Pretendimi: Nicola Tesla ndërtoi kullën për transmetimin e energjisë elektrike pa kosto
Verdikti: Mungon konteksti
Projektet inovatore të Nicola Teslës për fushat magnetike mbeteshin të kufizuara për një rreth të ngushtë studiuesish duke ngjallur dyshime për njohuritë e një njeriu normal në fillimet e shekullit të 20-të. Për fat të keq, ende dhe sot, vijojnë të transmetohen informacione të pasakta që janë ndërtuar si legjenda një shekull më parë.
Një prej këtyre legjendave është dhe projekti “Wardenclyffe Tower” i Teslës, i cili prezantohet në një postim në Facebook si “projekti i transmetimit të energjisë elektrike me kosto zero”.
Wardenclyffe Tower ishte një projekt i shpikësit Nikola Tesla-s, i ndërtuar midis viteve 1901 dhe 1905 në Long Island, ShBA. Tesla dëshironte të krijonte një sistem të komunikimit global pa nevojën e kabllove, i ngjashëm me internetin e sotëm wireless. Ai besonte se mund të përdorte energjinë natyrore të Tokës për të transmetuar energji dhe informacion në mbarë botën, duke krijuar një rrjet global që mund të lidhte njerëzit dhe mundësonte shpërndarjen e energjisë pa kabllo. Sigurisht, energjia nuk do të ishte falas në rast se ideja e tij do të funksiononte.
Përkundër vizionit të tij të madh dhe mundësive që ai parashikoi, projekti i Wardenclyffe Tower nuk u realizua asnjëherë.
Sipas faqes zyrtare të Tesla Science Center, projekti u përball me vështirësi të mëdha financiare dhe, për shkak të borxheve të akumuluara nga Tesla, kulla e paplotësuar në Long Island u shemb në vitin 1917 për t’u shitur dhe për të paguar borxhet që ai kishte.
Një pjesë e madhe e legjendave të pavërteta që qarkullojnë në lidhje me këtë projekt lidhen me pretendime të ndryshme që qeveria federale e SHBA-ve e shkatërroi kullën për të fshehur mundësinë e dhënies së energjisë falas për të gjithë botën.
Përsa i përket transmetimit pa kabëll në largësi të mëdha, shkenca e ka provuar tashmë funksionimin e komunikimit të transmetuesve dhe radarëve pavarësisht formës ovale të tokës.