BallinaKomunitetet lokale kundër dezinformimitMësimi online, sa nxënës “u përjashtuan”?!

Mësimi online, sa nxënës “u përjashtuan”?!

JULIAN HOXHAJ

Pandemia e koronavirusit solli vështirësi të mëdha për shumë kategori në Shqipëri, që për shkak të izolimit, nuk patën akses në shërbime të domosdoshme. 380 mijë nxënësit e regjistruar këtë vit shkollor, nga cikli fillor e deri tek ai i mesëm, përbëjnë një ndër grupet më të mëdha të interesit që u prekën drejtpërdrejt nga pasojat e pandemisë Covid-19. Në pamundësi për të frekuentuar shkollën, platformat online dhe ato të televizionit shqiptar u ofruan si mënyrë për realizimin e procesit mësimor.  Por sesa prej tyre, mbetën pa e përfituar këtë “shërbim”, as vetë Ministria e Arsimit nuk është e qartë, pasi shifrat e dhëna prej saj nuk përputhen me realitetin.


Nxënës të shkëlqyer, që s`patën mundësi të ndjekin mësimin online

Në shkollën 9-vjeçare “Bajram Gashi” në fshatin Fllakë të qytetit të Durrësit, ku mësojnë 165 nxënës, ka pasur të paktën mbi 10-15 prej tyre që e patën të pamundur mësimin online. Siha, 10 vjeçe, në klasën e 3-të kësaj shkolle, është e shkëlqyer në mësime, por me mundësi minimale ekonomike. Familja e saj prej 5 anëtarësh jeton vetëm me pensionin e të atit. Disa vite më parë ato u ndihmuan pas publikimit të historisë së tyre në një program televiziv, pas të cilit iu dhurua një banesë e vogël në vend të kasolles ku familja jetonte qëkur lindën Siha dhe motra e saj.

Sulltanja, nëna e Sihës, tregon se nuk kishin telefon që t’u mundësonte mësimin në internet vajzave.

“Nuk kanë marrë mësim online vajzat dhe më vjen keq me thënë të drejtën, më dhemb shpirti për to. Pse të mos jenë si gjithë fëmijët e tjerë? – tregon e trishtuar e ëma e vajzave, e pyetur për “Faktoje”.

Ajo rrëfen se ka kërkuar ndihmë pranë Drejtorisë së Shkollës, por pa rezultat.

“Kam kërkuar ndihmë tek drejtoresha, pasi dua që fëmijët e mi të mësojnë, se pa shkollë nuk kanë ku të shkojnë, por drejtoresha e shkollës më ka thënë që s’ka mundësi të më mundësojë një iPad e as të më paguajë internetin”- tha Sulltania, e cila frikësohet se nga situata e pandemisë, mësimi online mund të rikthehet edhe këtë vit shkollor.

Ne kontaktuam edhe me prindër të tjerë të nxënësve në shkollën “Bajram Gashi” të cilët kanë pasur vështirësi me përfshirjen në mësimin online, ose që nuk e kanë pasur fare mundësinë ta përdorin atë gjatë gjithë kohës së karantinës.

Eridona, 13 vjeçe, nuk ka mundur ndjekë mësimin online, sepse njerka e saj, e vetmja në familje që kishte një smartphone ishte në Greqi në momentin që u mbyllën kufijtë.

“Kam qenë në Greqi tek vajza, sepse më lindi gjatë periudhës së pandemisë. Përpiqesha që mësimet që bënte mësuesja t’ia çoja kunatës time dhe Eridona të mund t’i shikonte e lexonte, por jo gjithnjë kjo funksiononte, pasi ishim në karantinë”- thotë ajo.

Eridona mundi të ndjekë mësimin online vetëm pak ditë para se mbyllej viti

Denisa është 17 vjeç dhe për të ndihmuar familjen ka nisur punë në një nga fasoneritë e zonës së Fllakës, në Durrës. Përveç punës që nuk e ndërpreu asnjë ditë, gjatë pandemisë, Daniela ndihmoi edhe vëllanë, Sabianin nxënës në klasën e tretë në shkollën “Bajram Gashi”.

