E konsideruar si një “temë e dhimbshme” nga kryebashkiaku Kolefski, menaxhimi i mbetjeve vijon të mbetet një problem i pazgjidhur për Bashkinë Pustec. Mbetjet e nëntë fshatrave depozitohen në dy vendgrumbullime, ku “menaxhimi” i tyre shpeshherë bëhet përmes djegies.
Pali Kolevski, gjatë prezantimit si kandidat për kryetar të Bashkisë Pustec në zgjedhjet e 30 qershorit 2019, në praninë e kryeministrit Edi Rama, renditi ndër përparësitë e programit të tij, menaxhimin e mbetjeve.
Largimi i mbetjeve është një temë e dhimbshme që duhet të zgjidhet në kohën më të shkurtër – u shpreh ai më 16 qershor.
Në muajin korrik 2020, “Faktoje”, përmes një kërkese për informacion pyeti në Bashkinë Pustec se çfarë po ndodhte me menaxhimin e mbetjeve.

Jemi në finalizim të marrëveshjes me landfillin e Maliqit (Administrimi i Mbetjeve të Qarkut Korçë) dhe shumë shpejt do të fillojë transportimin e mbetjeve – na u komunikua nga Bashkia Pustec.
Më 27 gusht 2020, me Vendim të Këshillit Bashkiak në territorin e Bashkisë Pustec u miratuan dy vendgrumbullime për mbetjet, një në Fshatin Goricë e madhe dhe një në Pustec, njohur ndryshe edhe si Liqenasi.

Në muajin shtator “Faktoje” shkoi në Pustec me qëllim verifikimin në terren të situatës.
Mbetjet i grumbullojmë, një herë në javë vjen një automjet i bashkisë që i merr dhe i transporton te fushat ku grumbullohen mbetjet. Problem është se as kosha mbeturinash nuk ka. Jemi edhe zonë turistike e nuk i ka hije që pas kaq shumë vitesh të kemi problem ende mbetjet – i tha “Faktojes” Andoni 55 vjeç, banor i Pustecit.

Është një ndër problemet e trashëguara në vite. Realisht mbetet problem i madh. Në Bashkinë Pustec ishin 6 fusha mbetjesh. Katër i mbyllëm, dy vijojnë të jenë aktive. Jemi në proces negociimi për t’i transportuar mbetjet në Landfillin e Maliqit. Kjo mbetet e vetmja zgjidhje, pasi nuk kemi as kushtet infrastrukturore e as buxhetin për t’i mirëmenaxhuar – i tha “Faktojes”, Jani Nikolla, njëri nga nënkryetarët e Bashkisë Pustec.

Menaxhimi i mbetjeve, nëse mund të konsiderohet i tillë, konsistonte në djegien e tyre, në kodrën që gjendej mbi 5 fshatra të Bashkisë Pustec.

Pas, fushës së mbetjeve në Lajthizë, “Faktoje” shkoi edhe në fushën e dytë aktive, atë të Goricës së Vogël.

Edhe aty situata vijonte të ishte problematike. Mbetje plastike, ushqimore dhe inerte gjendeshin në një sipërfaqe, në afërsi të zonave të banuara.

Sipas Planit Kombëtar Sektorial për Menaxhimin e Mbetjeve të Ngurta, në Bashkinë Pustec prodhohen mesatarisht 1 ton mbetje çdo ditë.
Me fondet që na jep qeveria ne vetëm sa sigurojmë rrogat e punonjësve të bashkisë. Mënyra e ndarjes së këtyre fondeve duhet të rishikohet mbi bazën e kapaciteteve. Ne përfitojmë fonde mbi bazën e numrit të popullsisë– i tha “Faktojes” Jani Ago, nënkryetari tjetër i Bashkisë Pustec, pasi u pyet mbi problemin e menaxhimit të mbetjeve.
Gjendja e krijuar nga ndotja për shkak të mbetjeve në Pustec dhe mungesa e investimeve ishte objekt i interpelancës mes deputetit Vasil Sterjovski dhe ministrit te turizmit Blendi Klosi. Në seancën parkamentare të 17 shtatorit 2020.
Ministri i Turizmit, Blendi Klosi argumentoi se ishin bërë investime edhe për menaxhimin e mbetjeve, por verifikimi në terren nuk dëshmonte ndonjë të tillë.
Premtimin e kryetarit të Bashkisë Pustec, Pali Kolefski lidhur me zgjidhjen përfundimtare të menaxhimit të mbetjeve në territorin e 9 shtartave, pas kërkesave zyrtare dhe vëzhgimit në terren do ta kategorizojmë si “Premtim të pambajtur”.
Lexo dhe: Mbi 5 mijë banorë në Pustec në “kërkim” të një farmacie dhe qendre shëndetësore funksionale