Informacione të shpërndara në media e më pas nga opozita ngritën pretendimin se Vlora Hyseni, kryetarja e sapo emëruar e Shërbimit Informativ të Shtetit, ka shkuar në Serbi në muajin Maj. Përgjigjja e Shërbimit Informativ Shtetëror për Faktoje e përgënjeshtron këtë pretendim të medias dhe të opozitës. Mazhoranca i quan akuzat e opozitës si dezinformim të qëllimtë politik që cënon interesat kombëtare të shqiptarëve në një moment delikat për Kosovën. Opozita, edhe pas përgjigjes së SHISH, nuk tërhiqet nga deklaratat e saj për zonjën Hyseni. 

Jona Plumbi

A ishte Vlora Hyseni në Beograd, apo jo? Kësaj pyetjeje janë munduar t’i përgjigjen shumë aktorë në vend, duke nisur nga mediat dhe duke përfunduar me një kërkesë zyrtare për informacion nga anëtari demokrat i komisionit parlamentar të sigurisë kombëtare, Flamur Noka.

Diskutimi nisi në fund të muajit Maj, kur në media u publikua informacioni se Vlora Hyseni, kryetarja e Shërbimit Informativ të Shtetit, ka shkuar në Beograd për të takuar presidentin serb Aleksandar Vuçiç, në një kohë kur tensionet mes Serbisë dhe Kosovës shpalosen në veri të Mitrovicës prej javësh.

*lajmi i publikuar nga Pamfleti.net në 29 Maj për udhëtimin e Vlora Hysenit në Beograd

Reagimi i opozitës

Lajmi u shpërnda më gjerë dy ditë më pas, në 31 Maj, pasi drejtuesi i Komisionit të Rithemelimit të Partisë Demokratike, Sali Berisha i dha zë pretendimeve të ngritura në media, përmes një statusi në rrjetin social Facebook.

Berisha iu referua artikullit të Pamfletit duke pretenduar se mungesa e përgënjeshtrimit nga vetë institucionet shqiptare për këtë vizitë vërteton udhëtimin e “fshehtë” të Vlora Hysenit në Serbi.

Po atë ditë, në 31 Maj, anëtari i Komisionit Parlamentar për Sigurinë Kombëtare nga opozita, Flamur Noka, përmes Parlamentit i dërgoi një kërkesë zyrtare për informacion Shërbimit Informativ të Shtetit për udhëtimin e pretenduar të Vlora Hysenit.

Përgjënjeshtrimi i SHISH

Informacion zyrtar nga SHISH kërkoi edhe Faktoje përmes ligjit për të drejtën e informimit. Nisur nga akuzat publike, Faktoje pyeti SHISH për dy pretendimet e ngritura:

KERKESE-PER-INFORMACION-SHISH

Përgjigjja e SHISH për kërkesën për informim të Faktoje, erdhi në datën 6 qershor.


“Drejtuesi i Shërbimit Informativ të Shtetit, që nga dita e marrjes së detyrës e deri më sot, nuk ka marrë pjesë në asnjë vizitë apo takim jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.”

— Shërbimi Informativ Shtetëror, 6 Qershor 2023

Pretendimet e palëve

Në një komunikim që Faktoje pati me deputetin Flamur Noka për ta pyetur nëse kishte marrë përgjigje për kërkesën e tij për informacion, deputeti njoftoi se sipas tij askush nuk duhet të ketë pritshmëri që vetë SHISH t’a konfirmojë vizitën Hysenit në Beograd edhe në rast se kjo ka ndodhur.

Ne do vijojmë ta qëmtojmë këtë rast” – tha deputeti Flamur Noka për Faktoje.

Në anën tjetër, atë të mazhorancës, ish zëvendësministri i mbrojtjes, Z.Petro Koçi i pyetur nga Faktoje, e quajti rastin një dizinformim të pastër.

Në këtë rast kemi të bëjmë me dizinformim të palëve që janë kundër interesave të Shqipërisë dhe Kosovës. Strategji të tilla bëhen nga rusët në rajon apo edhe faktorë të tjerë, me qëllim destabilizimin e rajonit. Unë nuk besoj se vetë Berisha është i dizinformuar. Mendoj që e ka formuluar në mënyrë të qëllimshme këtë lajm dizinformues dhe qëllimi ka qenë politik, për të diskretituar sipas tij qeverinë dhe institucionet e Shqipërisë në raport me çështje që lidhen me Kosovën dhe marrëdhënien e saj me Serbinë, që në këtë moment është në situatë të tensionuar.Besoj që ky është investim për të përçarë Shqipërinë dhe Kosovën. Lajme të tilla të pista synojnë padiskutim lindjen e mosbesimit mes dy shteteve që janë një popull dhe sidomos mosbesimin në rangun shoqëror, jo vetëm atë politik. Mendoj që ky është rast ku duhet të veprojë drejtësia. Duhet hetuar pasi cënon interesat kombëtare të sigurisë dhe interesin kombëtar të shqiptarisë në përgjithësi.” – tha deputeti Petro Koçi për Faktoje.

*Ky shkrim është prodhuar si pjesë e iniciatiavës rajonale Qendra Kundër Dizinformiminit e Ballkanit Perëndimor

Redaktoi: Viola Keta & Aimona Vogli