E kam ndihmuar unë, pasi gjatë ditës ai shumë rrallë merrte mësim online, me telefonin tim, sepse unë jam në punë.”- tregon ajo.

Pamundësia për përdorimin e platformave për mësimin online preku edhe mësuesit. Disa prej tyre janë përfshirë në proces përmes rrjetit Whatsapp rreth një muaj me vonesë. Ne kontaktuam me dy prej tyre, por ata nuk pranuan të flasin.

Mësimi online edhe në shtator?!

Gert Janaqi, Drejtor i Institutit të Zhvillimit të Arsimit, i pyetur për “Faktoje”, pohon se ky institucion së bashku me Ministrinë e Arsimit po punon për kurrikulat dhe programet e reja të mësimit online për t’i prirë çdo lloj skenari për shtatorin.

“Ne jemi marrë me manualet e mësimit online dhe në fakt puna vazhdon edhe tani, ku jemi bazuar në manualet ndërkombëtare. Nuk është vendosur asgjë se çfarë do të ndodhë në shtator pasi është ende herët. Një opsion është rikthimi në shkollë me protokollin strikt të masave anti-covid, i dyti është që nxënësit të bëjnë gjysmën e mësimit në shkollë dhe pjesën tjetër online, ndërsa alternativa e tretë është aplikimi vetëm i mësimit online.”-tha Janaqi.

Mësimi online në “mëshirën” e mësuesve dhe RTSH

Në datën 2 korrik, ministrja e Arsimit Besa Shahini gjatë një konference ku raportoi për sfidat me të cilat u përball arsimi pas tërmetit të 26 nëntorit dhe pandemia e Covid-19, deklaroi se në Shqipëri u zhvilluan dy forma të mësimit: ai përmes platformës “RTSH Shkolla” dhe mësimi online (komunikimi privat apo në grup i mësuesve dhe nxënësve nëpërmjet rrjeteve sociale apo formave të tjera të komunikimit masiv).

Mësim i zhvilluar në platformën online Zoom

Sipas Shahinit, mësuesit me iniciativë të tyre kanë xhiruar 1.2 milionë minuta video, duke shpjeguar leksione apo duke zgjidhur detyra. Ndërkohë në Kanalin “RTSh Shkolla”, ajo thotë se janë xhiruar 20 mijë minuta video profesionale, por janë transmetuar vetëm 10 mijë.

Mësim në lëndën e matematikës transmetuar në RTSH Shkolla

Edhe pse është bërë një punë e madhe nga mësuesit për t’u siguruar që fëmijët të marrin mësim online apo nëpërmjet televizorit, përsëri jo të gjithë patën mundësi ta ndjekin atë, gjë që e pranoi edhe ministrja e Arsimit Besa Shahini:

“Rreth 9400 nxënës nuk patën akses në mësimin online fillimisht, por ne arritëm t`u siguronim akses rreth 5000 mijë nxënësve me një donacion nga Vodafone Albania, arritëm të sigurojmë pajise. Sepse këtyre kryesisht u mungonin pajisjet elektronike në shtëpi”-tha ministrja Shahini, duke shtuar se “në shtator këta nxënës do të jenë përsëri në fokus”.

Për të verifikuar këtë shifër ne i dërguam një kërkesë për informacion Ministrisë së Arsimit ku e pyesnim për numrin e saktë të nxënësve që nuk kanë pasur akses në mësimin online.

