BallinaProjekteQendra Kundër Dezinformimit e Ballkanit PerëndimorDezinformimi me lajmin e ndalimit të djalit të Vuçiç nga Policia e Kosovës

Dezinformimi me lajmin e ndalimit të djalit të Vuçiç nga Policia e Kosovës

Ngjarja e ndalimit të djalit të presidentit serb Alexandar Vuçiç nga ana e policia e Kosovës gjatë qëndrimit të tij në Graccanicë, u njoftua nga mediat në Ballkan në disa versione të ndryshme.

Konfuzioni rreth kësaj ngjarje, u nxit dhe nga propaganda qeveritare e të dyja vendeve dhe shpërndarja e kësaj të fundit  në formatin copy-paste nga media online pro-qeveritare. Mediat, të shtyra nga dëshira për të raportuar lajmin të parat dhe në kohë ndërthurur pak edhe me qëllimin për të mbledhur sa më shumë klikime, shpesh bëhen zëdhënëse të propagandës së njërës apo tjetrës anë, apo sakrifikojnë vërtetësinë e lajmit për efekt shpejtësie.

Jona Plumbi

Prej muajit Maj kur përplasja mes Kosovës dhe Serbisë në komunat me shumicë serbe të Kosovës arriti në përleshje të protesuesve nga minoriteti serb dhe ushtarëve të KFOR, mediat kanë ‘kapur’ momentin për mbledhjen e klikimeve, jo duke informuar mbi ngjarjen dhe të vërtetën, por duke publikuar informacione gjysmake me tituj të përpunuar enkas për të ngjallur emocion tek lexuesit.

Ngjarja e ndalimit të djalit të presidentit serb Alexandar Vuçiç nga ana e policia e Kosovës, u njoftua nga mediat në versione të ndryshme, ende sot të pasqaruara.

Lajmi, në dukje tepër i thjeshtë, u kthye në pështjellim informacioni dhe ngjarjesh që ende sot nuk janë sqaruar se çfarë është e vërtetë dhe çfarë propagandë. Bëhet fjalë për rastin e ndalimit nga policia e Kosovës të djalit të presidentit serb Alexandar Vuçiç, Danilo.

Ky i fundit kishte udhëtuar drejt Kosovës në Graçanicë për të marrë pjesë në një organizim të Kishës Ortodokse Serbe për të festuar Vidovdan-in, ditë përkujtimore për betejën e Kosovës kundër Perandorisë Osmane më 15 qershor 1389. Pjesëmarrja e djalit të presidentit serb Vuçiç në festën e organizuar në Graçanicë të Kosovës ishte në vëmendjen e mediave, të cilat raportuan pjesëmarrjen e tij në festime, duke theksuar edhe mbishkrimin në bluzën që Danilo mbante veshur, ku shkruhej “dorëzimi nuk është opsion”.

Në përfundim të ceremonisë në Graçanicë, policia e Kosovës e ka ndaluar djalin e presidentit në rrugë automobilistike, ku kanë ushtruar kontroll mbi automjetet.

Lajmi i shpërndarë fillimisht nga RTV Dukagjini dhe Koha.net, tregonin një video të publikuar me titullin “Momenti kur Policia ndalon djalin e Vuçiqit, ia heq bluzën me mbishkrime nacionaliste”.

Lajmi për ndalimin e Danilos u shpërnda me shpejtësi në mediat e Kosovës dhe ato në Shqipëri duke pësuar disa shtrembërime të ndjeshme rrugës.

Ndalim apo arrestim

Fillimisht ndalimi që policia i bëri djalit të presidentit serb, u quajt si ‘arrestim’ nga një pjesë e mediave në Shqipëri. Disa prej tyre publikuan informacionin me tituj që njoftonin arrestimin e Danilo Vuçiç, për të shpjeguar më pas në brendi të lajmit se bëhej fjalë për ndalimin e tij në rrugë nga policia dhe, sigurisht, lënien e tij të lirë.

