire nga ana e Kosovës. Situata u tensionua edhe më tepër pas anulimit që kryeministri Edi Rama i bëri mbledhjes së përbashkët të dy qeverive.
Problemet në marrëdhëniet mes Kosovës e Shqipërisë, Ermal Hasimja i konsideron si përplasje mes objektivave të ndryshme kombëtare të dy politikanëve që nuk janë në gjendje t’i menaxhojnë dallimet me pjekuri.
“Edi Rama është në pozicion të pafavorshëm, sepse qëndrimet e tij bëhen për një shtet tjetër sovran dhe ai vetë, jo vetëm që nuk paguan asnjë kosto për to, por madje përfiton duke tregtuar bindje ndaj Evropës në këmbim të mbështetjes e mirënjohjes së supozuar të kësaj të fundit.” – shpjegon Hasimja.
Fill pas këtyre zhvillimeve pati një numër të shtuar lajmesh keqinformuese mbi marrëdhënien mes Shqipërisë dhe Kosovës, një pjesë e të cilave u përgënjeshtruan nga Faktoje.
- Ironia e Ramës nuk i drejtohej kryeministrit Albin Kurti
- E keqintepretuar harta e Kosovës në zyrën e raportuesit europian Lajçak
- SHISH përgjigjet për Vlora Hysenin
Situata përsëritet në rastet e vijueshme të tensionit të shtuar në rajon.
- E pavërtetë deklarata e Vuçiç se EULEX nuk u përfshi në aksionin në veri të Kosovës
- Sulmi në Banjskë dhe narrativat dezinformuese
- Vizita e Kurtit në RMV riktheu “Shqipërinë e Madhe” në hartën propagandistike serbe
- Dezinformimi me lajmin e ndalimit të djalit të Vuçiç nga Policia e Kosovës
- Nuk ka as spastrim etnik dhe as eksod të serbëve nga Kosova
Statistika të përhapjes së dezinformimit
Përhapja e lajmeve dezinformuese për shkak të çështjeve problematike në kontekstin rajonal apo kombëtar është e lartë në të gjithë vendet anëtare të rrjetit europian të verifikuesve të fakteve EFCSN.
Si vërehet nga baza e të dhënave të këtij rrjeti, çështjet kombëtare të kontekstit rajonal janë ato që prodhojnë më shumë lajme dezinformuese, pas luftës në Ukrainë.
Nga 1357 artikuj në total të përgënjeshtruara nga vërtetuesit e fakteve të këtij rrjeti, 226 janë vetëm për këtë çështje, e barabartë me rreth 17% të të gjitha lajmeve të përgënjeshtruara.
Nëse kërkimin e bëjmë për rajonin e Ballkanit Peëndimor (Shqipëri, Bosnje-Hercegovinë, Serbi, Maqedoni e Veriut) çështjet rajonale dhe kombëtare përbëjnë 11% të lajmeve të përgënjeshtruara nga rrjeti EFCSN.
Pjesa më e madhe e artikujve në Ballkanin Perëndimor që lidhen me çështjet kombëtare dhe rajonale janë dezinformim i pastër. Në 10 lajme që janë verifikuar për këtë çështje prej nisjes së luftës në Ukrainë, 6 prej tyre janë plotësisht të pavërteta.
Përfundim
Ndërsa vetëdijësimi i publikut për rrezikun e konflikteve të importuara artificialisht ekspozon synime të tilla duke sjellë edhe parandalimin e tyre, në anën tjetër, përhapja e dezinformimit për një luftë të mundshme në rajon ka pasoja të konsiderueshme në publik.
Ato krijojnë panik dhe pasiguri gjerësisht në popullsi – shpjegon Ledion Krisafi.
“Ndikojnë në një masë të madhe dhe në përpjekjet e popullsive të Ballkanit për të emigruar drejt Perëndimit, duke qenë se jetojnë në një rajon ku mediat thonë përditë që do fillojë lufta. Në rradhë të dytë, dobësojnë përpjekjet shtetformuese dhe demokratike në rajon duke vënë në dyshim ekzistencën dhe të ardhmen e shteteve si Kosova dhe Bosnje Hercegovina. Njeriu e ka të vështirë të ndërtojë të ardhmen e tij në një shtet ekzistenca dhe ardhmëria e të cilit vihet vazhdimisht në dyshim.” – argumenton ai.
*Ky artikull është pjesë e një projekti bashkëpunues të mbi 40 organizatave të udhëhequra nga Rrjeti Evropian i Standardeve të Kontrollit të Fakteve për të luftuar dezinformimin rreth Zgjedhjeve Evropiane 2024. Mund të mësoni më shumë në elections24.efcsn.com.