.

.

BallinaFaktometerE PavërtetëKlosi-Leli: Ujërat e zeza nuk derdhen më në det

Klosi-Leli: Ujërat e zeza nuk derdhen më në det

ANXHELA RUÇI

Derdhja e ujërave të zeza në det, nga plazhi më verior deri tek ai më jugor, është pamja më e shëmtuar që i serviret turistëve që zgjedhin bregdetin e Shqipërisë për të kaluar pushimet verore.

Një vit më parë në Ksamil, në zonën më të frekuentuar të jugut e në kulmin e sezonit turistik, tubacionet e ujërave të zeza shpërthyen në det, duke ofruar një pamje aspak të këndshme për pushuesit. Në Durrës, Sarandë, Shëngjin, Velipojë e në shumë zona të tjera bregdetare, prej vitesh hotelet për shkak të mungesës së kanalizimeve zgjedhin mënyrët më të lehtë të depozitimit të mbetjeve, atë të derdhjes së fekaleve në det.

Edhe pse prej kohësh disa qytete bregdetare kanë vënë në punë impiantet për përpunimin e ujërave të zeza, me një kosto financiare prej miliona dollarësh, problemet mbeten ende prezente. Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi gjatë intervistës në emisionin “Arena” në Ora News, përsëriti vazhdimisht se qytetet bregdetare janë të pastra dhe derdhjes së ujërave të zeza në det u është dhënë fund.

Duke mbrojtur tezën se ujërat e zeza nuk derdhen në det, ministri Klosi, sfidoi gazetarët duke i ftuar të gjejnë një vend ku ka derdhje të tilla duke thënë: “Ju ftoj të shkojmë së bashku nesër, ose shkoni dhe vetë me kamerën tuaj dhe gjeni ku derdhen ujërat e zeza nga Shkëmbi i Kavajës deri në dalje të qytetit të Durrësit, pra në anën tjetër.”

“Faktoje”, e pranoi sfidën e ministrit dhe pa shumë mundim gjeti në shëtitoren “Taulantia” në Durrës një “lum” ujërash të zeza që vërshojnë pa problem dhe pa asnjë filtrim në det.

Blendi Klosi, në përpjekje për të bindur se në qytetet kryesore bregdetare nuk ka një situatë të tillë, solli si shembull investimet miliona dollarëshe për impiantet e përpunimit të ujërave të zeza.

“Është fakt, e gjithë zona e plazhit të Durrësit, edhe zona e Vlorës, Velipojës e Shëngjinit, tashmë e kanë impiantin e trajtimit të ujërave të zeza, edhe plazhi i Sarandës si dhe plazhi i Ksamilit.”,- shtoi më tej ministri.

“Faktoje”, me fakte ka sjell një kolazh të plazheve në Durrës, Vlorë e Shëngjin në të cilat ujërat e zeza vazhdojnë të derdhen ende në det, aty ku plazhistët lahen të qetë ne detin me ujë të kripur trazuar dhe me ujëra të zeza.

Ministri i Turizmit, Blendi Klosi nuk është i vetmi nga pushtetarët e majtë që deklarohet për ujërat e zeza në det. Jo vetëm përfaqësues të pushtetit qendror, por edhe ata të pushtetit vendor, siç është Dritan Leli, kryetari i Bashkisë Vlorë, flasin me siguri maksimale për këtë situatë. Leli premton i bindur duke thënë se: “Nga shtatori, zero mbetje në shëtitoren buzë detit në Vlorë”.

Pa shkuar shumë më tej, përgjatë shëtitores  “Lungomare”, në fund të shtatorit derdhja e ujërave të zeza në det, ishte po aq prezente sa në muajt e verës, duke e hedhur poshtë premtimin e dhënë nga vetë kreu i bashkisë së qytetit bregdetar, Dritan Leli.

Edhe pse do të donim shumë që fjalët e ministrit Klosi dhe kryetarit të Bashkisë Vlorë, Leli, për zgjidhjen përfundimtare të problemit të ujërave të zeza që derdhen në det të ishin të vërteta, nga verifikimet në terren, deklaratat e tyre rezultojnë të jenë GËNJESHTRA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img