Arrestimi i pretenduar i djalit të presidentit serb u shpërnda nga mediat shqiptare edhe në gjuhë të huaj.

“E lagu, s’e lagu”

Arsyeja e ndalimit nga policia e Kosovës të djalit të Vuçiç u njoftua nga mediat të ishte heqja e bluzës me shkrimin e konsideruar si provokues. Edhe pse videoja e ndalimit u shpërnda në rrjet si “momenti kur policia ja heq bluzën me mbishkrim nacionalist” në pamje ky moment nuk duket.

Pavarësisht kësaj, heqja e bluzës së Danilo Vuçiç nga policia e Kosovës u raportua nga media në të gjithë rajonin.

Madje edhe sipas medias serbe Danas, në artikullin e publikuar në 28 Qershor në ditën kur ndodhi ngjarja, citohet lajmi i RTV Dukagjinit për ndalimin që policia e Kosovës i bëri djalit të Vuçiç, duke i hequr atij bluzën. Kjo – shkruan Danas – u konfirmua nga presidenti serb Aleksandar Vuçiç gjatë një fjalimi inaugurues në vendin e tij.

Në anën tjetër, në Kosovë, bluza e Danilo Vuçiç u ‘vesh’ me simbolin e dorëzimit. Deputeti i VV-së, Mefail Bajqinovci, në një status në rrjetet sociale që më pas u pasqyua në mediat e Kosovës, e paralelizoi heqjen e bluzës me dorëzimin.

Danilo e dorëzoi fanelën në të cilën thoshte s’ka dorëzim. Djali i Vuçiqit, Danilo paska ardhur në Kosovë me maicë Nema Predaje (S’ka dorëzim)”, ka shkruar në Facebook Bajqinovci.

Konfirmimin e këtij informacioni Danas e publikoi edhe në datën 29 korrik në një tjetër artikull ku njoftohej raportimi i ngjarjes nga mediat e rajonit.

Ndërkohë që vetë artikulli në brendi, përfshin një postim në instagramin e Vuçiç të datës 29 Qershor ku shkruante se në fakt policia e Kosovës nuk ja hoqën dot bluzën djalit të tij.

Vetëm tani kuptova se çfarë po ndodhte në KiM. Herën e fundit që ndaluan Danilon, jo shumë larg Podujevës, policia shqiptare kërkoi që ai të hiqte me çdo kusht bluzën ku shkruhej “Dorëzimi nuk është opsion”. Danilo nuk u pajtua dhe më pas i drejtuan armët dhe e pyetën “Emri i babait?” Ai u përgjigj: “Aleksandër! Ky është babai im dhe presidenti juaj”! Bluzën nuk e kishte hequr, dhe imazhi nuk e njollosi. Dorëzimi nuk është një opsion!” – shkruan në postim Vuçiç.

Ky postim i Vuçiç solli edhe një ndryshim në raportimin e mediave, të cilat deri në 28 qershor njoftonin se policia i kishte hequr bluzën Dalinos, ndërsa në 29 qershor

E njëjta retorikë – ajo ku Danilo portretizohej si heroi  qëndrestar që refuzoi heqjen e bluzës edhe pasi i drejtuan armët dhe për rrjedhojë “nuk kishte turpëruar veten, familjen dhe kombin” – u artikulua në 1 Korrik edhe nga ministri i mbrojtjes serbe, Milos Vucevic.

Ky ‘version’ i ri i ngjarjes u njoftua edhe nga presidenti Vuçiç gjatë një interviste televizive, pavarësisht se disa ditë më parë kishte konfirmuar lajmin e mediave kosovare.

Përshkallëzimi i kësaj propagande politike erdhi në një deklaratë të partisë politike “Lëvizja e Socialistëve” e kryesuar nga Aleksandër Vulin deri në dhjetor 2022 kur ky u emërua shef i inteligjencës serbe.

Në këtë deklaratë Danilo Vuçiç portretizohet si kurajoz dhe dinjitoz, ndërkohë që Kurti quhet njeri i vogël dhe frikacak.

