Projekti “Lungomare 3” për rikualifikimin e segmentit bregdetar Uji I Ftohtë-Radhimë- Orikum ka mbetur në mes. Në dhjetor të vitit të kaluar anëtarë të qeverisë përuruan nisjen e punimeve për investimin rreth 1.5 miliardë dollarë, duke premtuar shndërrimin në një zonë shërbimi me 5 yje deri në pranverën e 2024-s. Por verifikimi tregoi se punimet janë ndërprerë dhe asnjë institucion nuk përgjigjet për arsyet dhe respektimin e afateve. Ndërsa bizneset e zonës po bëjnë llogaritë për koston që do t’u sjellë zvarritja e punimeve.
Jerola Ziaj
Në 13 Dhjetor 2022, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro dhe drejtori Ekzekutiv i Fondit Saudit të Zhvillimit, Abdulrahman Al-Marshad lajmëruan nisjen e punimeve të segmentit ‘Lungomare 3’ që shtrihet përgjatë vijës bregdetare, nga Tuneli i Ujit të Ftohtë deri në Orikum.
Ndërkohë drejtuesi politik për Qarkun Vlorë Blendi Klosi, i pranishëm në ceremoni tha: “Kjo zonë do të transformohet në një zonë shërbimi me 5 yje, për turistët vendas e sidomos ata të huaj.“
Nisur nga rëndësia dhe impakti i madh që ka ky projekt, vendosëm të bëjmë një verifikim në lidhje me ecurinë dhe afatet e përfundimit të tij.
Në 10 mars 2023 bëmë një vëzhgim në segmentin Uji i Ftohtë-Orikum, por rruga ku duhej të vijonin punimet qëndron pjesërisht e bllokuar dhe me sinjalistikë që lajmëron se po punohet, megjithatë punëtorët nuk duken gjëkundi.
Në këtë aks nuk ka një tabelë punimesh për lotin II ku bën pjesë projekti në fjalë, por vetëm një tabelë për lotin 1.
Të dhënat zyrtare në lidhje me lotin II i gjetëm në faqen e Open Procurement sipas të cilës financues janë: Fondi Kuvajtian me 40.8 milionë USD, Fondi Saudit me 30 milionë USD dhe Qeveria Shqiptare me 11 milionë USD. Afati i punimeve është 2 vjet kohë plus një vit për kolaudimin. Me këtë logjikë, punimet përfundojnë në rastin më të mirë në tetor 2024 ndërsa në tetor 2025 përfundon afati 1-vjeçar i kolaudimit.
Ndërkohë sezoni turistik është në prag dhe vështirësitë që sjellin punimet nëpër rrugë janë shqetësimi kryesor i banorëve dhe bizneseve të shtrirë përgjatë “Lungomare 3“ ose asaj që zyrtarish njihet si “loti i dytë i vijës bregdetare Vlorë- Radhimë-Orikum“
“I kemi parë për herë të fundit të punojnë ditën që erdhën me kamera“- tha për Faktoje Violeta Memaj, administratorja e një strukture turistike në zonën e Ujit të Ftohtë.
“Takuam një inxhinier të projektit, na thanë se nuk kanë mjete për të punuar.”- vijon e shqetësuar Violeta, e cila tregon se punimet në rrugë gjatë verës dhe kaosi që krijohet nuk do jenë në favor të biznesit të saj.
Ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion Ministrisë së Infrastrukturës dhe Bashkisë Vlorë në lidhje me arsyet e ndërprerjes së punimeve dhe respektimin e afateve të parashikuara, por deri në publikimin e këtij artikulli dhe kur kanë kaluar afatet ligjore, asnjë nga institucionet nuk ktheu përgjigje.
Për herë të parë, projekti i shëtitores Bregdetare nga Tuneli në drejtim të Radhimës është prezantuar në vitin 2021, ndërsa punimet nisën në dhjetor 2022.
Segmenti prej 20 kilometrash, sipas premtimit të përfaqësuesve të qeverisë është pranvera e vitit 2024. I kosideruar si “Lungomare 3” projekti parashikon pajisjen me pista dhe shtigje që kalojnë në det dhe kthehen në rrugë për këmbësorët, detaje që u theksuan gjatë inspektimit në muajin dhjetor edhe nga drejtuesi politik i qarkut Vlorë, Blendi Klosi.
Por verifikimi në terren dhe informacionet e grumbulluara tregojnë se deklaratat për përfundimin e segmentit Vlorë-Radhimë-Orikum në pranverën e viti 2024 janë jo realiste dhe të pavërteta.