Pretendimi: Mjekja këshillon online recetën popullore për shërimin e mykut të thonjve
Verdikti: Gjeneruar me AI
Video e një “mjekeje” të gjeneruar me inteligjencën artificiale që këshillon “mjekime popullore” duket si bashkim i dy ekstremeve. Megjithatë, përzierja e të vjetrës me teknologjinë e fundit, ka rezultuar e suksesshme për të tërhequr vëmendjen e përdoruesve në rrjetet sociale.
E publikuar në Facebook në 15 shtator nga profili i titulluar Shëndeti, video ka marrë mbi 585 mijë shikime dhe shumë komente të ndryshme.
Materiali fillon me një prezantim të ngrohtë nga “mjekja”, e cila me një zë të qetë, shpjegon se si mund të përgatitet një trajtim në kushte shtëpie për të luftuar mykun e thonjve. Ajo ofron këshilla hap pas hapi, duke përfshirë përbërës të zakonshëm që ndodhen në çdo kuzhinë, si hudhër, qepë etj.
Mjekja thekson gjithashtu rëndësinë e higjienës dhe përdorimit të produkteve natyrale, duke i dhënë rëndësi mjekësisë popullore.
Megjithatë, ajo që e bën këtë video të veçantë është se ajo është krijuar plotësisht nga një algoritëm inteligjence artificiale, duke përdorur teknologjinë më të fundit për të simuluar një eksperte shëndetësore.
Duke qënë se imazhi i “doktoreshës” nuk është shoqëruar me një shënim të qartë se bëhet fjalë për një krijim artificial, shumë përdorues shkruajnë komente që të bëjnë të dyshosh se mendojnë se është një person i vërtetë dhe shprehen falenderues për recetat popullore që ajo publikon.
Ky rast është një shembull i qartë se si teknologjia, kur përdoret në mënyrë të papërshtatshme, mund të krijojë keqkuptime në fushën e shëndetësisë.
Videoja e “mjekes” virtuale është një ilustrim i fuqishëm i sfidave që përballen në epokën digjitale. Ajo thekson nevojën për edukim dhe vetëdijësim mbi informacionin që shpërndahet në rrjetet sociale.