Ky ndryshim versioni të ngjarjes, fryrë nga propaganda politike dhe deklaratat kontradiktore, ndryshoi edhe raportimin e mediave të cilat deri tani kishin njoftuar heqjen e bluzës së Danilos si arsyen e ndalimit nga policia e Kosovës.

Kështu vetë Koha.net, që kishte publikuar videon me mbishkrim ‘momenti i kur policia ja heq bluzën me mbishkrime ndacionaliste’ në datën 28 qershor, një ditë më vonë raporton statusin e Vuçiç që rrëzon këtë pretendim.

Kushdo lexon këtë artikull informohet ekskluzivisht mbi pretendimin e Vuçiçit, pa kuptuar çfarë ka ndodhur në të vërtetë, apo cilat janë qëndrimet e palëve.

Në anën tjetër, mediat serbe publikuan artikuj të panumërt me tone patriotike duke i dhënë ngjarjes formën e dëshiruar nga propaganda nacionaliste, si për shembull “Provokimi të cilit, fatmirësisht, askush nuk iu përgjigj – Danas” apo krahasime si ai q ëish-ministrja serbe Rada Trajkoviç bëri duke hequr një paralele mes djalit të Vuçiç dhe Dua Lipës.

Në retorikën e mediave serbe, ndalimi i djalit të Vuçiç është quajtur torturë, ngacmim, sulm, kërcënim dhe të tjera si këto.

Sa herë e ndaluan Danilon?

Ndryshimi i versionit të ngjarjeve në retorikën e presidentit serb Aleksandër Vuçiç mori edhe një kthesë tjetër. Në intervistën e dhënë për televizionin Prva, Vuçiç ngriti edhe pretendimin se Danilo ishte ndaluar nga policia e Kosovës, jo një herë, por tre herë dhe se këtë “ata e kishin vërtetuar me video”.

Kjo video është njoftuar edhe nga media të tjera serbe. Shembull është artikulli i publikuar nga Blic.rs që njofton në titull videon e ndalimit të djalit të Vuçiç bashkë me pretendimin se ai është ndaluar tre herë.

(VIDEO) Policia e Kosovës ndalon Danilo Vuçiqin për shkak të bluzës, publikohet video! VUÇIQ: Danilo është më trim se Kurti, e kanë bullizuar tri herë – njofton titulli i Blic. Por videoja të cilës i referohet është në fakt ajo e shpërndarë nga mediat në Kosovë, gjë që nuk vërteton aspak ndalimin e tij nga policia tre herë.

Videoja të cilës i referohet presidenti Vuçiç nuk gjendet në rrjet, gjë që lë të mendohet se kjo është një formë tjetër propagande e fryrë për qëllime politike. Pretendimi se Danilo u ndalua tre herë nga policia e Kosovës u përgënjeshtrua nga Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla i cili njoftoi në një deklaratë për mediat se Danilo është ndaluar vetëm një herë. Kjo u raportua gjerësisht nga mediat në Kosovë dhe Shqipëri, por jo në ato serbe.

Lajmi u publikua në gjuhë serbe kryesisht nga media online të kosovës si kosovo-online.com dhe në pak portale serbe, por jo në mediat e mëdha në Serbi.

Përfundim

Informimi i saktë mbi ngjarje që raportohen nga mediat në rajon po bëhet gjithmonë e më i vështirë. Konfuzioni nxitet nga propaganda qeveritare dhe shpërndahet copy-paste nga portale pro-qeveritare. Kësaj gjurulldie informacioni i shtohen edhe mediat, të shtyra nga dëshira për të raportuar lajmin të parat dhe në kohë, ndërthurur pak edhe me qëllimin për të mbledhur sa më shumë klikime, duke sakrifikuar vërtetësinë e lajmit për efekt shpejtësie.

*Ky shkrim është prodhuar si pjesë e iniciatiavës rajonale Qendra Kundër Dizinformiminit e Ballkanit Perëndimor

Redaktoi: Viola Keta & Aimona Vogli

Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img