Kryeministri Rama u zotua në fund të vitit të kaluar se shkollat e reja do të jenë gati në fillim të vitit të ri shkollor 2020-2021. Pas shfaqjes së pandemisë nga koronavirusi, ai garantoi se nuk do ketë shtyrje të afateve të rindërtimit, por zyrtarë të qeverisë pranojnë se një pjesë e tyre nuk përfundojnë para nëntorit ose dhjetorit. Në Tiranë, disa prej shkollave që do ndërtohen nga e para, ende nuk janë shembur në rreth 4 muaj distancë nga skadimi i afatit fillestar.
Kryeministri Rama e mbylli vitin 2019 me një videomesazh ku i uronte shqiptarëve për vitin e ri 2020. Duke folur për punën që duhej bërë mbi rindërtimin gjatë vitit pasardhës, ai vendosi fillimin e vitit të ri mësimor si afat për shkollat e rrënuara nga tërmeti.
“Shkollat, kopshtet, spitalet, qendrat shëndetësore të dala jashtë funksioni, duhet të rindërtohen nga e para deri në shtatorin e ardhshëm. Në sezonin e ri shkollor 2020-2021 fëmijët e shkollave të rrënuara do ta nisin mësimin në shkolla të reja, me kushte shumë më të mira sesa ato që kishin përpara tërmetit.”- tha zoti Rama.
Më 12 mars kryeministri Rama firmosi Vendimin e Këshillit të Ministrave për financimin e parë të programit të rindërtimit për arsimin në vlerën e 7.9 miliardë dollarëve, ku përfshiheshin edhe 59 shkolla të reja. Ai u shpreh se koronavirusi nuk do t’i ndalë e as nuk do t’i zvogëlojë programet e rindërtimit.
Pak ditë më vonë, më 16 mars kryeministri Rama e përforcoi angazhimin për programet e rindërtimit pavarësisht situatës së shkaktuar nga koronavirusi. Në një mesazh video të drejtuar qytetarëve nga faqja e tij në Facebook, ai shtoi se as afatet nuk do të ndryshonin duke theksuar se plani për rindërtimin nuk do të shtyhej.
“Plani ynë për rindërtimin, as nuk shtyhet, as nuk ndryshon. Madje sot, tani që flasim, ne kemi nxjerrë edhe thirrjen publike për tenderin ndërkombëtar të shkollave, 7.9 mld lekë, pra 79 mln dollarë për 59 shkolla të reja.”- tha kreu i qeverisë.
Zoti Rama u shpreh që këto para, përfshirë ato të shtëpive të reja, qeveria nuk do t’i lëvizë nga destinacioni e as nuk do t’i lërë pa paguar në kohë edhe sikur të gjithë donatorët të lëvizin nga zotimi për shkak të koronës.
Më 15 mars, Bashkimi Europian e lehtësoi vendin tonë nga një pjesë e barrës, duke akorduar së bashku me UNDP një fond prej 15 milionë eurosh për rindërtimin e 22 shkollave të shkatërruara nga tërmeti i 26 nëntorit. Zbatimi i këtij projekti do të monitorohet nga vetë zyra e Bashkimit Europian në Tiranë.
Të premten e 24 prillit, kryeministri Rama në takimin online me Ministrin për Rindërtimin, zotin Arben Ahmetaj, drejtorin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, zotin Dritan Agolli si dhe Ministren e Kulturës, zonjën Elva Margariti lajmëroi nisjen e operacionit të rindërtimit të shkollave. Operacioni nis me prishjen e objekteve të dëmtuara nga tërmeti, 103 shkolla 1ë do ndërtohen nga themelet.
“Brenda 1 nëntorit kjo parti shkollash do të ketë mbaruar, që janë mbi 40. Duhej të ishin 59, por 22 i ka marrë UNDP, të cilat po i ndjekim paralel.”, u shpreh zoti Ahmetaj.
Ndërsa zoti Agolli shtoi se për shkollat me sipërfaqe më të madhe mund të zgjasë punimi.
“Ka shkolla me sipërfaqe më të madhe që mund të shkojnë maksimumi deri në fund të dhjetorit”, tha drejtori i FSHZH.
Në këtë mënyrë afati fillestar i vendosur nga kryeministri Rama, sot që hapja e shesheve të ndërtimit sapo ka filluar, është shtyrë me të paktën 1 semestër mësimor.
Më 6 shkurt, “Faktoje” iu drejtua Ministrisë së Arsimit, Sporteve dhe Rinisë me një kërkesë për informacion mbi inventarin e objekteve arsimore të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit. Në përgjigjen e ardhur nga Ministria e Arsimit figuronte një listë me 54 shkolla, në të cilat 12 janë në qarkun e Tiranës.
Disa prej këtyre shkollave ishin planifikuar të shembeshin për t’i hapur vendin një shkolle të re. Mes tyre bëjnë pjesë shkollat 9-vjeçare “Lasgush Poradeci”, “Qazim Turdiu” dhe “Murat Toptani. Në shkuam në terren më 28 prill për të parë situatën në secilën prej këtyre shkollave dhe në asnjërën prej tyre nuk kishte filluar shembja, thuajse 4 muaj nga skadimi i afatit fillestar.
Shkolla 9 vjeçare “Qazim Turdiu”, në zonën e Don Bosco
Shkolla 9-vjeçare “Lasgush Poradeci”, në zonën e Kombinatit
Shkolla 9-vjeçare “Murat Toptani”, në zonën e Selitës
Nga ana tjetër, është bërë shembja e gjimnazit “Sami Frashëri” e cila nuk figuron në listën e Ministrisë së Arsimit dërguar “Faktojes” në muajin shkurt.
Gjimnazi “Sami Frashëri”, më datë 28 prill
Ende nuk dihet nëse viti i ri shkollor 2020-2021 do të nisë në shtator, për shkak të efekteve të pandemisë. Por shumë prej shkollave të planifikuar për t’u rindërtuar dhe ende nuk janë shembur, nuk do të jenë gati të paktën para fundit të 2020-s, siç kanë pranuar vetë zyrtarët.
JOEL ÇELA