Kërkesa për informacion dërguar MAS

Mirëpo edhe pse kaluan të gjitha afatet e parashikuara në ligj, MASR nuk dha përgjigje. Pas ankesës drejtuar Komisionerit për të Drejtën e Informimit, Ministria e Arsimit reagoi:

Në përgjigje të kërkesës për informacion mbi mësimin online, ju bëjmë me dije se në fillim të procesit të zhvillimit të mësimit online, numri i fëmijëve të cilët nuk patën akses në mësimin online, ishin 10 mijë fëmijë. Në saj të bashkëpunimit mësues + nxënës + prindër dhe gjithashtu pas shpërndarjes së 5438 pajisjeve dixhitale (telefona dhe tablet), numri u reduktua në 3187 fëmijë”.

Përgjigjja e MAS ndaj kërkesës sonë

Përgjigjja e Komisionerit për të Drejtën e Informimit ndaj ankesës sonë

Në përgjigjen e Ministrisë së Arsimit konstatuam disa mospërputhje shifrash, duke nisur me një “gabim” prej 600 nxënësish në krahasim me atë që deklaroi ministrja Shahini më herët, sipas të cilës numri i fëmijëve që nuk patën akses në mësimin online është 9400, ndërsa përgjigjja zyrtare e institucionit flet për 10 mijë fëmijë.

Edhe numri i nxënësve të mbetur pa një mjet smart, është llogaritur gabim, pasi nga diferenca e 10 mijë nxënësve pa akses me 5438 nxënës që u pajisën sipas MASR, mbeten 4562 dhe jo 3187 nxënës.

Por për ekspertin e çështjeve të arsimit Ndriçim Mehmeti, numri i nxënësve që nuk mundën të përfshiheshin në mësimin online ishte më i madh, duke bërë këto llogari:

Merr vetëm rastin e familjeve të prekura nga tërmeti. Shko tek ata që nuk kanë hyrë në shtëpi, janë 17 mijë familje. Sikur 7 mijë familje të kenë nga një, jo më shumë, se ne i kemi parë që ata kanë nga tre fëmijë. Merr vetëm këta, mos të them për zonat e thella”– thotë Mehmeti, i pyetur për “Faktoje”.

Nga ana tjetër ligji “Për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, i cili garanton se “çdo nxënësi i sigurohet e drejta për arsimim cilësor, si dhe shanse të barabarta për arsimim”, ngre pikëpyetje mbi trajtimin e barabartë të fëmijëve të këtij komuniteti që nuk kanë mundësi të pajiset me mjete digjitale, edhe pse bëhet fjalë për një situatë të krijuar nga gjendja e fatkeqësisë.

“Shteti shqiptar nuk mori as masën më të vogël. D.m.th., është e vetmja ministri e arsimit në të gjithë rajonin, e vetmja Ministria e Arsimit e Shqipërisë, që nuk mori asnjë masë lehtësuese. Duhet përmendur kjo me forcë. Po marr Kosovën, 150-300 euro merrnin mësuesit sipas shkallës së kualifikimit dhe ngarkesës që kishin. Me këtë ti nuk ke nevojë t`i thuash internet falas, se e blen vetë ai”- thotë eksperti.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës që shpërbleu mësuesit deri në 300 euro për mësimin online gjatë pandemisë

Duke u rikthyer tek situata e krijuar në Shqipëri, Mehmeti sugjeron ndërmarrjen e hapave ligjore, duke argumentuar se nëse do ishte kryer projekti i digjitalizimit të shkollave nga ministrja paraadhëse e Arsimit, pandemia nuk do të krijonte këto mangësi tek procesi mësimor.

“Ku kanë shkuar 3.5 milionë euro për iPad-et? Premtimi i cili thoshte se ne në 2018 do të mbarojmë në 372 gjimnaze? Të nisë një hetim se ku u zhdukën dhe ku vajtën iPad-et e shkollës Sami Frashëri. Ç’u bë me paratë që hodhën për platformën “Sokratis”? Ishte një platformë që do kishte tri gjëra: mësim online, menaxhimi i nxënësve dhe menaxhimi i mësuesve. Kjo nuk u bë. Hetimi duhet të niste në shumë përmasa”- thotë Ndriçim Mehmeti.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img